Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe me Bankën Botërore, dy nga donarët më të rëndësishëm për projektet në Infrastrukturë dhe Transport.
Ministri Dervishaj, takimin e parë e zhvilloi me drejtorin e BERZH-it për Shqipërinë, z.Mateo Colagneli, me të cilin u diskutua për projektin e linjës së re hekurudhore, Tiranë-Rinas-Durrës.
Z. Dervishaj tha se pala shqiptare është e angazhuar maksimalisht për ta ndërtuar këtë linjë të re hekurudhore, brenda afateve të caktuara nga donatorët. Ministri Dervishaj kërkoi përfshirjen në projekt edhe të stacionit të vjetër të trenave në Tiranë, për ta lidhur më tej me Kasharin, propozim që gjeti mbështetjen nga drejtori i BERZH.
Nga ana e tij, drejtori Colagneli, tha se synohet firmosja e marrëveshjes brenda këtij viti, për t’i hapur rrugë fillimit të punimeve në 2017.
Z. Colagneli njoftoi se janë siguruar fondet për implementimin e këtij projekti strategjik.
Ministri theksoi se kjo linjë e re hekurudhore do t’i japë një dimension dhe zhvillim të ri transportit hekurudhor.
Takimet e ministrit Dervishaj vijuan me Raymond Bourdeaux, drejtori i Bankës Botërore për Zhvillim të Qëndrueshëm për Europën Juglindore, me fokus zhvillimin e mëtejshëm të projekteve në sektorin e Ujësjellës -Kanalizimeve dhe në Transport.
Ministri Dervishaj u ndal te reforma e ujit, duke theksuar se shumë shpejt fillon edhe faza e dytë e kësaj reforme të rëndësishme që lidhet me implementimin në 61 ujësjellësit e rinj në gjithë vendin.
Dervishaj tha se në këtë fazë, do të synohet përfshirja dhe bashkëpunimi me kryetarët e bashkive, për ta zbatuar me sukses këtë reformë të rëndësishme. Ministri shtoi se një element që do t’i shtohet kësaj faze të dytë, është përfshirja e shoqërisë civile, pasi kjo reformë në thelb është një shërbim për qytetarët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.