Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-qershor 2017 kapën vlerën mbi 7,415 milionë lekë, ose 12.03% më shumë se në periudhën janar-qershor 2016, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Gjatë periudhës janar-qershor 2017, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 551,848, me një rritje prej 14.69% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.99% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.57% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.44%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 41.46% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë 58.54% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-qershor 2017, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,706 milionë lekë, ose 44.02% më shumë se në periudhën janar-qershor 2016.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-qershor 2017 arritën rreth 4,322 milionë lekë, ose 11.43% më shumë se në periudhën janar-qershor 2016.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-qershor 2017, pati një rritje prej 14.35% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 6.46% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016.
Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-qershor 2017 pati një ulje prej 9.29% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndersa numri i kontratave pati një rritje prej 0.12% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016.
Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-qershor 2017, pati një rritje me 2.65% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-qershor 2016. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 2.13%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-qershor 2017 arritën rreth 3,060 milionë lekë, 12.86% më shumë se në periudhën janar-qershor 2016. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 24.58% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-qershor 2017, patën një rritje me 10.80% kundrejt periudhës janar-qershor 2016.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-qershor 2017 siguruan mbi 2,499 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 71.59%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 19.87% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-qershor 2017, vihet re një rritje prej 14.91% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 9.68% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-qershor 2016.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-qershor 2017, arritën në rreth 683 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 2.17% në krahasim me periudhën janar-qershor 2016.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-qershor 2017, arritën rreth 561 milionë lekë, ose 23.07% më shumë se në periudhën janar-qershor 2016.
Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-qershor 2017 u rritën me 44.02% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,546 milionë lekë, apo 57.13% të totalit të dëmeve të paguara bruto, raporton AMF.
Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.