Në raport me 2013-n, fitimet e sistemit banker pothuajse janë dyfishuar.
Tre janë arsyet kryesore të përmirësimit të ndjeshëm të rezultatit financiar të vitit banker, i cili pas 2008-s kishte parë një rënie të ndjeshme të fitimeve, si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve për provigjionime (shpenzimet që bankat lënë mënjanë për mbulimin e kredive me problem).
Së pari, të ardhurat neto nga interesat u rritën me 5 miliardë lekë, apo 12% me bazë vjetore në 2014-n. Ulja e interesave të depozitave me ritme më të larta se të kredive, i ka ndihmuar bankar të përmirësojnë ndjeshëm këtë tregues, pavarësish tendencës rënëse të interesave. http://www.monitor.al/pa-efekt-politika-lehtesuese-monetare-interesat-e-kredise-ne-leke-rriten-ne-janar-huaja-bie/.
Së dyti, shpenzimet për provigjione kanë ardhur në rënie në 2014-n, duke u reduktuar me 4.2 miliardë lekë, apo 57%. Shpenzimet e larta për provigjionime kishin parë një rritje të shpejtë që nga fundi i vitit 2008, kur sistemi bankar filloi të përballej me një rritje të shpejtë të huave me problem, duke gërryer fitimet e bankave. Kreditë me probleme arritën në 22.8% në fund të dhjetorit 2014, në krahasim me 23.22% që ishte ky tregues në fund të 2013-s.
Së treti, sistemi bankar ka raportuar të ardhura të jashtëzakonshme prej 1.5 miliardë lekë, si rrjedhojë e shitjes së pasurive të paluajtshme të lënë peng, nga një humbje prej rreth 780 milionë lekësh që ishte ky tregues një vit më parë.
Ndonëse fitimi i sistemit bankar ka rezultuar i lartë, një pjesë e mirë e këtij fitimi është fiktiv, sipas ekspertëve bankarë, pasi në këtë fundvit një pjesë jo e vogël e bankave bënë “ulje të portofolit të kredisë së keqe” duke marrë kolateralet e lëna nga kredimaresit si garanci të kredive. Në kontabilitet kjo është reflektuar si “ulje e provogjoneve” dhe futje e tyre në “të ardhura” dhe nga ana tjetër aseti i kolateralit kalsifikohet si “reposesed asset” me vlerën të cilën kishte kredia (ose me një ulje në varësi të faktit nëse banka e merr në ankandin e parë apo në atë të dytë).
Si rrjedhojë, banka bën fitim me “kthim te provigjoneve” dhe ka në asetet e saj një aset që nuk do ta ketë dhe për më tepër me shumë gjasa nuk e ka vlerën aq sa e ka shkruar Banka.
Bankan e Shqipërisë ka filluar të kërkojë që Bankat t’i fillojnë t’i amortizojne këto asete me 20% në vit tani se fundmi, pasi është e bindur që në vlerësimet e tyre ka fiktivitet vlere.
Ekspertët bankarë pohojnë se si shifra e fitimit të vitit ashtu edhe ajo e uljes së kredive me probleme duhet të merren me shumë rezervë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.