“Sipërmarrjet sociale janë mjeti më i mirë për ritrajtimin e pronave të konfiskuara nga aktiviteti kriminal”

20/07/2018 10:07 PM 0 komente

Flet drejtori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, z. Artur Kala

 

Kreu i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Artur Kala, tregon për “Monitor” hapat ligjorë që ndiqen nga sekuestrimi i një pasurie që rrjedh nga aktivitetet kriminale e deri te konfiskimi, administrimi nga Agjencia e më pas, problematikat me shitjen e mundshme të saj. Z. Kala flet edhe për projektet që institucioni të cilin drejton ka në portofolin e tij, si dhe nismën e projektit “C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale”, biznesi i parë në kuadër të të cilit nisi aktivitetin më 9 korrik…

 

Cili është objekti i punës për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara (AAPSK) dhe ndryshimi mes një prone të sekuestruar me atë të konfiskuar? Çfarë ndryshimesh solli Ligji Antimafia?

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka për objekt kryesor të veprimtarisë administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara me vendim të gjykatës, në zbatim të Ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”; b) administrimin e pasurive të bllokuara, të sekuestruara, në zbatim të Ligjit nr. 9258, i 15 korrikut 2004 “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, (i ndryshuar me Ligjin nr. 157/2013 “Për masat kundër financimit të terrorizmit”); c) administrimin e pasurive të tjera, të cilat janë produkt i veprave penale apo të lidhura me to, administrimi i të cilave i caktohet kësaj Agjencie me ligj, me vendim të Këshillit të Ministrave apo me urdhër të veçantë të ministrit të Financave.

Dallimi mes fazës së sekuestrimit dhe asaj të konfiskimit, sipas ligjit, qëndron në atë që sekuestrimi është një masë e përkohshme, me anë të së cilës pronarit i hiqet posedimi, e rrjedhimisht edhe përfitimet që mund të prodhojë pasuria, por nuk i hiqet pronësia mbi të. Sipas ligjit, kjo masë vendoset për një periudhë 6-mujore, por mund të zgjatet. Ndërsa konfiskimi është një masë përfundimtare dhe i heq pronarit të drejtën e pronësisë mbi pasurinë në fjalë dhe ia kalon atë shtetit.

Hapat proceduralë janë të përcaktuar në Ligjin 10192/2009 (i njohur ndryshe dhe si Ligji Antimafia), në nenet përkatëse dhe nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me punën e Agjencisë. AAPSK-ja “hyn në lojë” që nga momenti i daljes së vendimit të parë për sekuestrim e deri në vendimin përfundimtar të konfiskimit. I gjithë ky proces zgjat minimalisht dy vjet, por arrin deri në tre. Në ndryshimet e ligjit 10192, Ligji Antimafia (70, 2017) janë pasqyruar të gjitha problematikat që ka hasur AAPSK gjatë kësaj periudhe deri më tani, që nga marrja në dorëzim e pasurisë, administrimi, tjetërsimi dhe deri te fondi i posaçëm dhe kompensimi i viktimave të trafikimit.

Si vijon të jetë raporti pronë e sekuestruar me atë të konfiskuar?

Në konfiskim shkojnë rreth 35% deri 40% e pronave të sekuestruara në mbyllje të procesit, një tregues që dëmton AAPSK në treguesit e saj dhe rritjen e eficencës, pasi revokimi i një numri të madh pasurish nga Gjykata shkakton kosto për AAPSK. Reforma në Drejtësi po sjell përmirësim në këtë drejtim, krejt të dukshëm sidomos këtë vit, duke qenë se kemi më tepër asete të sekuestruara dhe të konfiskuara krahasuar me vitet paraardhëse.

Çfarë problematikash hasni në rishitjen e pronave? Çfarë synon të sjellë projekti C.A.U.S.E në drejtim të ritrajtimit të pronave të konfiskuara?

Problematikat në shitjen e pronave të konfiskuara lidhen me frikën për të blerë një pasuri me origjinë nga krimi i organizuar, frikën e tyre sidomos në qytetet e vogla që të gjithë njihen me njëri-tjetrin, për të investuar e për të blerë një pronë të vendosur në mënyrë të paligjshme. Në rastin konkret, janë realizuar dy ankande me 11 pasuri nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, por nuk është shitur asnjë pronë. Ne si Agjenci, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese, jemi optimistë që Reforma në Drejtësi do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në përmirësimin e këtij kuadri, efektet e para të të cilit janë ndier që në fillim të këtij viti. Agjencia ka 12 projekte që po planifikon dhe që ka nisur disa të zbatojë.

Më i fundit është projekti C.A.U.S.E, si zbatim i një modeli italian që konsiston në krijimin e bizneseve sociale nga prona të marra grupeve kriminale. Ky është ndër projektet më të rëndësishme, është i pari dhe në Ballkan me fonde të BE-së dhe ne si Agjenci jemi përkrah Partners Albania, që ta çojmë atë deri në fund. Janë tre pasuri që nga njësitë tregtare: ndërtesë në Lushnjë, njësi tregtare në Fier dhe një objekt banimi në Sarandë, që janë vënë në dispozicion të këtij projekti. Pritet që të merret miratimi edhe për një tjetër pronë të konfiskuar në Durrës. Suksesi i parë, aktiviteti i një pastiçerie në Fier na bën pozitivë që ky projekt do të vijojë të jetë i suksesshëm.
Synimi është që këto pasuri, ashtu siç e parashikon dhe ligji të shkojnë te komuniteti, në shërbim të punësimit dhe integrimit të viktimave të krimit, nëpërmjet ngritjes së bizneseve sociale.

Sa prona ka aktualisht Agjencia juaj për pasuritë e sekuestruara/konfiskuara deri tani? Sa është vlera e tyre?

Agjencia disponon një material të plotë për çdo pasuri të sekuestruar dhe të konfiskuar, me gjithë informacionin e duhur, për sa i përket: vlerës dhe interesave të llogarive bankare; sipërfaqes, vendndodhjes dhe një vlerësimi paraprak për tokat dhe objektet; vlerësim për pasuritë e luajtshme; vlerësim për bizneset dhe administrimin e tyre.

AAPSK-ja raporton një herë në tre muaj në mbledhjen e Komitetit Këshillimor Ndërinstitucional të Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar me kryetar zv.ministrin e Financave dhe anëtarë nga institucionet që bashkëveprojnë në luftën kundër krimit të organizuar, si policia, prokuroria, gjykata etj., si dhe i raporton një herë në vit ministrit të Financave.
Në këto raporte përfshihet aktiviteti i AAPSK-së, pasuritë nën administrim, të ardhurat dhe shpenzimet dhe problemet me të cilat ndeshet Agjencia, si dhe propozimet konkrete për zgjidhjen e tyre. Aktualisht, AAPSK-ja ka në administrim rreth 263 pasuri të sekuestruara dhe të konfiskuara, me vlerë rreth 30 milionë euro.

Sa janë përfitimet e shtetit pas shitjes?

Të gjitha përfitimet nga konfiskimi kalojnë në buxhetin e shtetit nga ku, një pjesë e tyre përdoret për financimin e projekteve të ndryshme të institucioneve që kanë lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, nga pushteti lokal, si dhe organizatat jofitimprurëse që merren me trajtimin e viktimave të krimit të organizuar. Të gjitha këto financime realizohen me urdhër të ministrit të Financave, në bazë të propozimit të Komitetit Këshillimor Ndërinstitucional të Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of