re vite nga zbatimi i saj, reforma e pensioneve po goditet nga emigracioni i të rinjve dhe rënia e produktivitetit në sektorin bujqësor. Nga ana tjetër, numri në rritje i pensionistëve po ushtron presion mbi shpenzimet.
Në 6 vjet, numri i pensionistëve u rrit me mbi 698 mijë persona, teksa raporti i varësisë kontribuues-përfitues ka mbetur në vend 1 me 1.17 dhe deficiti i skemës në rritje.
Drejtori i ISSH, Astrit Hado, thotë se reforma e pensioneve e arriti qëllimin që ishte ndalja e hemorragjisë së deficitit, rritja e qëndrueshmërisë financiare të skemës, duke garantuar pagimin e pensioneve dhe të drejtave të fituara
Blerina Hoxha
Reforma e pensioneve është futur në vitin e tretë të zbatimit të saj, por edhe pse në fillesa, po ndeshet me sfidat e emigrimit të forcës së re të punës, plakjen me ritme të shpejta të popullsisë, rëniene kontribuuesve që punojnë në bujqësi dhe rritjen e deficitit në vlera neto, edhe pse në skemë që nga 2013janë futur rreth 157 mijë kontribuues të rinj.
Reforma për të cilën u punua një dekadë dhe nisi të zbatohej në fillim të vitit 2015, pati në themel të saj rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025 dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Pas 15 vitesh, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056. Risia tjetër ishte rritja e normës së kontributit për zonat rurale, duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2017.
E, gjykuar nga këto qëllime, duket se ka një trend pozitiv. Numri i kontribuuesve në skemë është rritur me 157 mijë persona në tre vitet që reforma po funksionon. Kjo ka bërë që numri i kontribuuesve përfitues nga 1.1 me 1 që ishte në 2013 të shkojë në 1.17 me 1në fund të vitit 2016. Gjithashtu, deficiti i skemës në përqindje të PBB-së është ulur me 0.15%, por në vlera neto është rritur me 11% që nga viti 2013. Drejtori i Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, tha se gjatë këtyre tre viteve që reforma në sistemin e sigurimeve shoqërore është duke u zbatuar, konstatohet që përgjithësisht janë përmbushur parashikimet e bëra para miratimit të saj.
Qëllimi kryesor i reformës, thotë ai, ishte ndalja e hemorragjisë së deficitit, rritja e qëndrueshmërisë financiare të skemës. Hado thotë se qytetarët u ndërgjegjësuan për pjesëmarrje në skemë, duke paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, duke pohuar se ka një interesim që vjen në rritje nga punëmarrësit për të kontrolluar pagat mbi të cilat punëdhënësit paguajnë sigurimet shoqërore dhe se si mund të kontribuojnë për një pension më të lartë në moshën e pleqërisë.
Nuk funksionon për fshatin, numri i kontribuuesve bie me 40%
Teksa reforma e pensioneve synonte të rikthente parimin e drejtësisë për fshatin, ku pensionet të përfitoheshin në bazë të kontributeve, duket se në vend që të sistemohej është deformuar edhe më tej. Ligji i ri i sigurimeve synonte barazimin e kontributeve të sigurimeve për pensionet rurale me zonat rurale deri në vitin 2018. Por duket se fermerët, edhe në kushtet e rënies së produktivitetit në bujqësi vitet e fundit, nuk i kanë përballuar pagesat e rritura të sigurimeve, duke zgjedhur që të ikin nga skema e sigurimeve. Në vitin 2016, sipas të dhënave zyrtare të ISSH-së, numri i kontribuuesve në skemë ishte vetëm 53mijë persona, me një rënie 40.6% krahasuar me vitin 2015 ku ishin të siguruar mbi 89 mijë persona. Por drejtori i ISSH-së, Astrit Hado, thotë se rënia e kontribuuesve në bujqësi më shumë se sa reformës, i dedikohet rënies së produktivitetit në këtë sektor. Hado thotë se kjo ndodh për disa arsye, së pari për shkak të produktivitetit të ulët të ekonomisë familjare agrare, urbanizimit dhe braktisjes së bujqësisë, si dhe rritjes së masës së kontributit që duhet të paguajnë fermerët. Sipas tij, një arsye tjetër është fakti që një pjesë e mirë e fermerëve, kryesisht mosha e mesme dhe afër moshës së pensionit, për shkak të faljes së kamatëvonesave dhe interesave të kontributeve që u bënë në vitin 2014, blenë shumë vite sigurimi (deri në 21 vite sigurimi) dhe duke pasur edhe vite pune në ish-kooperativat bujqësore kanë plotësuar vitet e nevojshme për të përfituar një pension pleqërie. Drejtori i ISSH-së bën thirrje se mosha e re që punon dhe jeton në fshat duhet të ndërgjegjësohet që pagimi i kontributeve, përveçse është një detyrim, është në interesin e tyre për të përfituar në rast nevoje nga sistemi i sigurimeve shoqërore.
