Përfshirja e SHKK-ve në skemën e sigurimit të depozitave, një domosdoshmëri për tregun financiar shqiptar
Rishikimi që po i bëhet aktualisht ligjit për Sigurimin e Depozitave të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) sjell risi të rëndësishme për tregun bankar shqiptar dhe në veçanti për SHKK-të dhe Unionet e tyre.
Shoqëritë Kursim Kredi (SHKK) janë ndër institucionet më përfaqësuese të mikrofinancës shqiptare. Ato janë bashkime vullnetare individësh, banorë të zonave rurale, të cilët vetëkrijojnë dhe vetadministrojnë Shoqërinë e Kursim Kreditit e cila jep mikrokredi dhe mbledh kursime vetëm nga anëtarët e saj, gjithashtu banorë të zonës rurale së mbuluar nga SHKK-ja.
Përfshirja në skemën e re të Shoqërive Kursim Kredi është në vazhdën e përpjekjeve shumëvjeçare për të rritur edukatën financiare dhe aksesin në rrjetin bankar të popullatave rurale në vend. Rritja e konsiderueshme e kursimeve të depozituara në këto shoqëri nga banorët e zonave rurale, tregon suksesin e këtyre strukturave financiare dhe uljen e informalitetit në zonat rurale.
Si shembull vlen të përmendet rritja prej 35% e depozitave e Unionit Shqiptar Kursim Kredi vetëm gjatë vitit 2013. Kjo tregon besimin e lartë ndaj këtyre shoqërive dhe faktin që këto kursime do të ishin të “fjetura” pa penetrimin e SHKK-ve në këto zona.
Përfshirja e rrjetit të SHKK-ve në skemën e sigurimit të depozitave nënkupton një mbrojtje më të lartë për kursimet e banorëve të zonave rurale nga ndikimi i ndryshimeve dhe efekteve negative të tregjeve. Përveç sigurisë që jep organizimi i tyre i brendshëm, i rregulluar me Ligj, anëtarët e SHKK-ve do të jenë të siguruar edhe në një formë të ngjashme me klientët urbanë të bankave të nivelit të dytë.
Diskutimet për projektligjin
Diskutimet aktuale mbi projektligjin dhe aspektet që prekin SHKK-të janë të orientuara kryesisht drejt mundësisë së një mbulimi të njëjtë mes këtyre shoqërive dhe bankave të nivelit të dytë.
Parimi i unifikimit të nivelit të mbulimit për të gjithë depozituesit, pavarësisht nga lloji apo tipi i institucionit që mbledh depozitat, është një nga parimet bazë për një sistem efektiv të sigurimit të depozitave, ashtu siç është konfirmuar dhe nga instanca ndërkombëtare si Parlamenti Europian së fundmi.
Mosaplikimi i këtij parimi mund të japë një sinjal frenues në procesin e integrimit të fermerëve dhe kursimeve të tyre në rrjetin zyrtar financiar, duke rritur kështu potencialin e informalitetit të kursimeve rurale, si dhe duke dobësuar 22 vite angazhim të Shoqërive Kursim Kredi, në promovimin e edukatës financiare të fermerëve.
Një sinjal frenues nuk është se do t’i shtynte fermerët drejt bankave, pasi kjo alternativë ka ekzistuar gjithmonë, e shoqëruar me fushata promocionale të fuqishme, por do të sillte një tkurrje të kursimeve dhe do të ulte mundësinë për t’i injektuar në ekonominë rurale. Kjo, duke pasur parasysh që SHKK-të janë hapi i parë i integrimit të plotë në sistemin bankar të popullatës rurale shqiptare.
Aktualisht, në total, depozitat e anëtarëve të Shoqërive Kursim Kredi, pjesë e Unionit Shqiptar Kursim Kredi, kapin vlerën e mbi 1.8 miliardë lekë, të shpërndara në 17 rrethe të vendit. Bazuar mbi potencialin financiar të kursimeve rurale në vend, të papërfshirë ende në sistemin bankar, çdo nismë e cila e afron ose incentivizon banorin e zonës rurale të depozitojë kursimet e tij në një institucion financiar, është për t’u përshëndetur. Nuk duhet harruar që rreth 45% e popullatës në vend është banore e zonave rurale, ku penetrimi i degëve rajonale të bankave të nivelit të dytë është tejet i kufizuar.
Risia më e madhe e projektligjit mbi sigurimin e depozitave do të ishte finalizimi i trajtimit, për herë të parë, si të barabartë të klientëve depozitues të bankave të nivelit të dytë dhe anëtarëve të Shoqërive Kursim Kredi.
Diferencimi
Mosaplikimi i parimit të unifikimit të nivelit të mbulimit për të gjithë depozituesit mund të japë një sinjal frenues në procesin e integrimit të fermerëve dhe kursimeve të tyre në rrjetin zyrtar financiar, duke rritur kështu potencialin e informalitetit të kursimeve rurale, si dhe duke dobësuar 22 vite angazhim të Shoqërive Kursim Kredi, në promovimin e edukatës financiare të fermerëve.
Afërdita Selimi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.