Skenari i komplikuar i ARMO: Pas Allum, në skenë del dhe një tjetër offshore, Byllis Energji

16/03/2018 7:03 AM 0 komente

Situata me rafinerinë e përpunimit të naftës ARMO, sa vjen e komplikohet më tej. Pas ikjes së IRTC-së, një offshore që e shfrytëzoi ARMO-n nga nëntori i vitit 2016 deri në nëntor 2017, dhe u largua duke lënë të paktën 35 milionë eura taksa të papaguara, në skenë kanë dalë disa operatorë të rinj.

Në fillim të shkurtit ishte Allum Enterprises, që hyri në tentativa për të blerë rafinerinë e naftës ARMO. Allum Enteprises sipas ekstraktit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit është krijuar në gusht në vitit 2017 dhe pronari i saj është ALLUM ENTERPRISES LIMITED, një kompani e regjistruar në Angli në qershor të vitit 2017.

Ndërsa aktualisht, burime nga sindikatat e punonjësve pohojnë se përfaqësues të një tjetër kompanie, Byllis Energji, prej dy javësh po negociojnë me punonjësit, fillimisht për të mundësuar remontin e kompanisë dhe më pas për të filluar punën, teksa kanë pohuar se nuk do të njohin detyrimet e mëparshme për pagat e papaguara të punonjësve.

Sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Byllis Energji është krijuar në prill të vitit 2017. Aksioner i saj është PGFS Pilotage & Gestion SA, një kompani guackë, e regjistruar në Zvicër, të përfaqësuar nga Joël Jacques Jean Chevallaz, i cili është edhe anëtar i Këshillit të Administrimit në Bylis Energji. Punonjësit pohojnë se përfaqësues të kompanisë që kontaktojnë me ta janë pothuajse të njëjtët njerëz si më parë, vetëm që tashmë  veprojnë në emër të kompanisë së re, Byllis Energji.

Punonjësit, që nuk marrin rrogat që nga dhjetori dhe kanë 14 paga të vitit 2015-2016 pa u paguar, mbeten të përçarë dhe të pasigurt me atë që do të ndodhë në të ardhmen me ta, ndërsa kanë pohuar për Monitor se janë braktisur nga shteti. http://www.monitor.al/naftetaret-japin-alarmin-armo-ne-prag-katastrofe-rrezikon-shperthime-te-nderhyje-shteti-urgjentisht/

Punonjësit kanë paralajmëruar se edhe ditën e hënë do të organizojnë protesta në hyrje të rafinerisë, teksa kompania po tenton që të bëjë kontrata individuale, duke nxjerrë jashtë loje sindikatat dhe grupimet e punonjësve.

 

Braktisja e ARMO nga IRTC

Prej shtatorit 2016 , Kompania Ionian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO dhe në fund të vitit të po atij viti filloi përpunimin e naftës, sipas një kontrate të lidhur me prodhuesin më të madh të naftës në vend, Bankers Petroleum. IRTC rezulton e regjistruar offshore në ishujt britanikë Virgin, ndwrsa sw fundmi si pwrfawsues i saj doli sipwrmarrwsi shqiptar Besnik Sulaj. Ardhja e IRTC dhe futja në punë e rafinerisë u cilësua nga qeveria në atë kohë si një marrëveshje e rëndësishme, që do të riaktivizonte prodhimin do të fuste të punë punonjësit dhe do të rriste investimet. Por situata e trumpetuar aq shumë si pozitive nga qeveria në fakt do të kthehej në problematike në fund të vitit 2017. Në fillim të dhjetorit kompania anuloi punën me argumentin e remonteve në rafineri por pas disa javëve në këtë situatë dhe mospagesën e pagës së nëntorit për punonjësit është bërë me dije se kompania ka pushuar aktivitetin. Kjo bëri që ngjarjet të pasonin me protesta dhe naftëtarët të trokisnin tek Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo për Financat dhe Ekonominë.

IRTC ndërkohë rezulton debitore ndaj shtetit. Sipas burimeve zyrtare të tatimeve, detyrimi fiskal i ITRC i krijuar në 2017 ishte rreth 4.7 miliardë lekë (rreth 35 milionë euro), kryesisht taksë qarkullimi. Në total, detyrimi tatimor i krijuar në vite nga ARMO është rreth 260 milionë euro (pa llogaritur fshirjet e detyrimit të para vitit 2010 për shkak të amnistisë fiskale).

 

Skema e shfrytëzimit të ARMO

Ekspertë të tregut pohojnë se me ARMO-n është abuzuar sistematikisht. Kompanitë që e marrin atë në përdorim nëpërmjet qirasë apo marrëveshjeve me bankat e shfrytëzojnë dhe ndërkohë nuk shlyejnë detyrimet ndaj shtetit. Në fund të gjithë largohen, duke lënë pas një mal me detyrime. Skema mbetet e njëjtë: Rafineria merret me qira nga një kompani misterioze, shfrytëzohet, nuk paguhen taksat, më pas braktiset duke i lënë radhën një tjetri, që bën të njëjtën gjë. http://www.monitor.al/ujku-naftes-skema-e-radhes-se-grabitjes-se-armo/

15% të aksioneve të ARMO-s janë ende në pronësi të shtetit, por nga institucionet shtetërore historikisht ka munguar transparenca se çfarë po ndodh me një nga kompanitë më të rëndësishme në vend. Në rastin e IRTC, ndonëse përfaqësues të lartë të qeverisë e promovuan rivënien në punë të ARMO-s në nëntor 2016, në momentin që IRTC u largua dhe la pa paga punonjësit, ata thanë se kjo ëhstë një marrëdhënie private mes kompanisë dhe punonjësve. http://www.monitor.al/pasi-e-bekoi-marrjen-e-armo-nga-irtc-ahmetaj-lan-duart-dhe-ia-le-pergjegjesine-kompanise/

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of