“Monitor” sjell një pasqyrë të projektit të buxhetit 2011. Krahasimet me vitin 2010, pritshmëritë porsa i përket realizimit të të ardhurave, shpenzimeve e deficitit.
Tashmë që buxheti i vitit 2011 ka marrë votën përfundimtare nga parlamenti nuk mbetet gjë tjetër veçse të shohin se si do të zbatohet ai.
Në pamje të parë, ai është më realist në krahasim me projektin fillestar të buxhetit fillestar që u miratua për vitin 2010, i cili u rishikua ende pa filluar nga zbatimi i tij në janar.
Prekja e vendit nga kriza ekonomike e detyroi qeverinë të reduktonte pritshmërinë e saj për mbledhjen e të ardhurave. Në fakt, të ardhurat e pritshme për 2011-n prej rreth 362 miliardë lekë janë pothuajse sa të ardhurat që priteshin në buxhetin fillestar të 2010-s.
Të ardhurat
Të ardhurat në total pritet të kenë një rritje prej rreth 10% në krahasim më buxhetin e pritshëm të 2010-s, duke mbetur në nivelin e 27.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Të ardhurat tatimore e doganore pritet të kenë një rritje prej 11.5% në krahasim me vitin 2010, ku të gjitha zërat pritet të kenë një ecuri më të mirë në raport me një vit më parë.
Peshën kryesore pritet ta mbajnë përsëri taksat mbi konsumin (TVSH, akcizë), të cilat zënë rreth 70% të të ardhurave nga tatimet e doganat .
Shpenzimet
Shpenzimet në total parashikohet të rriten me rreth 10% në krahasim me vitin 2010. Peshën kryesore në rritjen e shpenzimeve e mbajnë ato kapitale , të cilat zënë rreth 80% të totalit të shpenzimeve të shtuara në buxhet.
Pas një tkurrjeje në vitin 2010, qeveria e zgjidh përsëri qesen, kryesisht për punët publike (grafiku 5), një dukuri mjaft e dukshme kjo në vitet kur ka zgjedhje elektorale (pritet që vitin e ardhshëm të mbahen zgjedhjet lokale).
Ndryshe nga Programi Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2011-2013 që parashikonte që në vitin 2010 shpenzimet buxhetore do të mbeteshin të ulëta (çka do të çonte në reduktimin si të deficitit buxhetor ashtu dhe borxhit publik),
ato u rishikuan sërish në rritje të ndjeshme në draftin e buxhetit 2011, që sapo u kalua nga parlamenti (nga 65 miliardë lekë në PBA në 82 miliardë lekë në projektin e vitit të ardhshëm, apo 6.1% e PBB-së).
Gjithsesi, rritja e këtyre shpenzimeve ka dhe anën e vet pozitive, porsa kohë ato përdoren për investime, që në fund të fundit gjenerojnë të ardhura dhe përmirësojnë cilësinë e infrastrukturës në vend.
Shpenzimet për interesa do të vijojnë të jenë të larta edhe përgjatë vitit që vjen, duke arritur në rreth 3.6% të PBB-së, nga 3.5% vitin e mëparshëm, nivel ky që është i njëjtë me deficitin buxhetor.
Deficiti
Parashikimi i niveleve të larta të shpenzimeve kapitale nuk e ka mundësuar qeverinë të reduktojë deficitin buxhetor nën nivelin e 3% të PBB-së, duke e lënë atë në 3.5% të PBB-së.
Kjo tendencë nga ana tjetër, nuk ka mundësuar reduktimin e borxhit publik, i cili edhe gjatë vitit të ardhshëm do të vijojë të mbetet në nivele të larta prej 60% të PBB-së
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.