Nivele të larta në mesin e markave kineze, Samsung fiton për rezultatet më të ulëta. Si matet sasia e valëve elektromagnetike që përthithet nga trupi ynë, rreziqet dhe këshillat
Vlera e SAR
Dizajni, kohëzgjatja e baterisë, memoria e brendshme, madhësia e ekranit dhe çmimi janë ndër karakteristikat që marrim në konsideratë kur blejmë një smartphone të ri. Por njëra prej tyre, rrallë (për të mos thënë kurrë) merret në konsideratë: sasia e valëve elektromagnetike që emetohen nga pajisja dhe përthithen nga trupi ynë. Për të transmetuar informacione, smartphone-t përdorin fusha elektromagnetike me radiofrekuenca dhe, nëse bëjmë një telefonatë ose thjesht e mbajmë telefonin në kontakt me trupin tonë me Wi-fi apo me internetin që vë në dispozicion operatori telefonik, përthithim këtë energji. Sa? Ekziston një njësi matëse e cila quhet Specific Absorption Rate (SAR).
SAR llogarit sasinë e valëve elektromagnetike (në watt) që përthithen nga trupi (në kilogram) në një njësi kohe (mesatarisht 6 minuta). Pavarësisht se përdoruesit shpesh nuk janë të ndërgjegjshëm për valët elektromagnetike ndaj të cilave janë të ekspozuar vazhdimisht, ekzistojnë disa kufizime si në Bashkimin Europian, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një telefon që do të shitet. Po ashtu, pajisje “radioaktive” më shumë se të tjerat.
Në vitin 1998, Enti Europian, ICNIRP (International Commission on Non-Ionizing Radiation Protection), vendosi, në marrëveshje me Komisionin Europian, një kufizim për të kontrolluar sasinë e valëve elektromagnetike të radiofekuencave ndaj të cilave ekspozohen qytetarët. Çdo pajisje elektronike (jo vetëm smartphone) nuk mund ta kapërcejë vlerën maksimale SAR, 2 watt për kilogram. Në dy situata të ndryshme: kur mbahet pranë trupit (për shembull në xhep) dhe kur mbahet pranë veshit për të bërë një telefonatë.
Rregullat ndryshojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Federal Communications Commission e vlerëson një telefon “të sigurt” vetëm nëse niveli i tij SAR nuk i kalon 1,6 watt/kg. Edhe pse në pamje të parë, amerikanët duket se janë më të kujdesshëm ndaj këtij rreziku potencial, me rregulla më të ashpra, në të vërtetë, këto të fundit, janë përcaktuar duke marrë në konsideratë një gram pëlhurë mes pajisjes dhe trupit. Ndërsa në Europë, standardi është 10 gramë pëlhurë.
Duke u kthyer në Kontinentin e Vjetër, nga viti 2002, Enti Gjerman Federal Office for Radiation Protection (BfS) gjurmon vlerat SAR në të gjithë telefonat që gjenden në treg në një faqe online (http://www.bfs.de/SiteGlobals/Forms/Suche/BfS/EN/SARsuche_Formular.html?input_=6008110&submit=Search&resourceId=6050984&pageLocale=en) e cila është përditësuar në fund të gushtit me modelet që kanë dalë në 6-mujorin e parë të vitit 2018. Mjafton që të shkruani emrin e telefonit tuaj për të parë nëse vlera SAR i afrohet limitit 2 watt/kg.
Smartphone-t kinezë kanë vlerat më të larta
Situata është përmirësuar shumë me kalimin e kohës – por smartphone-t e kolosit Xiaomi – janë ndër ata me vlerën SAR më të lartë.
Për shembull Mi A1 arrin thuajse në limit, 1,75 watt/kg. Vlerat janë më të ulëta në modelin pasardhës: SAR te Mi A2 është 0,963 watt/kg. Sa i përket modelit më të mirë të kësaj kompanie, Xiaomi Mi8, SAR është 0,7 watt/kg. Ulje-ngritje ka edhe OnePlus. Në modelin 5T, shënohet vlera më e lartë e SAR, 1,68 watt/kg.
Pak më e ulët – 1,39 watt/kg, për modelin e mëpasshëm OnePlus 5, dhe edhe më e ulët për modelin e fundit që ka dalë në treg, 6, ku SAR zbret në 1,33 watt/kg. Në vendet e para në klasifikim gjenden edhe shumë telefona të kompanisë Huawei.
