Polica e sigurimit të automjeteve së shpejti do të paguhet nëpërmjet sistemit bankar. Autoriteti i Mbikeqyrjes Financiare bën me dije se që prej datës një nëntor ka filluar zbatimi i projektit “Integrimi i Regjistrit të Policave me shitjen nëpërmjet Sistemit Bankar”. Ky projekt parashikon përfshirjen e detyrueshme të transaksionit të pagesës në policat e sigurimit, mundëson zhvillimin dhe kontrollin e tregut të sigurimeve motorike dhe jep mundësinë e krijimit të standardeve në veprimet financiare duke filluar nga lëshimi i policave të sigurimit të detyrueshëm motorik e deri në pagesën e dëmeve si rrjedhojë e tyre. Me fillimin e zbatimit të këtij projekti, konsumatorët do të shohin disa informacione shtesë në policën e tyre të sigurimit të detyrueshëm motorik. Përveç Kodit të Raportimit AMF, do të jetë i pranishëm dhe kodi i transaksionit bankar, të cilit i referohet polica e sigurimit. Për konsumatorët këto kode janë garancia e lëshimit të rregullt të policës së sigurimit të detyrueshëm motorik dhe i transmetimit të të dhënave të tyre në AMF.
Me këtë masë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk bën gjë tjetër veçse rrit cilësinë e monitorimit të shoqërive të sigurimeve në drejtim të raportimit të saktë të policave të shitura, siguron mbrojtjen e konsumatorit dhe forcon tregun e sigurimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.