Sonte, ora 20:45 në “Elbasan Arena” do të luhet Skënderbeu – Dinamo Zagreb, ndeshja e vajtjes e vlefshme për fazën Play-Off të UEFA Champions League.
Kjo ndeshje është historike për futbollin shqiptar, pasi është hera e parë që një klub shqiptar luan në këto nivele duke qenë fare pranë kualifikimit për në fazën e grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm Evropian për klube. Në lojë është historia, por në lojë janë sidomos milionat…që as në ëndërr nuk janë parë ndonjëherë.
Kampionët e Shqipërisë kanë arkëtuar deri tani 700 mijë euro; 300 mijë nga pjesëmarrja në raundin e dytë eliminator dhe 400 mijë të tjera nga ajo në raundin e tretë. Duke qenë se Skënderbeu i kaloi me sukses dy raundet e para, tashmë ka mundësi të arkëtojë shumë më tepër. Në rastin më të keq, por me shpresën që do ndodhë krejt e kundërta, Skënderbeu do të arkëtojë 3 milionë euro, nëse eliminohet nga Champions League, duke e çuar shifrën e përfitimit në 3.7 milionë. Por, ndërkohë korçarët e kanë arritur tashmë një sukses, duke qenë se edhe nëse eliminohen nga kampionët kroatë kanë të garantuar kalimin në fazën e grupeve të UEFA Europa League. Nëse ndodh kështu 3.7 milionëve do ju shtojmë edhe 2.4 milionë të tjera që UEFA u dhuron klubeve që kualifikohen për fazën në grupe të Europa League. Me një llogaritje të thjeshtë fitimi i përgjithshëm do të shkonte 6.1 milionë euro. Por, nëse Skënderbeu mposht Dinamon e Zagreb-it përveç se shkruan historinë e vendit tonë duke u futur mes 32 skuadrave më të mira të Evropës, do të arkëtonte një thes me para. Përveç 700 mijë eurove të deritanishme, bardhekuqtë, në rast kualifikimi, do të arkëtonin 2 milionë euro për suksesin në fazën Play-Off, plus 12 milionë euro të tjera për pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Champions-it, për një total prej 14.7 milionë eurosh.
Gjithçka do mësohet pas 180 minutave, 90 sonte në “Elbasan Arena” dhe 90 të tjera pas 6 ditësh në “Maksimir” të Zagreb-it. Sa shumë arsye për të ëndërruar…