Sigurimi i prones

18/12/2010 00:00 0 komente

Ceshtje ligji apo mentaliteti

Vitet e fundit është rritur sigurimi i pronës nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore, por pesha ndaj totalit të tregut mbetet e vogël. A ka ndryshuar tregu pas përmbytjeve në Shkodërr

Përmbytjet e mëdha në Qarkun e Shkodrës, por edhe në rajonet e tjera të vendit, si pasojë jo vetëm e reshjeve, po në mungesë të investimeve në infrastrukturë, kanë rikthyer debatin mbi nevojën e sigurimit të pronës. Në morinë e shërbimeve që ofrojnë kompanitë e sigurimeve bëjnë pjesë edhe sigurimet nga zjarri, forcat e natyrës, si dhe sigurime për dëmtime të tjera në pronë. Shifrat vijnë duke u rritur, ndërsa pesha që zë ky shërbim në totalin e sigurimeve, të paktën deri në tetor të këtij viti ishte rreth 13.8 për qind. Kryesisht dominojnë sigurimet e detyrueshme për mjetet motorike, apo ato për shërbimet bankare, ndërsa së fundmi qeveria e futi me ligj sigurimin për transportin publik.
çfarë do të ndodhte nëse qeveria fuste me ligj detyrimin për sigurimin e pronës dhe a do të kishim reagime të ashpra ndaj shtetit për kompensime, sikurse ndodh me Shkodrën nga përmbytjet, apo rastet e kaluara në Dibër nga tërmeti. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, institucioni që monitoron tregun, pranon se duhet rishikuar ligji dhe se me Bankën Botërore po punohet për krijimin e një strategjie që përballon dëmet ndaj fatkeqësive natyrore. Natyrisht që rritje të sigurimeve do të kishte, pasi individët do të shtyheshin nga ligji, por kontrata do të kushtonte më shumë. Ekspertët e tregut të sigurimeve pranojnë se vlerësimi i pronës dhe risku që paraqet vendndodhja e saj, i japin vlerë të lartë primit të sigurimit. Për pronarin e një prone që ndodhet pranë një rrjedhe lumi do të ishte e vështirë të gjente një sigurues me çmim të leverdisshëm.
Megjithatë Bardhyl Minxhozi, drejtori i përgjithshëm i njërës prej kompanive të sigurimeve në vend, thotë se më shumë se pengesa ligjore, i gjithë problemi vërtitet te mentaliteti, kultura për të siguruar pronën.
Statistikat zyrtare nuk janë të mjaftueshme për të kuptuar nëse tragjeditë e fundit natyrore në Veri të vendit e kanë ndryshuar mentalitetin e konsumatorit në raport me mbrojtjen që duhet t’i bëjë pronës. Shifrat e dy viteve të fundit tregojnë se ka rritje të primeve për sigurimin e pronës, me rreth 20 për qind.

