ELBASAN – Një nga biznesmenët e parë në vend në fushën e hidrokarbureve, në të njëjtën kohë edhe Konsulli i Nderit për Shqipërinë në Ukrainë, Xhevat Rira është arrestuar paraditen e sotme, për krijimin e një skeme piramidale, pasi dyshohet se ka përfituar përmes një skeme mashtrimi 30 milionë lekë.
65-vjeçari Rira është arrestuar nga ana e policisë paraditen e sotme pasi Gjykata e Elbasanit ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”
Pas një hetimi paraprak të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, dyshohet se, nëpërmjet mashtrimit, Xhevat Rira u ka marrë disa personave shuma të ndryshme, të cilat arrijnë në vlerën e mbi 30 milionë lekëve.
Sipas skemës, e cila tashmë është e qartë për Njësinë Task-Force të Prokurorisë së Elbasanit, Rira u merrte hua personave të ndryshëm, me premtimin se brenda një afati kohor të përcaktuar do t’ua kthente me interesa, të cilat ishin më të larta se sa ato me të cilat operojnë bankat e nivelit të dytë në Shqipëri.
Sipas hetimeve, të cilat janë nisur në bazë të kallëzimeve të 9 shtetasve, rezulton se i dyshuari Rira, pasi u merrte paratë me fajde, nuk ua kthente këto para, duke i mashtruar për një kohë të gjatë dhe deri sa, kohët e fundit, u shmangej dhe nuk i takonte personat që i kishin dhënë hua.
65-vjeçari Rira, është administrator i një ndër firmave të para në Shqipëri në fushën e hidrokarbureve, “RIRA sh.a”, por prej vitesh ai ka qenë edhe konsull nderi i Shqipërisë në Ukrainë. Gjithashtu Rira ka qenë edhe President i klubeve të futbollit në rrethin e Librazhdit si Sopoti dhe Domosdova.
Tashmë Rira do të përballet me akuzën e “Krijimit të skemave mashtruese dhe piramidale”, parashikuar nga neni 143/a/2 i Kodit Penal.
shqiptarja.com
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.