Smartphone i parë i përthyeshëm nuk është Samsung… por FlexPai!

06/11/2018 5:19 PM 0 komente

Ata që mendonin se do të ishin Samsung apo Huawei të parët që do të prezantonin smartphone-n e parë të përthyeshëm, tani duhet të dorëzohen.

Dy kolosëve në fushën e teknologjisë u paraprin një prodhues i panjohur amerikan (Royole Corporation, me seli në Kaliforni).

Royole, e lindur nga një inxhinier nga Stanford në 2012-n, organizoi një event në San Francisko për t’i treguar gjithë botës pajisjen e saj, me ekran 7,8 inç dhe rezolucion 920 x 1440, që në thelb është një tablet që mund të përthyhet në dysh, duke u transformuar kështu në një smartphone.

Forma dhe mënyra e funksionimit të FlexPai të kujtojnë mjaft ato të Axon M, smartphone i realizuar nga ZTE, i prezantuar në mes të këtij viti, por teknologjia e ekranit ndryshon shumë.

FlexPai ka një ekran të vetëm OLED që përthyhet, por nuk thyhet. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për një pajisje unike në llojin e saj. Kjo të paktën deri sa Samsung të prezantojë Galaxy X apo Huawei modelin e ri me lidhje 5G.

Karakteristikat e FlexPai, smartphone i parë në botë me ekran të përthyeshëm

Sipas informacioneve, FlexPai ka karakteristika të një telefoni të top gamës. Në brendësi, gjejmë procesorin Snapdragon 8150, i shoqëruar nga 6 GB RAM (memoria e brendshme 128 GB) ose 8 GB RAM (memoria e brendshme 256 GB). Smartphone ka dy fotokamera, 16 dhe 20 megapixel. Sistemi operativ është Android 9 Pie, me ndërfaqje të personalizuar Water OS dhe bateri 3.800 mAh. FlexPai peshon 326 gramë; dimensionet janë 134 mm x 190.35 mm x 7.6 mm.

Ekrani i FlexPai mund të përfaqësojë një risi absolute për gjithë sektorin e telefonisë së lëvizshme. Kur telefoni është i mbyllur, është i pajisur me një ekran të dyfishtë (një në pjesën e përparme dhe një në pjesën e pasme) me diagonale 4 inç; kur telefoni hapet, përdoruesi do të ketë një ekran të vetëm 7,8 inç. Me fjalë të tjera, një lloj hibridi smartphone-tablet.

Gjatë prezantimit, sistemi operativ Water Os, një version Android i personalizuar, ishte jo dhe aq praktik. Ekrani vijonte të ndryshonte orientim, edhe kur nuk duhej (në versionin tablet është vertikal, ndërsa kur shndërrohet në smartphone është horizontal), aplikacionet hapeshin vetë, dhe kishte mjaft vonesa. Megjithatë Royole është duke punuar për të përmirësuar software e tij.

Duke parë karakteristikat, nuk duhet të habitemi për çmimin e lartë të këtij smartphone. Telefoni do të dalë së pari në tregun kinez në dhjetor, rreth 1300 dollarë versioni me 128 GB memorie të brendshme, ndërsa versioni me 256 GB memorie të brendshme, do të kushtojë rreth 1450 dollarë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of