Në vendet e para Mate 9, me 1,64 watt/kg; P9 (1,43 watt/kg), SAR përmirësohet te P10 (0,96 watt/kg) dhe mbi të gjitha te modelet e fundit që kanë dalë në treg, P20 (0,75 watt/kg) dhe P20 Pro (0,73 watt/kg). Për sa i përket markës së dytë të Huawei, Honor, duhet thënë se vlera e SAR, te telefoni më i shitur në pjesën e parë të vitit 2018, Honor 10, është 0,79 watt/kg.
Apple, iPhone të rinj (dhe të vjetër)
Shkojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Cupertino. Vitet e fundit, edhe Apple i ka përmirësuar nivelet e SAR në smartphone-t e saj, që megjithatë ishin shumë të larta te iPhone 7 (1,38 watt/kg) dhe tek iPhone 7 Plus (1,24 watt/kg). Shifrat janë të ngjashme edhe për iPhone 8, 1,32 watt/kg) por niveli i SAR është shumë i ulët tek iPhone 8 Plus (0,99 watt/kg). Me revolucionin e iPhone X, niveli i SAR është 0,92 watt/kg.
Ndër modelet e kompanisë Apple, rekordin e mban iPhone 3GS, ku vlera e SAR është 1,75 watt/kg. Për sa i përket smartphone-ve të këtij viti, vlerat janë pak më të larta se modelet e mëparshme. Vlera e SAR te iPhone XS, XS Max e XR është 0,99 watt/kg. Mbetemi në SHBA, ku vlera SAR e smartphone-ve të Google është: 0,72 watt/kg te modeli Pixel 2, ndërsa te vëllai më i madh Pixel 2XL, niveli i SAR është 0,61 watt/kg.
Smartphone me vlerat më të ulëta të SAR, është Samsung. Te Galaxy J5, për shembull, vlera e SAR është 0,45 watt/kg. Vlerat janë edhe më të ulëta te Galaxy S9 (0,369 watt/kg) e S9+ (0,294), Note 9 (0,381 watt/kg) dhe Note 8 (0,17 watt/kg). Mbetemi në Kore, ku niveli SAR i modelit të fundit të kompanisë LG, G7, është 0,244 watt/kg.
Cilat janë rreziqet?
Duhet thënë, në çdo rast, se gjithë smartphone që shiten në Europë konsiderohen të sigurt vetëm nëse nuk i kapërcejnë limitet SAR të vendosura nga entet rregullarore. Po ashtu, duhet thënë se nuk janë të qarta pasojat e këtyre valëve elektromagnetike që absorbohen nga trupi, mbi të gjitha duke qenë se sot, koha që kalojmë me këto pajisje elektronike, është gjithnjë e më e madhe. Organizata Botërore e Shëndetësisë për momentin, i konsideron ato të sigurta, edhe pse pranon se nuk është ende në gjendje të llogarisë pasojat në afat të gjatë, pra më shumë se 15 vjet.
Këshillat
Valët elektromagnetike me radiofrekuencë gjenerohen nga antena e celularit dhe ngrohin veshjet me të cilat janë në kontakt. Këshilla e parë është që të mos flisni në telefon duke e mbajtur atë pranë veshit, por të përdorni kufjet në mënyrë që të mbani njëfarë distance ndaj pajisjes dhe trupit. Në veçanti kokën, për t’iu shmangur një ekspozimi të dëmshëm.
I njëjti diskutim edhe kur flitet për pjesët më delikate të trupit. Këshillohet që të mos e mbani kurrë smartphone në xhepat e pasmë të pantallonave – shumë pranë organeve gjenitale – por në çantë. Ndër të tjera është e këshillueshme të mos këmbëngulni ta përdorni pajisjen kur ka pak sinjal.
Në këto raste emetohet një sasi më e madhe valësh elektromagnetike, pasi antena po kërkon dëshpërimisht një rrjet telefonik. Këshilla e fundit: telefoni mund të qëndrojë pranë nesh kur flemë, në komodinë (por kurrë poshtë jastëkut). Gjëja më e mirë do të ishte ta fiknit. Nëse nuk mundni ose nuk doni për arsye të ndryshme, çaktivizoni internetin dhe Wi-Fi. Kështu gjithsesi do të jeni të arritshëm por do të kufizoni ekspozimin gjatë kohës që flini.
Smartphone me vlerat më të larta SAR
Në fund të gushtit, kur u azhurnuan databazat e Entit Gjerman Federal Office for Radiation Protection (BfS) me gjithë modelet e sapodalë në treg, Statista përpiloi klasifikimin e 10 smartphone më “radioaktivë”, duke marrë në konsideratë nivelin SAR të lejuar në Europë të smartphone-ve të pozicionuar pranë veshit.
Burimi: Corriere della Sera