Po zhvillimet e skemës së sigurimeve për zonat rurale janë deformuar më tej, teksa numri i përfituesve është 161% më i lartë se numri i kontribuuesve, për rrjedhojë edhe deficiti financiar në skemën e fshatit është në të njëjtin trend. Për vitin 2016, çdo kontribuuesi në fshat i korrespondojnë 2.6 përfitues. Arkëtimet nga fshati në vitin 2016 ishin 1,9 miliardë lekë, të cilat ishin vetëm 3% e gjithë totalit të të ardhurave.
Para vitit 2014, politikat e ndjekura për fshatin i kanë mbajtur kontributet shumë të ulëta, ndërkohë që masa e pensionit është rritur më shumë sesa masa e pensionit të qytetit.
Para reformës, kontributet e drejtpërdrejta që paguheshin nga të vetëpunësuarit në bujqësi mbulonin vetëm 18.7% të shpenzimeve për pensionet rurale, por pas reformës, ky tregues është përkeqësuar. Për pasojë, skema e sigurimeve në fshat po sponsorizohet në një masë edhe më të madhe nga taksat e të gjithë shqiptarëve. Bujqësia dhe fshati, edhe pse punësojnë më shumë se 40% të shqiptarëve, janë gati një sektor inekzistent për nga kontributi në taksa dhe tatime dhe në sigurime shoqërore.
Deficiti në rritje, por reforma e ka frenuar
Buxheti i shtetit e subvencionoi skemën e sigurimeve shoqërore vitin e kaluar me mbi 44 miliardë lekë. Vlera e deficitit është gati dyfish më e lartë se në vitin 2013, edhe pse në skemë janë shtuar 157 mijë kontribuues të rinj që nga 2013. Edhe pse në dukje shihet se deficiti nuk është ulur me reformën, drejtori i ISSH, Astrit Hado, thotë se, pa reformën do të kishim thellim të mëtejshëm për shkak se numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi. Hado thotë se madje me PBB, deficiti ka pësuar ulje me 0.15%. Në vitin 2016, u grumbulluan si të ardhura nga kontributet 65.2 miliardë lekë, ndërsa u shpenzuan për skemën e pensioneve 109 miliardë lekë.
Skema e pensionit në Shqipëri nuk është e balancuar financiarisht. Kjo paqëndrueshmëri financiare është rezultat i rritjes së shpejtë të masës së pensioneve para pak viteve. Shkaqe të tjera janë numri i ulët i kontribuuesve, mosdeklarimi i pagës reale, numri relativisht i lartë i pensionistëve krahasuar me moshën e re të popullsisë, mosha e ulët e pensionistëve si rezultat i daljes së parakohshme në pension në fillim të viteve ‘90 dhe mosha e ulët e daljes në pension për disa kategori të veçanta, ndryshimet demografike, niveli i papunësisë dhe niveli i lartë i emigracionit i forcave të punës. Në vitin 2016, deficiti mes të ardhurave nga kontributet dhe shpenzimeve për përfitime ka qenë më shumë se 44 miliardë lekë. Ky deficit e ka vënë në rrezik qëndrueshmërinë financiare të sistemit të pensioneve.
Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2017, skema numëroi 718,286 nga 718,070 kontribuues që ishin më 2015. Por si rezultat i reformës antiinformalitet, në vitin 2016 numërohen rreth 157 mijë kontribuues të rinj në skemë krahasuar me vitin 2013. Sipas të dhënave, rolin më të madh në rritjen e kontribuuesve e patën firmat private. Në vitin 2016, kontributorët nga bizneset arritën në 325,303 persona nga 321,023 në vitin 2015, teksa në vitin 2013 ishin 201,270 kontribuues. Rritje të numrit të kontribuuesve pati edhe te të vetëpunësuarit. Në vitin 2016, skema e sigurimeve numëroi 120,460 persona nga 104,686 mijë në vitin 2015. Kryesisht si rezultat i formalizimit në skemë i kontribuuesve janë shtuar mbi 60 mijë persona, pasi në vitin 2013, skema numëronte vetëm 80.050 të tillë. Në fillim të vitit 2015, qeveria ndërmori një aksion të gjerë antiinformalitet te bizneset e vogla, çka i nxiti të punësuarit në të zezë të deklaroheshin. E njëjta procedurë po vazhdon edhe tani, por më pak e dukshme nëpërmjet analizës së riskut, kur tatimet po marrin në sitë bizneset e mëdha, duke i hetuar me imtësi nëse deklarojnë apo jo të ardhurat të punonjësit. Por drama duket se ka ndodhur në sektorin e bujqësisë, kur shihet se numri i kontribuuesve kanë rënë me 58% në krahasim me 2014. Nga 127,728 kontribuues që ishin në vitin 2014, në fund të vitit 2016 ishin 53,168.
Drejtori Hado thotë se është e vërtetë që numri i kontribuuesve në skemë është rritur me rreth 157 mijë kontribuues krahasuar me vitin 2013 dhe kjo për shkak të incentivave që jep skema e reformuar e pensionit, por edhe për shkak të luftës kundër informalitetit që është ndërmarrë së fundmi.
Një studim më i hershëm i Bankës Botërore vlerëson se, në sektorin e ndërtimit, 70% e të punësuarve nuk deklarohen në sektorin e shërbimeve, madhësia e informalitetit është 35% dhe në sektorin e industrisë është 46%. Sipas studimeve më të hershme të Bankës Botërore, tregu i punës në Shqipëri në sektorët jobujqësorë është 48% në informalitet. Shifra është dhënë në një studim të posaçëm “Sfidat e tregut të punës në Shqipëri, i publikuar në maj 2015”, i cili ka të dhënat nga viti 2011 deri në 2014.
Raporti i Bankës Botërore vëren se cilësia e punësimit është e ulët dhe se informaliteti është mjaft i përhapur. Banka referon se, vlerësimet e anketës së fuqisë punëtore sugjerojnë se, afër gjysma e punësimit total jashtë bujqësisë korrespondon me punësimin informal, dhe pothuajse tre të katërtat e punës në ndërtim është informale.
Një raport fundit po i Bankës Botërore për punësimin në Europën Juglindore, thotë se vendet e rajonit kanë shtuar vetëm 300 mijë vende të reja pune gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa në Shqipëri nuk është hapur asnjë vend i ri pune, porse janë formalizuar vendet ekzistuese të punës.
Numri i pensionistëve rritet me shpejtësi
Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve në vend e për pasojë, nevojën për fonde shtesë ndaj arkës së pensioneve. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për vitin 2016, numri i personave në pension arriti në 611,544 persona, me një shtesë prej mbi 12 mijë e 600 pensionistësh nga 2015-a.
Për pasojë, shpenzimet ndaj përfituesve u rritën me 4,5 miliardë lekë vitin e kaluar, ose rreth 32 milionë euro.
Në harkun kohor të gjashtë viteve, numri i pensionistëve u rrit me 12,6% ose 68,491 persona.
Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2016, u raportuan 611,544 të tillë.
Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2016, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s. Në dy vitet e mëparshme, numri i tyre është rritur me pak më shumë se 5 mijë persona, por në vitin 2013, në skemë janë shtuar mbi 16 mijë pensionistë, më 2015 mbi 15 mijë pensionistë. Ritmet janë ulur dy vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensione, që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë.
Për pasojë, shpenzimet për arkën e pensioneve janë rritur dukshëm. Në vitin 2010, sipas të dhënave të ISSH-së, shpenzimet për pagesat e pensioneve ishin 63.7 miliardë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, këto pagesa arritën në 90.5 miliardë lekë, me një rritje 42%.
