Inflacioni në muajin janar sipas matjeve që referohen nga Eurostat ishte 2.4 %. Ky nivel është më i lartë se matjet kombëtare në të cilat u raportua se çmimet në janar u rriten me 1.9%.
Sias metodës së BE, rritja më e madhe e çmimeve prej 5,4 %, vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,9 %, “Argëtim dhe kulturë”, me 1,8 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,5 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,4 %, etj.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,6 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” me 0,5 % secili.
Në muajin Janar 2019, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 2,3 %.
Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 6,5 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili. Ndërsa, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,7 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 0,4 % dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,2 %.
Për të ndihmuar në hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.