Banorët e qytetit verior të Suedisë, Kiruna, tashmë kanë vezën e tyre të artë gjigante. Sauna në mesin e borës së Suedisë është një prej prej projekteve më të fundit të realizuara nga arkitektët Bigert dhe Bergström. Ky projekt njihet me emrin zyrtar “veza solare” dhe ndodhet në pikën më të lartë të maleve suedeze.
Por pse pikërisht një sauna në formën e një veze gjigante?
Është një gjetje simbolike për këtë qytet i cili po kalon një fazë ndyshimesh të dukshme: përfaqësimi i lindjes së jetës. Në Suedinë e Veriut, ku vera është e shkurtër dhe dimri shumë i gjatë dhe i ftohtë, minierat e xeherorëve të hekurit janë gjaku i jetës së ekonomisë.
Në këto miniera në Kiruna përpunohen rreth 85 milionë tonë mineral hekuri në vit. Por kjo është një thikë me dy presa, sepse sa më shumë të prodhohet aq më shumë dëmtohet mjedisi përreth. Kjo është edhe një prej arsyeve kryesore se përse një numër i madh i banorëve të saj po zhvendosen në pjesën lindore të Kirunas, në një distancë më të sigurt dhe sa më larg minierave.
Kjo pjesë e Suedisë është duke kaluar një periudhë shumë të vështirë, sepse të gjitha ndërtesat që formojnë qytetin po zhvendosen, duke u çmontuar dhe duke u ringjitur sikur të ishin lego me të cilat luajnë fëmijët. Kjo është një ndër plagët më të rënda të këtij qyteti, prandaj ndërtimi i saunës në formë veze simbolizon një inkubator ku do të lindin ide të reja.
E mbuluar me fletë të shumta prej çeliku të larë me ar, veza pasqyron në mënyrë të përkryer dëborën, pyllin, qiellin dhe qytetin.