Shpenzimet për pensione për vitin 2016 shënuan rritje vjetore me 5,6%.
Në fillim të vitit 2017, popullsia e vendit sipas INSTAT ishte 2,876,591 persona, ndërsa numri i pensionistëve në këtë vit, sipas ISSH, ishte 611,544. Për rrjedhojë, të moshuarit në moshë pensioni, përbënin 24% të popullsisë së vendit.
Sipas drejtorit të ISSH-së, numri i pensioneve është në rritje vit pas viti me një shtesë prej rreth 16 mijë pensionistësh deri në vitin 2014 dhe me një rënie të lehtë në këto dy vitet e fundit si rezultat i rritjes së moshës së daljes në pension për gratë. Hado jep si arsye për rritjen neto të numrit të pensionistëve rritjen e jetëgjatësisë, kushteve më të mira të jetesës dhe kujdesit shëndetësor, si dhe të faktit që personat që dalin në pension i përkasin periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore që konsiderohet edhe si babyboom. Hado thotë se numri i lartë i lindjeve në vitet ‘50 automatikisht përkthehet në më shumë pensionistë sot. Ky trend rritje i numrit të pensionistëve do të vazhdojë edhe në periudhën afatmesme, duke rritur përqindjen e popullsisë në moshë pensioni krahasuar me totalin e popullsisë. Rritja e numri të pensionistëve dhe rënia drastike e lindjeve janë shkaktarët kryesorë të plakjes së popullsisë.
Plakja e popullsisë sot është një fenomen botëror dhe një nga arsyet kryesore të reformimeve të skemave të pensionit. Vende të ndryshme e kanë adresuar në mënyra të ndryshme problemin, që nga krijimi i incentivave për rritjen e lindshmërisë, duke rritur shpërblimet, subvencionet e familjeve me shumë fëmijë, njohje ose dhurim të periudhave të sigurimit për çdo fëmijë ose kohës së kujdesit ndaj fëmijës, rritjes së moshës së daljes në pension, ku disa vende po e rrisin deri në 70 vjet.
Një projeksion i popullsisë u realizua edhe në vitin 2014, në momentin e hartimit të reformës së pensionit, si një pjesë integrale dhe shumë e rëndësishme e projeksionit të ecurisë së sistemit të pensionit deri në vitin 2080.
Ky projeksion i të gjithë të dhënave demografike të mbledhura tregon një tendencë të tkurrjes së popullsisë rezidente në Shqipëri, rënie të lindshmërisë, plakje të popullsisë dhe rritje të peshës specifike të popullsisë mbi 65 vjeç në raport me totalin e popullsisë. Nëse në vitin 2012, popullsia rezidente në Shqipëri ka qenë rreth 2.9 milionë banorë, në vitin 2080, parashikimet janë për një tkurrje të ndjeshme dhe popullsia në këtë vit do të jetë rreth 2–2.1 milionë banorë.
Emigracioni zhbalancon skemën
Kur reforma u vu në zbatim nuk mori në konsideratë rikthimin masiv të emigracionit që ndodhi në fillim të vitit 2015 dhe që vijon ende me ritme më të larta se pritshmëritë. Numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar rritje të frikshme në vitin 2015. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë. Teksa në vitin 2016, më shumë se 28 mijë azilkërkues nga Shqipëria kanë kërkuar azil në vendet e BE-së. Hado thotë se në projeksionet e reformës së pensioneve është parashikuar rritja e numrit të pensionistëve dhe rënia e numrit të lindjeve, por ajo që nuk është parashikuar ka qenë niveli i emigracionit që këto vite ka qenë i lartë.
Ai thotë se, emigracioni me kah dalës është një faktor që ndikon në strukturën e popullsisë, pasi përgjithësisht emigron mosha e re, që është edhe forcë aktive për punë. Emigracioni i lartë ka ndikim në skemë, pasi do të thotë më pak kontribuues, më pak solidaritet dhe barrë më të lartë fiskale dhe kontributive për qytetarët që punojnë në vend, shpjegoi Hado. Hado u shpreh se skema po rrezikohet nga emigracioni i lartë. “Projeksionet e bëra nga ne kanë parashikuar rritjen e numrit të pensionistëve dhe rënien e numrit të lindjeve, por ajo që nuk është parashikuar është niveli i emigracionit që këto vite ka qenë i lartë. Emigracioni me kah dalës është një faktor që ndikon në strukturën e popullsisë, pasi përgjithësisht emigron mosha e re, që është edhe forcë aktive për punë. Një emigracion i lartë ka ndikim në skemë, pasi do të thotë më pak kontribuues, më pak solidaritet dhe barrë më të lartë fiskale dhe kontributive për qytetarët që punojnë në vend”, – shpjegoi drejtori i ISSH-së në një intervistë për “Monitor”.
