Qendrat sociale u shërbejnë nevojtarëve një vakt ushqimi falas, restorantet u shërbejnë të uriturve kundrejt pagesës. Në disa pjesë të Azisë Jugore, restorantet e vogla pranë xhamive bëjnë pjesë në një kategori të tretë. Ata ushqejnë të varfrit, të cilët ulen jashtë ambienteve të tyre, aq herë sa një kalimtar bamirës i rastësishëm e paguan restorantin për këtë shërbim. Qendra të këtij lloji sigurojnë një rrjet tradicional sigurie për të varfrit e vendeve në zhvillim. Dhe fatmirësisht, qendra të tilla nuk janë të vetme, shkruan The Economist.
Referuar një raporti të fundit të Bankës Botërore, vendet në zhvillim shpenzojnë një mesatare prej 1.5% të PBB-së në skemat e sigurisë sociale, të hartuara për të parandaluar që këta njerëz të arrijnë fundin. (Vendet e pasura në OECD shpenzojnë mesatarisht 2.7%). Këtu përfshihen skemat e punës, pensioneve, ushqimet falas, dhënie e parave kesh në disa raste, lehtësimi i vështirësive për të gjithë ata prindër që i kanë fëmijët e tyre në shkollë, vaksinimi, etj.
Dhe pikërisht si pasojë e këtyre shpenzimeve, numri i njerëzve që jetojnë në kushte ekstreme varfërie është reduktuar (më pak se 1.90 dollarë në ditë).
Restorantet pranë xhamive, në Azinë Jugore do të shërbejnë ushqim për cilindo që dëshiron të presë për një bamirës. Ndërsa skema të tjera mundohen të merren me ato raste të cilat nuk merren në konsideratë nga askush.
Programet e punëve publike, për shembull, u japin një pagesë vetëm atyre që janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda, si gërmimi i kanaleve apo mbjellja e pemëve. Në parim, këto projekte duhet të tërheqin vetëm ata që kanë vërtet nevojë. Ndërsa në praktikë, ato nuk funksionojnë gjithmonë ashtu siç duhet dhe, mbi të gjitha, për ata që kanë vërtet nevojë. Skemat e sigurisë sociale luajnë rol më të madh në disa vende se sa në disa të tjera.
Në Sudanin e Jugut, dy skema të financuara nga donatorët dhe të drejtuara nga Programi Botëror i Ushqimit janë të barabarta me 10% e PBB-së këtij vendi. Pensionet në Timorin Lindor, të paguara për veteranët e luftës ndaj pushtimit indonezian, shkojnë në 6.5% të PBB-së. Ndër ekonomitë më të mëdha në zhvillim, vendet e Amerikës Latine janë edhe ato që kanë vlerat më të mëdha, në krahasim me ato aziatike.
Meksika, për shembull, shpenzon 1.7% të PBB-së në skemat e sigurisë sociale, ndërsa Kina, e cila është në një fazë të ngjashme të zhvillimit të tyre, paguan shumë më pak. Format e ndihmës që jepen nga këto skema të sigurisë sociale, ndryshojnë edhe në varësi të vendeve të ndryshme në zhvillim. Kështu për shembull në Amerikën Latine janë shumë të përdorura transfertat e parave kesh.
Ndërsa Azia Lindore është një ndër ato shtete që favorizon pensionet suplementare.
Por një ish-zyrtar i Singaporit dikur është shprehur me përbuzje për një “ekonomi shtrënguese” në të cilën të pasurit tatohen shumë për të mbështetur të varfrit. Me ndihmën e donatorëve (duke përfshirë edhe Bankën Botërore), Indonezia e ka rritur skemën e sigurisë sociale ndaj familjeve në nevojë nga 2% në vitin 2012 në 9% në vitin 2016.
Filipinet (gjithashtu me ndihmën e jashtme) e rritën skemën nga 4% në vitin 2009 në 20% në vitin 2015. Sipas studimit të Bankës Botërore, këto skema të sigurisë sociale, funksiononin më së miri në gjashtë vende, duke përfshirë Meksikën, Indonezinë dhe Filipinet, ku nuk u gjet asnjë provë se përfituesit e këtyre skemave punonin më pak. Këto skema të sigurisë sociale u kanë ardhur shumë në ndihmë familjeve në nevojë, duke i ndaluar ata që të shesin sendet e tyre më me vlerë kundrejt një kostoje të ulët për të plotësuar nevoja të ndryshme si shkollimi i fëmijëve, etj.