Modestë, por në rritje

Për vitin 2009, në sigurimet vullnetare të Jo-Jetës me të ardhura rreth 3 miliardë lekë, vendin e parë e zunë zjarri dhe rreziqet natyrore me rreth 27 për qind, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 23 për qind të të ardhurave të këtij grupi, sigurimi kasko me rreth 20 për qind dhe peshë më të ulët patën sigurimi i aksidenteve dhe shëndetit, si dhe sigurimet e garancisë.
Duke i parë shifrat që nga viti 2007, vihet re që ka rritje të primeve për sigurimin e pronës, mesatarisht me 80 milionë lekë, ose gati 11 për qind, por potencialet që ofron tregu janë më të mëdha se realiteti.
Duke iu rikthyer situatës aktuale, pra shifrave të këtij viti dhe duke e lidhur me përmbytjet në Veri, dëmet e shkaktuara nga rrëshqitja e dherave, apo nga luhatjet e dritave dhe tërmetet sporadike, vërehet që ka një bum primesh dhe kontratash të lidhura. Kështu, për sigurimin e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës, duke përfshirë edhe dëmtimet e tjera, deri në muajin tetor 2010, kemi rreth 842 milionë e 970 mijë lekë prime të nënshkruara mes individëve dhe firmave private, me një rritje nga viti 2009 për të njëjtën periudhë me rreth 20 për qind. Natyrisht që edhe pesha ndaj totalit të të gjitha primeve të nënshkrua, sa i takon pronës ka ndryshuar, me rritje, nga 11.62 për qind që ishte në vitin 2009, në rreth 13.83 për qind në vitin 2010, gjithnjë duke i krahasuar si 10-mujor. Sipas raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në total janë nënshkruar rreth 6 miliardë lekë kontrata për të gjitha llojet e sigurimeve, me një rritje prej 1.29 përqindësh, nivel ky tepër i ulët në raport me vitet e tjera, duke dëshmuar në njëfarë mënyre krizën në këtë sektor.
Lidhur me kontratat e lidhura, si numër regjistrohen rreth 22 mijë e 557, ose 3.77 për qind rritje nga 2009, duke ndikuar në peshën e këtij shërbimi ndaj totalit, në 4.41 për qind.

Kontratat
Vlera
Për sigurimin e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës, përfshi edhe dëmtimet e tjera, deri në muajin tetor 2010, kemi rreth 842 milionë e 970 mijë lekë prime të nënshkruara

Numër
Lidhur me kontratat e lidhura, si numër regjistrohen 22 mijë e 557, ose 3.77 për qind rritje nga 2009, duke ndikuar në peshën e këtij shërbimi ndaj totalit, në 4.41 për qind

Faturat e larta
Përmbytjet në Veri të vendit të mijëra pronave (objekte dhe toka bujqësore) kanë nxjerrë në sipërfaqe shifrat paraprake të dëmeve, që natyrisht do të përballohen nga buxheti i shtetit. Deri tani AMF-ja nuk është në gjendje të thotë se sa është numri i bizneseve apo i individëve që kanë siguruar pronën, për të kuptuar më pas ndikimin që kanë dhënë përmbytjet e para në mentalitetin e këtyre banorëve. Të dhënat operative nga terreni tregojnë se numri i subjekteve që kanë regjistruar pronën është tepër i vogël, por nuk kanë munguar rastet e sigurimit pas shkaktimit të dëmit, duke kamufluar dokumentet e regjistrimit. Gjithsesi, të dhënat zyrtare nga AMF, për të gjitha primet e nënshkruara në rang vendi, sa i takon dëmit të paguar nga shoqëritë e sigurimeve tregojnë për një nivel faturash të paguara prej rreth 82 milionë lekësh, ose 11.42 për qind më shumë se viti 2009, deri në tetor. Bie në sy fakti se dëmet më të mëdha janë paguar për kontratat e lidhura për sigurimin e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës, me rreth 74 milionë lekë, ose 4.08 për qind më shumë. Në total, sipas AMF, kompanitë e sigurimeve kanë paguar 1 miliardë e 739 milionë lekë dëme, ose 30 për qind më shumë, ku 4.72 për qind i zënë “kontratat për sigurimin e pronës”. Nga të gjitha kontratat e lidhura për pronën, rreth 23 mijë, vetëm 54 prej tyre kanë mundur të dëmshpërblehen, pra kanë pësuar fatkeqësi, ose 25 për qind më shumë se viti 2009.

Dëmet
Kompanitë e sigurimeve kanë paguar 1 miliardë e 739 milionë lekë dëme, ose 30 për qind më shumë, ku 4.72 për qind i zënë “kontratat për sigurimin e pronës”

BOX
E treta për numër kontratash
Pronat e siguruara, Shkodra e dyta për pagesën e dëmeve

