Për përdoruesit, pak rëndësi ka skandali Cambridge Analytica (shitja apo vjedhja e të dhënave) dhe vijojnë t’u qëndrojnë besnikë rrjetit të tyre social. Sipas një sondazhi online të Reuters – Ipsos, që ka intervistuar 2.194 persona të rritur, gjatë periudhës 26 – 30 prill, pjesa më e madhe e përdoruesve të Facebook në Shtetet e Bashkuara i qëndrojnë besnikë – pavarësisht skandalit të të dhënave që përfshiu Cambridge Analytica, kompaninë e diskutueshme për analiza dhe konsulencë politike, e cila përfundoi me një stuhi për shkak të shkeljes së privatësisë dhe abuzimit me të dhënat personale, duke mbyllur përfundimisht dyert.
Skandali ka hapur një debat dhe ka parë të nevojshme miratimin e rregullave të reja, veçanërisht në Europë, për të mbrojtur konsumatorët dhe gjithë universin e rrjeteve sociale dhe internetit, modeli i biznesit të të cilëve është nën akuzë, pasi kanë abuzuar me privatësinë e tyre.
Edhe Facebook ka pranuar se të dhënat e 87 milionë përdoruesve të vet janë shpërndarë në mënyrë të gabuar me Cambridge Analytica. Sipas sondazhit të Reuters – Ipsos në Amerikë, vetëm një e katërta e përdoruesve të rrjeteve sociale ka deklaruar se e ka përdorur atë më pak ose e ka mbyllur, ndërsa një një e katërt tjetër deklaron se pas skandalit, e përdor më shpesh Facebook.
Gjysma tjetër e të intervistuarve deklaruan se nuk e kanë ndryshuar përdorimin në rrjetin social. Megjithatë sondazhi është kufizuar vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe analistët janë në pritje të shohin se çfarë do të ndodhë me Facebook në tremujorin e dytë, kur skandali ishte në kulmin e tij.
Në tremujorin e parë, performanca e rrjeteve sociale është rritur me thuajse 50% me të të ardhurat që kanë arritur 4,5 miliardë dollarë, krahasuar me 3 miliardë dollarë vitin e kaluar.