Sjellja e konsumatorëve shqiptarë nuk është më ajo e viteve ’90. Edlira Xhemali, CEO e Toptani Shopping Center thotë se sot klientët kanë zgjedhur të jenë më kualitativë në plotësimin e nevojave të tyre, më të sigurt në shpenzimet që bëjnë, duke iu larguar kështu tregut informal, si dhe duke qenë më afër trendeve apo niveleve bashkëkohore të modës.
Edhe lëvizja e lirë në tregjet europiane i ka bërë ata të lidhen më shumë me markat.
Intervistë me Edlira Xhemali, CEO e Toptani Shopping Center
Si ka qenë ecuria e qendrës që nga hapja e saj pak muaj më parë?
“Toptani Shopping Center” është konceptuar dhe realizuar si alternativa ideale që mungonte në tregun e retail për të gjithë investitorët dhe kompanitë eksperte të kësaj fushe, por njëkohësisht duke krijuar kushte komode edhe për sektorin e shërbimeve. Qendra jonë ofron standardet më të larta në shërbime dhe në detaje arkitektonike për klientët, dhe në brendësi të saj janë përshtatur shumë këndshëm markat e mirënjohura internacionale, të cilat u drejtohen të gjitha niveleve të klientelës së tregut në Shqipëri. Interesi ka qenë i lartë që në fazën e projektimit dhe vazhdon të rritet.
Pozicioni i saj në zemër të kryeqytetit na favorizon në përfitimin e një trafiku të lartë të vizitorëve shqiptarë dhe të huaj duke e çuar kështu në një nivel të ri numrin ditor të tyre në një qendër tregtare, e cila arrihet fare thjesht në këmbë, por edhe me automjete.
Sa për qind e sipërfaqes së disponueshme (ose dyqaneve) për t’u dhënë me qira janë dhënë aktualisht me qira dhe sa varion çmimi i qirasë?
Kjo është një qendër tregtare e projektuar për qiramarrësit: një hapësirë fluide, funksionale, që garanton ndikim të fortë, e pozicionuar mjaft mirë në kate, duke siguruar një fluks të madh të konsumatorëve dhe më shumë lehtësi në lëvizje.
“Toptani Shopping Center” ofron sipërfaqe fleksibël duke siguruar hapësirë të përshtatshme për nevojat specifike të bizneseve dhe markave të interesuara.
Si qendra më e re tregtare në Tiranë, ne kemi tërhequr marka internacionale që realizuan hapjet e tyre të para në Shqipëri, duke arritur në një total qiradhënie përtej pritshmërive, dhe sigurisht duke krijuar një standard të caktuar me partnerë seriozë, profesionalë, të cilët i përshtaten më së miri objektivave dhe ambicies së Toptanit.
Çmimi i qirasë ‘dizenjohet’ për palët e interesuara në varësi të një analize të gjerë dhe profesionale, duke konsideruar të gjithë faktorët e ndërtimit të një marrëdhënie biznesi kundrejt objektivave tanë, siç mund të jetë marka (rëndësia e saj dhe target grupi që përfaqëson), në varësi të sipërfaqes optimale për këta partnerë (në m2), në varësi të planit të mëtejshëm të zhvillimit të qendrës dhe sidomos të marrëdhënies së partneritetit të shëndoshë afatgjatë midis qendrës dhe partnerëve të biznesit.
Në zonën e kryeqytetit është rritur ndjeshëm sipërfaqja e qendrave tregtare vitet e fundit, ndërkohë që rritja e konsumit vijon të jetë minimale (rreth 2% me bazë vjetore në tremujorin e parë 2017, sipas INSTAT). Sa fizibël e vlerësoni aktivitetin e qendrës dhe kur pritet të filloni të dilni me fitim?
Qendra Toptani është bazuar në studimin paraprak shumëprofesional të tregut, njohjen nga afër të kërkesës së këtij tregu, si dhe target-grupeve të cilave do t’iu drejtohej me një investim të këtij niveli. Aktualisht jemi pozicionuar mirë kundrejt pritshmërive dhe objektivave tona, çka na bën të mendojmë se çdo parashikim apo planifikim është bërë me baza reale të mirë analizuara.
Tregu në Shqipëri ka njohur një kualifikim të ndjeshëm vitet e fundit në kërkesën e tij dhe kjo ka bërë që të lindë nevoja e këtyre subjekteve, të cilat e kanë rimodeluar këtë treg, duke iu përshtatur standardeve ndërkombëtare. Sot klientët kanë zgjedhur të jenë më kualitativë në plotësimin e nevojave të tyre, më të sigurt në shpenzimet që bëjnë, duke iu larguar kështu tregut informal, si dhe duke qenë më afër trendeve apo niveleve bashkëkohore të modës.
Si do t’i vlerësoni tendencat e konsumit të shqiptarëve, si kanë ndryshuar ato vitet e fundit?
Konsumatorit shqiptar, pas viteve 90’, kohë pas kohe, iu ofrua një shumëllojshmëri shërbimesh dhe produktesh të huaja, me burime të ndryshme, por që gjithsesi kanë ndikuar në evoluimin gradual të sjelljes së tyre. Sot, mënyra e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve ka përparuar, infrastruktura tregtare është zhvilluar duke influencuar kulturën e blerësve shqiptarë në qendra tregtare. Në të njëjtën kohë, mundësia e zgjedhjeve është zgjeruar dhe informacioni mbi produktet është shumë më i plotë dhe i hollësishëm, duke i bërë konsumatorët më përgjegjës dhe selektivë.
Lëvizja e lirë nëpër tregjet europiane, lëvizjet e mëdha demografike, evoluimi socio – ekonomik, ndikimi global kulturor, ka bërë që, në ditët e sotme, konsumatorët shqiptarë të orientohen drejt një lidhjeje të thellë me markat (te produktet ushqimore, elektronike, veshjet, automjetet etj.), duke i pasur pjesë të përditshmërisë së tyre.
Gjithsesi, në çdo rast, ata janë në kërkim të raportit cilësi – çmim, pasi gjithmonë duhet konsideruar faktori ekonomik si tregues direkt i qasjes mbi markat me llojshmërinë që ato ofrojnë. Jetojmë në kohën e rrjeteve sociale ku informacioni shpërndahet shumë lehtësisht, marketimi është më i drejtpërdrejtë dhe simbolet e artit ndërkombëtar tashmë janë përfaqësuesit kryesorë të markave, duke i bërë kështu konsumatorët shqiptarë njohës të mirë të markave, si dhe më të orientuar ndaj specifikave të tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.