Flet Entela Çipa, Këshilltare për Energjinë e ministrit për Infrastrukturën dhe Energjinë
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të qartë se nuk do të ketë më shtyrje për daljen e biznesit në treg të lirë, duke siguruar vetë energjinë që ju duhet për konsum. Këshilltarja për energjinë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Entela Çipa, tha për “Monitor” se afatet kanë kaluar çdo parashikim ligjor dhe nga 1 janari 2018, bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt mbeten jashtë sistemit të rregulluar. Ajo sqaron hapat që duhet të ndjekin këto biznese, problemet teknike të hasura deri më tani dhe si do të vijohet hap pas hapi edhe me nxjerrjen në treg të kategorive të tjera të lidhura në 20 kv, 10 kv dhe mbi 0.6 kv.
Procesi i liberalizimit në tregun e energjisë është një proces që ka hasur disa vonesa dhe pavarësisht afateve që janë dhënë duket se nuk kemi dalje të operatorëve në treg të lirë. Së fundmi është bërë njoftimi ku thuhet se nga 1 janari, të paktën rreth 80 operatorë duhet të dalin ta sigurojnë vetë energjinë nga tregu?
Duhet të kemi parasysh që procesi i liberalizimit nuk është diçka e thjeshtë. Ashtu si ne, edhe vendeve të tjera në rajon që janë më të përparuara, u janë dashur tre vite për ta zbatuar. Por le ta nisim nga fillimi me këtë proces. Gjithçka nisi me miratimin e ligjit për sektorin e energjisë elektrike në vitin 2015, ku ligji përcaktonte skenarët për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, duke nisur me një plan konkret për konsumatorët e lidhur në tension të mesëm.
Sipas përcaktimit, këta konsumatorë ishin të parët në tregun e liberalizuar. Ligji përcaktonte një afat njëvjeçar për aktet ligjore dhe nënligjore për liberalizimin dhe daljen në treg të konsumatorëve. Pas miratimit, ministria bëri përgatitjen e akteve nënligjore që gjatë vitit 2016 u miratuan pas një procesi të gjatë konsultues me grupet e interesit.
Aktet më të rëndësishme ishin ato për furnizimin publik, furnizimin e mundësisë së fundit dhe modelin e tregut që përcaktonte rolet dhe funksionet e gjithë aktorëve në treg, bazuar në ligjin e ri për sektorin. Në të njëjtën kohë, paralelisht, përveç bazës ligjore nevojitej dhe ana tekniko-financiare. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duhet të përgatitej për bërjen të mundur në aspektin teknik të krijimit të kushteve për sa i takon matjes. Pasi duhet që subjektet që dalin në treg të lirë të kenë një matje online që të bëjë të mundur transmetimin e të dhënave në kohë reale.
Ky proces i gjithi do të mbështetej në kuadër të marrëveshjes me Bankën Botërore për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë. Është ajo marrëveshje huaje dhënë OSHEE dhe që kishte si një nga komponentët përfshirës të saj edhe atë të matjes për kompaninë e shpërndarjes për të bërë të mundur daljen në treg të këtyre konsumatorëve. Duke qenë se është një proces i kushtueshëm dhe që kërkon kohë për të plotësuar këtë detyrim ligjor, OSHEE nisi instalimin e matjes “smart” vetëm për 35 kilovolt dhe ndërkohë gjatë këtij viti është përfunduar procedura e prokurimit për konsumatorët të lidhur në 20 kv, 10 kv dhe 6 kv për të përmbushur këtë detyrim ligjor. Pas mbylljes së procedurës u vijua me lidhjen e kontratës për 80 konsumatorë. Procesi teknik përfundoi muajt e parë të vitit 2017.
Sot a jemi gati që operatorët të dalin në treg të lirë, flasim gjithmonë për ata që janë të lidhur në 35 kilovolt? Janë kaluar hallkat e tjera të informimit dhe konsultimit me biznesin?
