Prodhuesi i pjesëve të këmbimit të makinave, Magna International, tha se do të investojë diku tjetër në Europë nëse Sllovenia nuk do të miratojë së shpejti fazën e parë të projektit të planifikuar prej 1.2 miliardë eurosh (1.4 miliardë dollarësh). Prodhuesi i tretë më i madh në botë i pjesëve të këmbimit të makinave ia ka prezantuar projektin qeverisë sllovene disa muaj më parë, projekt ky i cili do të krijojë rreth 6,000 vende pune.
Faza e parë përfshin ndërtimin e servisit për lyerjen e makinave, që do të krijonte 400 vende pune.
Gjithsesi, kjo përfshin blerjen e tokës në pjesën verilindore të Sllovenisë, e cila nuk ka përfunduar ende. Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, Ales Cantarutti, tha se mundësitë që ky projekt të miratohet janë 60:40 për qind.
“Ne jemi duke punuar për një Plan B, por unë nuk mund të tregoj më shumë detaje në lidhje me këtë”, deklaroi zëdhënësi i Magna International, Rej Husetoviç. “Sllovenia është ende prioriteti ynë numër një dhe shpresojmë se do të jemi në gjendje të ecim përpara”.
Ai nuk dëshiroi të komentojë në lidhje me njoftimet e ndryshme të mediave lokale se Magna po e konsideron Hungarinë dhe Kroacinë si vende alternative në rast se Sllovenia nuk e miraton projektin në një të ardhme të afërt.
Z. Cantarutti u shpreh se Sllovenia ka në plan të përfundojë një debat të ashpër publik mbi aspektin mjedisor të investimit të kompanisë Magna dhe vetëm pas përfundimit të tij, qeveria shpreson të jetë në gjendje të hapë dritën jeshile për miratimin e projektit.
Në dhjetor, Parlamenti slloven miratoi një ligj për të përshpejtuar blerjen e tokës ku Magna do të ndërtojë fabrikën e saj dhe Cantarutti tha se pothuajse të gjitha procedurat kanë përfunduar dhe vetëm një që ka mbetur, pritet të përfundojë së shpejti.