Të rinjtë e sotëm rrezikojnë pensionin e pleqërisë
Shkalla e mbulimit, që shpreh raportin e numrit të kontribuuesve ndaj forcave të punës, ka rënë gradualisht nga 33.76% në 32.41% në periudhën 1994-1999. Më pas, ky tregues vjen në rritje, duke arritur në 58.4% në vitin 2012 dhe në vitin 2016 shënoi 52.8%.
Ekspertët mendojnë se niveli i lartë i papunësisë, punës së zezë dhe mospjesëmarrja në skemë e të vetëpunësuarve në bujqësi do të jetë një barrë sociale shumë e madhe për shoqërinë në vitet e ardhshme, pasi kjo kategori e pasiguruar nuk do të ketë të drejtë përfitimi ose përfitime të ulëta nga skema e pensionit dhe do t’iu drejtohen skemave të tjera të mbrojtjes shoqërore si ndihma ekonomike, asistencave të ndryshme etj. Këto skema të tjera të mbrojtjes shoqërore financohen nga buxheti i shtetit dhe rritja e numrit të përfituesve do të bëjë të pamundur financimin e tyre.
Si evoluoi skema e pensioneve
Vendosja e një sistemi të plotë të sigurimeve shoqërore në Shqipëri evidentohet në vitin 1947. Sistemi fillestar i sigurimeve shoqërore u konsolidua gradualisht në dy skema: një për të punësuarit e sektorit shtetëror dhe një tjetër për anëtarët e kooperativave bujqësore.
Ky sistem ishte shumë bujar dhe siguronte mbrojtje të plotë sociale. Ai parashikonte mosha të ulëta të daljes në pension dhe trajtim të diferencuar për kategori të caktuara të punësuarish. Sistemi financohej nga kontributet e punëdhënësve shtetërorë dhe të kooperativave bujqësore, të cilët natyrshëm ishin pjesë e kostos dhe e çmimeve të planifikuara. Në themel, sistemi bazohej në solidaritetin e brezave, ku me kontributet e paguara financoheshin përfitimet e përcaktuara gjatë asaj periudhe, dhe ndërkohë, nëpërmjet tyre të punësuarit siguronin të drejta të ardhshme në fushën e sigurimeve shoqërore.
Sistemi i Sigurimeve Shoqërore, i vendosur në vitin 1993, trashëgoi nga e kaluara dy skema të veçanta pensionesh, njëra për individët e punësuar në ndërmarrjet shtetërore dhe tjetra për punonjësit e ish-kooperativave bujqësore. Skema e pensioneve për ish-kooperativat u modelua në vitin 1972 dhe hyri në fuqi në vitin 1974. Kushti kualifikues për pensionin e pleqërisë ishte 20 vjet anëtarësi në kooperativë.Pas shpërbërjes së kooperativave bujqësore (1992) dhe fermave shtetërore (1993), popullsia rurale në moshë pune përbëhet nga fermerë të vetëpunësuar dhe familjet e tyre. Në vitin 1994, rreth 166 mijë fermerë të moshuar dhe invalidë, ish-anëtarë të kooperativave bujqësore përfitonin të ardhura sipas skemës së pensioneve të modeluar në vitin 1972, e cila siguronte pensione sa rreth 50% e pensioneve të qytetit, ndërsa rreth 82 mijë persona përfitonin të ardhura sipas rregullave për Ndihmën Ekonomike.
