Komisioni Europian ka publikuar raportin e tremujorit të tretë për vendet kandidate dhe potenciale kandidate.
Për Shqipërinë, raporti thekson se rritja e PBB-së reale ishte 4.1% me bazë vjetore, në krahasim me 4.0% në tremujorin e mëparshëm.
Kontributi ishte pozitiv nga të gjithë elementet e kërkesës së brendshme. Konsumi i individëve u përshpejtua në 2.3% dhe ai i qeverisë me 5.8%, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së pagave në mars.
Rritja e investimeve u përshpejtua në 14.3%, si rrjedhojë e investimeve të huaja nga ndërtimi i gazsjellësit TAP dhe hidrocentralit të Devollit. Eksportet neto kontribuuan pozitivisht, sidomos si rrjedhojë e shërbimeve që u zgjeruan me 22.0%, përfshirë turizmin dhe transportin. Eksporti i mallrave (+4.4%) u zgjerua për të tretin tremujor radhazi, duke konfirmuar rikthimin e trendit rritës, pas tre viteve rënie.
Në kahun e prodhimit, aktiviteti i ndërtimit shënoi rritjen më të lartë me 22.7% me bazë vjetore, duke reflektuar kulmin e aktivitetit të investimeve në sektorin e energjisë. Aktivitetet financiare dhe të sigurimeve (+10.6%) dhe përpunimi (+6.3%) kishin gjithashtu ecuri të fortë.
Të dhënat sugjerojnë se aktiviteti ekonomik ka vazhduar zgjerimin dhe në tremujorin e tretë, besimi i konsumatorëve është përmirësuar dhe ai i bizneseve mbetet në nivele të larta.
Tregu i punës ka pasur zhvillime të favorshme në tremujorin e dytë. Punësimi është rritur, ndërsa papunësia ra në 14.3% dhe papunësia tek të rinjtë zbriti me 3.4 pikë përqindje në 26.4%. Pagat u rritën me 11%, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së pagave në sektorin shtetëror.
Rritja e kredisë për ekonominë ishte negative që nga muaji prill (-0.2% me bazë vjetore në gusht), që është gjithsesi rrjedhojë e zhvlerësimit të monedhave të huaja ndaj lekut. I rregulluar për efektin e kursit të këmbimit, kredia për bizneset dhe konsumatorët u rrit përkatësisht me 2.0% dhe 7.5% me bazë vjetore. Rritja e ulët e kredisë reflekton pjesërisht rregullimin e kredive me probleme, përfshirë fshirjet nga bilanci.
Kredia me probleme ka vijuar tendencën ulëse, duke zbritur në 15.1% në gusht, nga 21.4% në gusht 2016. Sektori bankar në tërësi është i mirëkapitalizuar dhe ka një normë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.3% në fund të tremujorit të dytë 2017, me rritje prej 0.5 pikë përqindje me bazë tremujore dhe mbi nivelin minimal rregullator prej 12%.
Të ardhurat totale buxhetore u rritën me 6.7% me bazë vjetore për tetë muajt e vitit, mbi rritjen e planifikuar prej 4%. Të ardhurat nga tatimfitimi, taksat lokale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore patën ecuri të mirë. Borxhi publik (përfshirë garancitë) ra nga 68.4% e PBB-së së pritshme për 2017, në fund të marsit, në 66.9% në fund të qershorit.
Rajoni, kryesojnë Mali i Zi dhe Kosova
Për gjithë rajonin, raporti theksoi se performanca e rritjes u përmirësua në pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tremujorin e dytë 2017. Mali i Zi regjistroi rritjen më të fortë në 5.1% nga 3.2% në tremujorin e parë, e udhëhequr gjerësisht nga konsumi i fortë privat. Në Kosovë, rritja e prodhimit u përmirësua në 4.6% (nga 3.8%), e mbështetur kryesisht nga investimet e forta. Në Serbi dhe Shqipëri, rritja u përmirësua pak në raport me tremujorin e mëparshëm në 1.3% dhe 4.1%, përkatësisht. Serbia u ndikua nga konsumi i brendshëm dhe eksportet, ndërsa moti i keq ndikoi negativisht në bujqësi dhe ndërtim.
Në të kundërt, në Bosnjë-Hercegovinë, aktiviteti ekonomik u ngadalësua në 1.7% me bazë vjetore nga 2.9% në tremujorin e parë, si rrjedhojë e motit të keq dhe shpenzimeve më të ulëta kapitale në raport me planin. Maqedonia ishte i vetmi vend me tkurrje në tremujorin e dytë (me 1.8% me bazë vjetore), duke reflektuar rënien e investimeve, si rrjedhojë e klimës së paqëndrueshme politike.
Në tërësi, në tremujorin e dytë 2017, rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto në Ballkanin Perëndimor qëndroi në 1.8%, duke rënë lehtë nga 1.9% në tremujorin e mëparshëm dhe krahasuar me 2.2% që ishte në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Kreditë me probleme, ende të larta
Teksa Shqipëria ka ulur me gati 9 pikë përqindje nivelin e kredive me probleme nga fundi i vitit 2015 deri në gusht të këtij viti, sërish bashkë me Serbinë mbetet një nga vendet me nivelin më të lartë të kredive në probleme në rajon.
Komisioni Europian, vuri në dukje dje se Shqipëria dhe Serbia po vazhdojnë të regjistrojnë raportet më të larta të NPL në rajon përkatësisht me 15-16% të totalit të kredive, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina me 11.1% dhe Mali i Zi 8.8%. Në të gjithë rajonin, raporti i NPL-ve u ul lehtësisht në 3.3% në tremujorin e dytë të vitit, nga 3.4% në tremujorin e parë të vitit 2017.
Në Shqipëri, kredia me probleme është ulur si rezultat i fshirjes së huave të këqija të mbartur më shumë se tre vite në bilance. Raporti i kredive me probleme (NPL) ndaj totalit të kredive ka vazhduar të vijë në rënie në muajt e fundit. Niveli i NPL-ve qëndroi në 15.1% në gusht 2017, nga 21.4% në gusht 2016. Në tremujorin e dytë të vitit 2017, huadhënia bankare vazhdoi të mbështeste rritjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Rritja e kredisë u përshpejtua në mënyrë të moderuar, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ndërkohë që u rrit ndjeshëm në Malin e Zi.
Nga ana tjetër, rritja e kredisë u ngadalësua në Serbi dhe Kosovë, dhe ishte negative në Shqipëri (e parregulluar për ndryshimet në kursin e këmbimit). Kreditimi i ekonomive familjare po rritet më shpejt sesa kreditimi i korporatave.
Komisioni Europian vë në dukje se rritja e kredisë po kufizohet nga niveli i lartë i kredive me probleme. Rritjet e larta të kredive me probleme në shumicën e vendeve vazhdojnë të përbëjnë një sfidë të stabilitetit financiar për rajonin. Në përgjithësi, kreditë joperformuese përbëjnë deri në një të pestën e totalit të kredive dhe progresi në reduktimin e tyre nuk konsiderohet i mjaftueshëm nga KE. Gjithashtu Banka Qendrore Europiane e ka cilësuar nivelin e lartë të kredive një rrezik për stabilitetin financiar në rajon.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.