Qarku u Shkodrës, më i prekuri nga reshjet e shumta që përfshinë vendin në muajt tetor-nëntor, po shërben si indikator në analizat e shumta rreth investimeve që janë dhe duhen kryer, gabimeve të bëra me lumenjtë dhe nevojës për të pasur ose jo një ligj për sigurimin e pronës. “Monitor” ka zgjedhur të analizojë qarkun më të madh në Veri të vendit sa i takon tregut të sigurimeve, ku pozicionohet ai dhe ndryshimet nga viti i kaluar.
Në tërësi, për vitin 2009, kompanitë e sigurimeve arritën të nënshkruajnë prime sigurimi të jetës dhe jo-jetës me vlerë 276 milionë e 698 mijë lekë, kurse dëme të paguara në total për të gjitha llojet e aksidenteve dhe fatkeqësive ishin 78 milionë e 488 mijë. Sipas AMF-së, mesatarja për frymë e çdo banori të siguruar në Qarkun e Shkodrës, ku përfshihet Malësia dhe Puka, llogaritet në 1124 lekë, nivel tepër i ulët me qarqet e tjera, kurse Tirana zë vendin e parë, me mesatare prej rreth 5 mijë lekësh (për të gjithë vendin mesatarja është 2443 lekë për 2009-n).
Duke u ndalur veçanërisht te siguria e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës, vetëm për Qarkun e Shkodrës, si 10-mujor i këtij viti, shoqëritë e sigurimit kanë mundur të lidhin rreth 15 milionë e 489 mijë lekë kontrata, ose 6 për qind më shumë se në 2009, por shumë larg qarqeve të tjera si Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani, Tirana apo Gjirokastra. E fundit për kontrata të lidhura sa i takon vlerës, por si numër, Shkodra renditet e treta, me 1572, ndërsa Durrësi i dyti dhe Tirana e para, përkatësisht 2052 dhe 14051. Treguesi kryesor, që përbën thelbin e këtij artikulli, është niveli i dëmeve që kanë paguar shoqëritë e sigurimeve në rajonin e Shkodrës, që si 10-mujor ishte 31 milionë e 208 mijë lekë, nga 5 milionë e 400 mijë lekë, pra 456 për qind më shumë, duke e renditur këtë qark të dytin, pas Tiranës (57 milionë lekë), për dëme të paguara. Duke mbetur te shifrat, në këtë rajon, kompania shtetërore INSIG, ka vlerën më të lartë të kontratave të lidhura, me 5.4 milionë lekë.

Tiparet
Primet
Si 10-mujor, shoqëritë e sigurimit kanë mundur të lidhin rreth 15 milionë e 489 mijë lekë kontrata, ose 6 për qind më shumë se në 2009

Pagesat
Niveli i dëmeve që kanë paguar shoqëritë e sigurimeve ishte 31 milionë e 208 mijë lekë, nga 5.4 milionë, pra 456 për qind më shumë

Kompania
Duke mbetur te shifrat, në këtë rajon, kompania shtetërore INSIG, ka vlerën më të lartë të kontratave të lidhura, me rreth 5.4 milionë lekë

box
Licenca
Sa pak për vlerësimin e pronës
Vlerësimi i dëmeve nga shoqëritë e sigurimit me vlerësues të licencuar, si proces i filluar në vitin 2008 pas licencimit të 32 vlerësuesve të licencuar, që u shoqërua gjatë vitit 2009 me licencimin edhe të 11 vlerësuesve të tjerë, duke e çuar numrin e vlerësuesve të dëmeve në sigurime në 43. Por, nga këto, vetëm një person është i licencuar nga AMF për të kryer vlerësimin e dëmit te pronës, kurse pjesa më e madhe shkon për aksidentet e mjeteve motorike. Licencat e dhëna në 200-n, konsistojnë në vlerësimin e dëmeve materiale dhe shëndetësore për klasat e jo-jetës. Gjithashtu, vlerësuesi i dëmeve në sigurime mund ta ushtrojë profesionin e tij ose i pavarur nga shoqëritë e sigurimit, ose si i punësuar pranë një shoqërie sigurimi.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare: Duhet rishikuar ligji për sigurimin e detyrueshëm

