Çfarë e nervozon më shumë një person të Burimeve Njerëzore? Dhe çfarë e bën një kandidat të largohet gjatë një interviste pune?
Le t’i lëmë mënjanë për një moment zgjidhjet më të përparuara teknologjike (për shembull Inteligjencën Artificiale) që sot përdoren në rekrutimin e personelit dhe të përqendrohemi te faktorët që përcaktojnë një rezultat të mirë (ose të keq) në një intervistë pune. A ka disa sjellje të cilat nuk tolerohen, si nga njëra palë, edhe nga tjetra?
Përgjigjja, natyrisht e qartë, është po. Nëse kandidati, në një intervistë pune, thirret që të paraqitet më së mirë, edhe përfaqësuesi i Burimeve Njerëzore duhet të sigurohet që pozicioni i punës i lirë të jetë i vlefshëm dhe i denjë për t’u marrë në konsideratë nga personi përballë. Kërkimi dhe mbajtja e talenteve, si dhe mundësia për t’u rritur profesionalisht, me fjalë të tjera, nis nga shmangia e gabimeve banale, por të pafalshme në këtë moment delikat, pra duhet të përballohet duke qenë të përgatitur siç duhet.
Një kërkim i fundit nga InfoJobs, i zhvilluar nga shtatori, intervistoi 170 persona të Burimeve Njerëzore dhe 4700 kandidatë të regjistruar në platformë, në nivel kombëtar, për vende të lira pune. Studimi gjeti sjelljet që duhen shmangur në një interviste pune, duke krijuar një “Black list” (listë të zezë). Nga ana e kompanive, 63% e kampionit të intervistuar nuk i sheh me sy të mirë kandidatët me një sjellje të pahijshme ose të dyshimtë, duke qenë një nga arsyet e para për të mos i marrë në konsideratë.
Edhe hedhja e fajit të tjerëve për të justifikuar mosarritjen e suksesit profesional apo incidentet në punë (e shprehur në 52% të rasteve është reflektim i mungesës së vetëvlerësimit dhe vetëkritikës) është pak e tolerueshme; po ashtu edhe mbërritja me vonesë (evidentohet nga 39% e të intervistuarve të Burimeve Njerëzore) edhe në rastin kur ka një arsye të fortë. Ju duhet të shmangni të flisni keq për drejtuesin tuaj të mëparshëm dhe ish-kolegët, të shfaqni sjellje pak miqësore (t’i drejtoheni personit përballë me “ti”) dhe të përdorni një fjalor të papërshtatshëm në kontekstin në fjalë.
Në fund, por për të mos u nënvlerësuar (edhe pse përmendur nga një përqindje e vogël të intervistuarish të Burimeve njerëzore) ju nuk duhet ta shmangni t’u përgjigjeni pyetjeve, kështu do të krijoni përshtypjen se nuk keni një përgjigje të përshtatshme dhe se nuk jeni i përgatitur siç duhet; apo të jepni më shumë informacion sesa duhet, që mund të shpërqendrojë vëmendjen nga pikat me të vërtetë më të rëndësishme.
Nga pikëpamja e kandidatëve, në vend të parë të listës së sjelljeve më pak të pranuara është dhënia e pak informacioni rreth kompanisë dhe të qenët pak të qartë mbi vendin e lirë të punës. Këtë e mendojnë 40% e të intervistuarve, 40% nuk e toleron dot faktin që bashkëbiseduesi i shikon “nga lart poshtë” , kurse 35% se kanë përballë një bashkëbisedues që shikon celularin.
Burimi: Il Sole 24 Ore