Skandalet e zbuluara kanë nxjerrë në dritë boshllëqet e shumta të regjimin kundër pastrimit të parave të BE-së
Një tregtar veshjesh, një furnizues materialesh ndërtimi dhe dy importues frutash dhe perimesh janë akuzuar për pastrimin e qindra miliona eurove nëpërmjet llogarive të tyre me ING, një bankë e madhe holandeze, midis periudhës 2010 dhe 2015. Llogaritë e saj u përdorën edhe nga kompania e telekomunikacionit, VimpelCom (tani VEON), e cila pagoi 55 milionë dollarë amerikanë në formë ryshfeti për të vepruar në Uzbekistan (firma i pranoi akuzat dhe arriti një zgjidhje të veçantë me autoritetet holandeze dhe amerikane në vitin 2016), shkruan The Economist.
Banka ING nuk është treguar e kujdesshme për shkak të “mangësive serioze dhe të përsëritura” në qasjen e saj ndaj rregullave kundër pastrimit të parave, shprehen prokurorët holandezë. Më 4 shtator ata e dënuan atë me një gjobë prej 775 milionë eurosh (900 milionë dollarë amerikanë). Ajo i ka pranuar akuzat dhe është shprehur se do të shkurtojë edhe punonjës të niveleve të larta, në rast se ata nuk kanë vepruar sipas standardeve të caktuara.
ING nuk është huadhënësi i vetëm në qendër të një skandali të tillë në lidhje me pastrimin e parave. Më 4 shtator, Financial Times publikoi se sipas një hetimi të pavarur, Danske Bank, huadhënësi më i madh i Danimarkës, kishte pranuar se 30 miliardë dollarë para nga Rusia dhe vende të tjera ish-sovjetike ishin depozituar në degën estoneze në vitin 2013.
Sipas një hetimi më të hershëm, të kryer nga Berlingske, një gazetë daneze, banka u akuzua se kishte lejuar kalimin e 8.2 miliardë dollarë parash të dyshimta nga njëra degë e saj në tjetrën, për një periudhë nëntëvjeçare. Banka tani është duke kryer hetimet e veta, por edhe autoritetet përkatëse në Estoni dhe Danimarkë kanë filluar hetimet penale.
Megjithëse rregullatorët në Estoni gjetën në 2014 se dega e bankës Danske në Estoni kishte shkelur rregullat kundër pastrimit të parave dhe se në degën Danske në Danimarkë ishin vënë në dukje “mangësi serioze në qeverisjen e bankës”, asnjëra prej tyre ende nuk është gjobitur. Zbulimet e saj do të publikohen në fund të këtij muaji, pesë vjet pas sinjalizimit të parë.
Shembujt e mësipërm i rrisin shqetësimet rreth mbrojtjes së Europës kundër pastrimit të parave. Në vitin 2012, anëtarët e Eurozonës ranë dakord t’i dorëzojnë mbikëqyrjen e disa prej bankave më të mëdha nga Banka Qendrore Europiane. Por autoritetet kombëtare ende mbikëqyrin pajtueshmërinë me rregullat kundër pastrimit të parave dhe financimit të luftës kundër terrorizmit.
Pastruesit e parave targetojnë shtetet ku mbrojtjet janë të dobëta, thotë Bill Browder, shefi ekzekutiv i Hermitage Capital Management, një fond investimi. Ai është një kritik i njohur i qeverisë ruse dhe ishte pikërisht ankesa e tij ndaj autoriteteve estoneze që çoi në hapjen e një hetimi ndaj Danske. Edhe bankat në Qipro, Letoni dhe Lituani janë përballur me akuza.
Në korrik, Autoriteti Bankar Europian (EBA) zbuloi mangësi në mbikëqyrjen e Maltës ndaj Pilatus Bank, një huadhënësi që ishte në qendër të akuzave për pastrim parash. Autoritetet malteze shprehën “rezerva serioze” për zbulimet e EBA-s. Banka, asetet e së cilës u ngrinë në mars të këtij viti pasi drejtori i saj u arrestua në Amerikë për shkelje të sanksioneve kundër Iranit, i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij. Shtetet e vogla me më shumë sektorë bankarë sesa duhet, mendohet të jenë veçanërisht të pambrojtura.
Atyre mund t’u mungojnë paratë ose dëshira për të monitoruar dhe për të hetuar. Rregullatorët nuk mund të jenë plotësisht të pavarur, thotë Panicos Demetriades, ish-Guvernator i Bankës Qendrore të Qipros. Disa agjenci të zbatimit të ligjit e konsiderojnë pastrimin e parave si një krim pa viktima dhe prandaj i kushtojnë atij shumë pak rëndësi, shprehet z. Browder, i cili kritikon Britaninë në veçanti. Amerikanët janë më bindës dhe kanë një ndikim global.
ABLV, një nga bankat më të mëdha të Letonisë, falimentoi në qershor të këtij viti, pasi Thesari i Shtetit, e cilësoi atë një “shqetësim parësor ndaj pastrimit të parave” dhe i paralajmëroi institucionet e tjera financiare që të mos merreshin më me të. Rregullat kundër pastrimit të parave në Bashkimin Europian janë shtrënguar edhe më shumë gjatë këtij viti. Një tjetër rishikim është në proces e sipër. Një raport mbi përmirësimin e mbikëqyrjes, i përgatitur nga autoritetet e BE-së, është dërguar te shtetet anëtare, ku një nga propozimet përfshin një organ të centralizuar kundër pastrimit të parave.
Ideja ka pasur edhe mbështetjen e Danièle Nouy, shefes së mbikëqyrjes së BQE-së dhe Andrea Enria, kreu i EBA, që harmonizon rregullat mbikëqyrëse kombëtare në të gjithë BE-në. Shteteve që kanë lidhje të ngushta me Rusinë, nuk u mbetet gjë tjetër veçse ta hedhin së bashku këtë valle.