Katastrofat mbulohen vetëm me risigurime

Si paraqitet sigurimi i pronës në tërësi, a ka pasur rritje të kontrataver

Për periudhën janar-tetor 2010, në tërësi sigurimet vullnetare të jo-jetës kanë njohur rritje në masën 2.95 për qind. Po të analizojmë portofolin “Zjarri dhe rreziqet shtesë”, ku përfshihen dhe forcat e natyrës, vihet re rritje në masën 17.59 për qind e volumit të primeve të shkruara bruto, në një kohë kur tregu ka njohur rritje vetëm në masën 1.65 për qind. Në tërësi, sigurimi i pronës, pra sigurimi “Zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë” ka shënuar rritje të numrit të kontratave për periudhën janar-tetor 2010, në masën 3.77 për qind në kushtet ku tregu ka pësuar rënie të numrit të kontratave, pra në tërësi sigurimi i pronës ka pasur ecuri të kënaqshme.

Kompanitë siguruese kanë mundësi të mbulojnë dëme të tilla, si kjo e Shkodrësr

Rreziku i katastrofave është gjithnjë prezent në biznesin e një shoqërie sigurimi të jo-jetës dhe është pjesë e produkteve që shoqëritë e sigurimit ofrojnë. Brenda një pakete të sigurimit të pronës mund të përzgjidhen disa mbulime si tërmeti, përmbytja dhe rreziqe të tjera, sipas tarifave që përcaktohen nga shoqëria në varësi të mbulimit. Pra marrja përsipër e rrezikut, përfshi dhe atë të katastrofave është pjesë e aktivitetit të shoqërisë së sigurimit. Për sa u takon kapaciteteve apo aftësive mbajtëse, kjo gjë varion sipas madhësisë së shoqërisë së sigurimit, por duhet pasur parasysh që në rastin e rreziqeve që tejkalojnë kapacitetet mbajtëse, ekzistojnë instrumente të tjerë të transferimit të riskut siç është risigurimi, apo sigurimi i vetë shoqërive të sigurimit, si dhe retrocesioni që është risigurimi më tej i shoqërisë së risigurimit. Pra një mekanizëm i tillë bën të mundur diversifikimin e riskut dhe nuk lejon përqendrimin e tepërt në një sigurues, me qëllim marrjen përsipër të rrezikut brenda aftësive mbajtëse. Kryesisht legjislacioni në fuqi dikton partneritet me risigurues që kanë klasifikim krediti të lartë sipas standardeve të agjencive “Standard & Poor’s” etj. Duke përmbledhur, shoqëria e sigurimit mban rezerva për rreziqet që merr përsipër dhe në çdo kohë duhet të jetë e aftë të ketë mjetet e nevojshme për garantimin e këtyre detyrimeve, duke marrë parasysh dhe transferimin e rrezikut.

Kjo situatë në Veri është e disata herë brenda një viti. A ka ndonjë skenar si mund të zgjidhet çështja e sigurimit të pronës dhe deri ku mund të shkojë bashkëpunimi mes qeverisë dhe firmave private, qoftë dhe mundësitë e ndërtimit të një skeme për mbulimin nga katastrofatr

Sigurimi i pronës nuk është i detyrueshëm me ligj. Për të futur në skemë sigurimin e pronës duhet përditësuar baza ligjore, duke përfshirë skemat për katastrofat. Në të ardhmen projekti i Bankës Botërore për katastrofat në vendet e Ballkanit do të aplikohet dhe në Shqipëri, duke i dhënë një shtysë sigurimit të pronës dhe përballimit të katastrofave.

Reforma
Ligji
Për të futur në skemë sigurimin e pronës duhet përditësuar baza ligjore, duke përfshire skemat për katastrofat. Banka Botërore po punon për këtë projekt

Garancia
Shoqëria e sigurimit mban rezerva për rreziqet që merr përsipër dhe në çdo kohë duhet të jetë e aftë të ketë mjetet e nevojshme për garantimin e këtyre detyrimeve

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.