Në fakt, ne jemi munduar që ta shoqërojmë procesin me dy aspekte. Përveç ndihmës teknike që i jepet biznesit për të kuptuar ciklin ku po hyn, jemi munduar që edhe ta qartësojmë duke i vënë në dispozicion informacion. OSHEE njoftoi ministrinë për përfundimin e instalimit të matësve në muajt e parë të vitit sikurse e thamë, por këta të fundit ishin në një fazë testimi me Operatorin e Sistemit të Transmetimit. Për këtë qëllim, nga ana e ministrisë është vijuar me hapat e tjerë. Në funksion të njoftimit të konsumatorëve që duhet të dilnin në treg të lirë dhe të informimit të tyre mbi procesin janë zhvilluar disa takime me fokus-grupet e interesit, klientë që do dilnin në treg. Takimet kanë qenë si në nivel të lartë politik me shoqatat dhe bizneset, ashtu dhe në nivel teknik me OSHEE, por edhe me rregullatorin. Nga ana e OSHEE-së u ngarkua një njësi e veçantë që do mblidhte të dhëna për klientët, që të sigurohej zgjidhja e problemeve dhe baza e të dhënave dhe që në takimet e para u vu re paqartësi rreth procesit dhe pasiguri për mënyrën sesi do operonin në këtë treg të pavarur.
Ndërkohë që nga ana e rregullatorit u punua gjatë këtij viti dhe janë përmbyllur në zbatim të ligjit të ri rregulloret përkatëse për ndryshimin e furnizuesit, përcaktimi i furnizuesit të mundësisë së fundit. Ligji lë hapësirë për klientët që nuk sigurojnë një kontratë furnizimi nga një operator i pavarur në çdo rast të bëhet i mundur furnizimi nga ana e OSHEE-së në cilësinë e mundësisë së fundit për dy muaj, për të garantuar këtë proces ka një sërë aktesh rregullatore. Këto akte lidhen me përcaktimin e furnizuesit, tarifës, por jo si universal, por si mundësi e fundit. Duhet të kemi parasysh që furnizuesi universal ka tarifë tjetër dhe ai i mundësisë së fundit tjetër që reflekton kostot reale, sepse njoftimi bëhet në momentin e fundit.
Kompania që duket se do të përballet me procesin është OSHEE, sa i ka kapacitetet për ta përballuar këtë situatë në kushtet kur edhe vetë ajo është në proces ndarjeje sipas kërkesave ligjore? Çfarë problematikash janë ngritur?
Kompania e shpërndarjes ka qenë prezente në gjithë takimet e bëra me biznesin dhe ka një njësi të specializuar që po ndjek këtë çështje. Në parim problemi dhe shqetësimi i tyre kyç ka të bëjë me pjesën e arkëtimeve që është një problem i trashëguar. Kjo do të thotë që për subjektet që janë në treg të lirë, të ketë mekanizma që i bëjnë ata të përgjegjshëm për detyrimet që kanë ndaj palëve me të cilat nuk janë më të lidhura direkt siç mund të jetë OSHEE. Për sa i takon kësaj pjese të debitorëve, ministria edhe nga takimet me OSHEE dhe rregullatorin vendosi që të shihen mundësitë për zgjidhje të problematikës, duke bërë të mundur daljen në treg të subjekteve, si dhe njohjen e aktmarrëveshjeve si një instrument për respektimin e kushteve nga klientët që dalin dhe të drejtën e OSHEE që, në rast të mos përmbushjes së detyrimeve t’iu ndërpritet energjia elektrike.
Cilat janë problemet që kanë bizneset në këndvështrimin tuaj, problematikat që ata ngrenë në takimet e organizuara me këtë fokus?
Kanë paqartësi ligjore për mënyrën sesi do të operohet, me kë do kenë marrëdhënie apo në mënyrë konceptuale për çfarë do të shërbejë shpërndarja, sepse në fakt, marrëdhënia do të jetë vetëm me shpërndarjen, edhe pas ndarjes së OSHEE sikurse parashikon kuadri. Një tjetër element që ne e kemi qartësuar vazhdimisht, por që ende nuk kuptohet qartë ka të bëjë me njohjen e procesit të kontraktimit të energjisë, sepse nuk e kanë të qartë si funksionon kontraktimi. Në fund, problem kryesor mbetet çmimi dhe cilësia si dhe kush do jetë përgjegjës për ndërprerjet dhe defektet.
Ndërkohë që nga ne është bërë e ditur që kjo marrëdhënie edhe me OSHEE, i cili në këtë rast nënshkruan një kontratë tip me furnizuesin për sigurimin e aksesit në rrjetin e shpërndarjes dhe të gjitha penalitetet në rast të shkëputjes janë karshi tregtarit. Duhet të kemi parasysh që këto janë marrëdhënie ligjore dhe s’mund të ketë abuzime. Në rastet e ndërprerjeve duhet të lajmërohen të gjitha hallkat, që do të thotë furnizuesi njofton dhe më pas operatori i tregut bën ndërprerjet. Në këtë rast, furnizuesi do të ketë tre marrëveshje aktive në treg. Një marrëveshje me OST për pjesën që i takon këtij operatori, një me OSHEE, për shpërndarjen dhe një me biznesin që është në treg të lirë dhe që ka kontraktuar sasinë e energjisë.
