Banka franceze Société Générale (SG) po tërheq biznesin e saj nga Evropa Qendrore dhe Lindore, njoftuan sot mediat bullgare.
Société Générale vendosi të fokusohet në pjesë të tjera të biznesit dhe të shesë aksionet në rajonet e lartpërmendura.
Media Capital.bg njoftoi për tërheqjen, duke thënë se SG nuk është e kënaqur me pozitën e tyre në këto tregje, pasi ata nuk janë udhëheqës në rajon. Blerësi i raportuar i biznesit të Société Générale në Bullgari është banka hungareze OTP, e cila nuk pranoi të jepte koment për marrëveshjen. Një blerës tjetër potencial është fondi amerikan Apollo Global, i cili gjithashtu refuzoi të konfirmojë ose mohojë zërat.
Dega bullgare e SG do të shitet së bashku me degët në 5 vende të tjera – Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Moldavia. Sipas artikullit të Capital, këto tregje janë të mbingarkuara dhe jo tërheqëse në këtë moment, prandaj SG është duke u larguar prej tyre, veçanërisht pasi bankat nuk janë as në top 3 të këtyre vendeve.
Edhe në Shqipëri OTP e interesuar?
Në Shqipëri, Societe Generale është banka e pestë më e madhe në vend, me një total aktivesh prej 83 miliardë lekësh, ose 5.8% e totalit të aktiveve në sistem, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Banka ka 8.3% të stokut të kredive dhe 6% të depozitave.
Banka Societe hyri në Shqipëri përmes blerjes së aksioneve të Bankës Popullore, në vitin 2007.
“Monitor” ka mësuar se edhe në Shqipëri ka shfaqur interes për blerjen e Societe Generale banka hungareze OTP. Kjo e fundit ka shprehur dhe më parë interes për Shqipërinë, kur konkurroi që të blinte Bankën e Kursimeve në fund të vitit 2003, që pas një gare të ashpër u mor në momentin e fundit nga austriakët e Raiffeisen.
Një tjetër bankë e interesuar mësohet se është austriakja Erste Bank.
Sistemi bankar ka hyrë në një fazë të ethshme shit-blerjesh. Banka Kombëtare e Greqisë u ble së fundmi nga banka Amerikane e Investimeve për 25 milionë euro. Tirana Bank ka dalë tashmë në shitje, ndërsa dhe banka të tjera të vogla janë në fazë tërheqjeje nga tregu vendas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.