Deri në vitin 1991, numri i të punësuarve në ish-ndërmarrjet shtetërore dhe në ish-kooperativat bujqësore, të cilët përbënin edhe kontribuuesit në sistemin e sigurimeve shoqërore, ishte 1 milionë e 446 mijë. Përfituesit e parë të sistemit filluan të përfitonin pensione në vitin 1960. Sipas statistikave të kohës, në vitin 1966 evidentohen rreth 35 mijë përfitues, kryesisht me pensione të pjesshme, kundrejt 263 mijë kontribuuesve. Në fund të vitit 1991, numri i përfituesve kishte arritur në 329 mijë, duke reflektuar një normë vartësie 4.5 kontribuues për 1 përfitues, krahasuar me 7.4 kontribuues për çdo përfitues në vitin 1966. Emigracioni dhe puna e zezë e kanë çuar normën e vartësisë, 1.17 kontribuues me 1 përfitues në fund të 2016-s.
Numri i kontribuuesve pësoi një rënie drastike në vitin 1993, por në fakt, këtë vit, numri i kontribuuesve ishte edhe më i ulët. Kjo për faktin se në shumë ndërmarrje shtetërore, një pjesë e madhe e punëtorëve merrnin pagesë papunësie të financuar nga buxheti i shtetit në masën 60% të pagës dhe njëkohësisht evidentoheshin edhe si kontribuues. Në vitin 1994, kur edhe u ndërprenë këto pagesa, numri i kontribuuesve ra në 386 mijë. Nga ana tjetër, mbyllja e ndërmarrjeve shtetërore bëri të nevojshme vendosjen e skemave të pensioneve të parakohshme dhe si rrjedhim, numri i pensionistëve në vitin 1993 u rrit me 123 mijë, duke shkuar në 453 mijë në total.
Në sistemin e pensioneve para vitit 1993, pensioni maksimal ishte përcaktuar se nuk mund të ishte më i lartë se dyfishi i pensionit minimal (pensioni maksimal ishte 700 lekë në muaj, ndërsa pensioni minimal 350 lekë), pavarësisht nga paga, ndërkohë që edhe pagat mbi të cilat paguheshin kontributet ishin në raportin 1 me 2. Për ish-anëtarët e kooperativës, pensioni minimal ishte 100 lekë në muaj, ndërkohë që pensioni maksimal jo më shumë se 350 lekë. Sipas të dhënave të kohës, pensioni mesatar ishte rreth 460 lekë, ose rreth 30% më i lartë se pensioni minimal.
Të dy sistemet e pensioneve u zhvilluan dhe u zbatuan deri në fund të vitit 1993, duke lënë për legjislacionin e ri, që do të ndërtohej në përputhje dhe në koherencë me zhvillimet e reja ekonomike, një detyrim të hapur, kryesisht në dy drejtime: Sistemi i ri që do të ndërtohej, nga njëra anë, do të përballonte dhe zhvillonte të gjitha pagesat për përfitimet e njohura dhe, nga ana tjetër, ky sistem ishte i detyruar të njihte dhe konsideronte të mirëqenë të gjithë periudhën e sigurimit të çdo pjesëmarrësi në skemat e mëparshme. Të drejtat e fituara nga sistemi i mëparshëm, të cilat do të zbatoheshin në vitet e ardhshme, ishin të konsiderueshme. Mjafton të përmendim këtu që përveç rreth 453 mijë pensioneve që duheshin paguar çdo muaj, ishte akumuluar si e drejtë e fituar një periudhë sigurimi e konsiderueshme për mbi 1 100 mijë persona.
Në këto kushte të vështira ekonomike, u përcaktuan edhe parimet bazë të sistemit aktual të pensioneve, i cili do të vazhdonte të ishte kontributiv, do të zbatonte një skemë solidariteti me financim ndër-brezor; do të mbante parasysh të drejtat e fituara për mbi 1450 mijë kontribuues.
Do të vazhdonte të zbatonte të ndara dy skema pensionesh, një për punonjësit me historik pune në ish-ndërmarrjet shtetërore dhe një për ish-punonjësit e kooperativave bujqësore, kjo për shkak të historikut të ndryshëm të kontributeve, të cilat do të duhej të harmonizoheshin gjatë viteve në vazhdim; do të vazhdonte të mbante në funksion tavanet e masës së përfitimeve, si dhe do të duhej të vendoste një shumë bazë, e cila i përgjigjej një kontributi bazë, dhe që do të përfaqësonte minimumin jetik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.