Sot nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës është kryer përfundimi i hetimeve dhe është vendosur kalimi për Gjykim i procedimit penal në ngarkim të 25 të pandehurve, të akuzuar se në bashkëpunim kanë kryer veprat penale të “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/2 i K.Penal, “Fallsifikimi i vulave, stampave apo formularëve” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 190/2 i K.Penal, dhe veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i K.Penal.
Kjo çështje është hetuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës.
Nga hetimi i kësaj çështje ka rezultuar se Subjekti “Diell – IIB” me administrator shtetasin kosovar të hetuar në gjendje arresti në burg, Ismet Syla, pasi është regjistruar në Drejtorine Rajonale të Tatimeve Kukës, ka terhequr në këtë Drejtori disa blloqe me fatura TVSH-je dhe ka përdorur këto fatura në shitje për subjekte të tjerë.
Nga hetimet ka rezultuar se ky subjekt është fiktiv, pa aktivitet real, pasi:
-Nuk ka bërë deklarime në shitje e as në blerje.
-Nuk ka të deklaruar fuqi punëtore apo mjetet të nevojshme për përballim të aktivitetit.
-Nuk ka një qendër të ushtrimit të aktivitetit.
-Faturat e lëshuara janë të fallsifikuara e fiktive, etj
Si rezultat, për faturat e lëshuara në shitje nuk ka paguar asnjë detyrim ndaj shtetit si TVSH, tatim fitimi, sigurime shoqërore, sigurime shëndetësore etj.
Ndërkohë këto fatura janë deklaruar në blerje duke përfituar kreditimin e TVSH nga subjektet e përfshira në këtë skemë. Administratorëve të këtyre subjekteve u është komunikuar akuza për veprat penale të përmendura më sipër, dhe çështja do kalojë për gjykim. Dëmi i shkaktuar nga aktiviteti kriminal i kryer në bashkëpunim nga të pandehurit arrin vlerën rreth 2.5 milion euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.