Kërkues të Bostonit kanë analizuar 17 mijë aplikacione. Asnjë prej tyre nuk regjistron biseda të përdoruesve, siç shumë mendojnë. Por disa marrin foto apo video të ekranit, duke ua dërguar ato palëve të treta.
Mendimi sipas të cilit smartphone na përgjojnë duke regjistruar në mënyrë të fshehtë bisedat tona është hedhur poshtë me të dhëna konkrete.
Një kërkim ka treguar se si disa aplikacione të shkarkuara te këto pajisje i bëjnë screenshot ekranit, duke ia dërguar më pas imazhet apo videot kompanive të treta.
Merr fund miti i mikrofonave spiunë
Disa kërkues të Northeastern University të Bostonit, të cilët kanë punuar për një vit për t’i dhënë përgjigje njëherë e mirë mitit sipas të cilit mikrofonat e smartphone përdoren si instrumente spiune, kanë arritur në një përfundim surprizë. Shumë përdorues i referohen kësaj rrethane për të shpjeguar shfaqjen e disa reklamave, që lidhen me interesat e tyre kur lundrojmë në internet. Për këtë kërkim, studiuesit u përqendruan në një kampion prej më shumë se 17 mijë aplikacionesh, disa në pronësi të Facebook. Nga këto, janë marrë rreth 8 mijë që u dërgojnë informacione rrjetit social.
Provat te telefonat Android
Kërkuesit kanë përdorur te dhjetë smartphone të ndryshëm Android një sistem të automatizuar për funksionimin e aplikacioneve dhe për të matur trafikun. Në asnjë prej rasteve, aplikacionet nuk e aktivizuan mikrofonin e smartphone. Megjithatë, studiuesit pranuan që përdorimi i munguar nga ana e një përdoruesi mund të kishte përjashtuar ndonjë rast në të cilin mikrofoni mund të ishte aktivizuar. Për të mos përmendur që kushtet e përdorimit të smartphone ishin të ndryshme nga ato të një përdorimi të përditshëm.
Por, aplikacionet u bëjnë screenshot ekraneve, pa pëlqimin tonë
Gjëja më e çuditshme është se disa prej këtyre aplikacioneve regjistruan foto apo video në ekran, duke ua dërguar më pas palëve të treta. Ndër to ishte edhe GoPuff, shërbim aktiv në rreth 30 qytete amerikane për të sjellë ushqimin në shtëpi, që ka marrë një screenshot të ekranit të smartphone, kur aplikacioni kërkonte kodin postar të vendbanimit, duke ia dërguar më pas shoqërisë së analizave të të dhënave Appsee. Pavarësisht se kjo e fundit nuk e ka fshehur kurrë se regjistrimi i aktiviteteve të përdoruesve është i nevojshëm për punën e shërbimeve në këtë sektor, problemi kryesor, siç vuri në pah Gizmodo, është që politika e GoPuff nuk e parashikon në mënyrë eksplicite faktin që bëhen screenshot të ekranit.
Burimi: Corriere della Sera