Listës së bizneseve që furnizohen në 35 kilovot apo 20 kilovolt a do t’i shtohen edhe ndërmarrjet e tjera publike, që sipas tensionit ku janë lidhur mund të kontraktonin vetë energjinë. Për shembull, ujësjellësit për të cilët pati një ide fillimisht?
Për sa u takon klientëve të tjerë jobuxhetorë që i konsiderojnë si parësorë dhe me rëndësi kombëtare si spitalet, ujësjellësit dhe institucionet shtetërore të dënimeve penale dhe me një ndryshim tek vendimi i shërbimit publik, furnizimi i tyre do të konsiderohet shërbim publik dhe do të vijojë të bëhet nga OSHEE. Këto janë institucione që kanë rëndësi kombëtare dhe në rast pamundësie pagese, një furnizues privat mund të ndërpresë marrëveshjen çka do të cenonte sigurinë.
Kur janë parashikuar afatet e reja të mbylljes së këtij procesi, pra të daljes në treg të lirë të operatorëve të lidhur në 35 kilovolt e me radhë?
Më 1 nëntor është bërë një njoftim për të gjithë klientët që janë të lidhur në 35 kilovolt që nga 1 janari, shkëputja bëhet efektive. Ka qenë pikërisht OSHEE që ka bërë njoftimin për të gjithë subjektet, duke ju bërë të qartë se duhet të fillojnë procedurat e kontraktimit të energjisë vetëm. Nga ana tjetër, po punohet për sistemin e matjes për bizneset e lidhura në 20, 10, 6 kilovolt në kuadër të marrëveshjes me Bankën Botërore që besojmë së do përfundojë brenda 2018. Me të përfunduar ky proces do vazhdohet me nxjerrjen graduale në treg edhe të këtyre bizneseve. Pa plotësuar këtë kusht teknik është e pamundur dalja në treg e tyre. Është një proces që kërkon kohë, investime, që duhen të bëhen të balancuara për të garantuar edhe një qëndrueshmëri financiare të kompanisë së shpërndarjes, pa u rënduar tarifave të konsumatorëve familjarë.
Marrim një rast hipotetik që një biznes mori sot njoftimin që nga 1 janari, energjinë nuk ia siguron më OSHEE, por duhet ta gjejë i vetëm. Cilat janë hapat që duhet të ndjekë?
Atëherë duke qenë se lajmërimi është bërë që më 1 nëntor që biznesi duhet të dalë nga furnizimi përmes OSHEE, hapi i tij i radhës duhet të jetë kontakti me tregtarët e licencuar nga ana e Entit Rregullator të Energjisë. Ky ent ka edhe regjistrin ashtu sikurse i njëjti informacion mund t’i kërkohet edhe OSHEE-së. Nuk janë pak në treg, janë rreth 80 apo 90 por nuk e mbaj mend saktësisht dhe biznesi i lidhur në 35 kilovolt mund të marrë disa oferta nga secili prej tyre dhe të lidhë një kontratë sipas asaj që sheh të arsyeshme.
Është për t’u vlerësuar fakti që ky treg ka një lloj maturie, sepse eksperienca e disa prej kompanive është 6-vjeçare dhe operojnë me klientë të lidhur në tension të lartë që shkon 100 kilovolt dhe që kanë dalë në treg në vitin 2011. Tregtari është ai që ble energjinë qoftë nga prodhues në vend, qoftë nga të huaj, dhe ia kalon këtë biznesit. Kjo është një mundësi shumë e mirë për prodhuesit me përparësi, pasi nëse arrijnë të lidhin kontrata afatgjata, kanë hapësira për të siguruar të ardhura të qëndrueshme. Për klientë të mëdhenj bëhet fjalë që hidrocentralet me fuqi të instaluar mbi 5 megavat, të kenë leverdi për kontratën e qëndrueshme, por edhe afatgjatë.
A keni një numër të saktë të bizneseve që u përkasin kategorive që do të dalin në treg të lirë gradualisht?
Ne kemi të dhënat tona zyrtare, por që duhet të kemi parasysh që bizneset janë dinamike dhe mund të ketë ndryshime. Gjithsesi tek kategoria e bizneseve të lidhura në 35 kilovolt janë të regjistruar të paktën 75. Më pas klientë të lidhur në 20 kilovolt janë rreth 1100 dhe të lidhur në 10 dhe 6 kilovolt së bashku janë të paktën 6600.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.