Politikat fiskale, të të gjithë krahëve politikë, ideologjikë apo dogmatikë, në fund kanë një gjë të përbashkët – qartësinë, të cilën qeveria shqiptare duket e se ka dëmtuar rëndë, thotë eksperti për çështjet makroekonomike, Panajot Soko.
Duke renditur ndryshimet kontradiktore të ligjeve të taksave brenda një viti, Soko thotë se politika fiskale ka humbur logjikën.Ai shprehet se politika fiskale duhet të jetë pjesë përbërëse e një projekti më të madh që ka të bëjë me filozofinë e modelit të orientimit ekonomik të vendit.
Në një kohë që ekonomia ka përshpejtuar rritjen me rreth 4%, të ardhurat buxhetore kanë ulur ritmet e rritjes (janar-prill). A mendoni ju se, është me vend që të aplikohen përjashtime të reja?
Politika jonë fiskale ka qenë historikisht një rrëmujë me surpriza. Në fillim rritën taksat, pastaj zgjeruan procedurat, më pas i shkurtuan procedurat, pastaj rritën gjobat, më pas i ulën gjobat, pastaj rritën prapë taksat dhe sapo i rritën po i ulin prapë. Nga njëri krah, rriste taksat, nga krahu tjetër rriste PPP-të, trumbetonte shlyerjen e detyrimeve buxhetore ndaj kompanive si masë për uljen e kredive me probleme, ndërkohë që rezultoi që shlyerja e detyrimeve as që ndikoi fare në uljen e kredive; dhe pasi i shleu këto detyrime, filloi të krijonte detyrime të tjera.
Shembull i gjallë i kësaj që po them është lëvizja e fundit me rritjen e fashës së tatim fitimit për biznesin e vogël-të mesëm. Si ta shpjegoj faktin, përpara 6 muajsh qeveria vendosi të rriste taksat për 11.000 biznese të vogla duke i futur ato brenda skemës me TVSH, ndërsa sot po mendon të ulë tatimfitimin për rreth 10.000 biznese të vogla-të mesme? Cila është logjika pas kësaj lëvizjeje? Çfarë kanë më shumë këto 10.000 biznese që po iu ulet barra fiskale, sesa ato 11.000 të janarit që iu rrit barra fiskale?
Këto dy nisma janë përjashtuese dhe natyrisht nuk mund të qëndrojnë me njëra-tjetrën. Qeveria, ose beson se barra fiskale është e ulët dhe duhet rritur, ose mendon se është e lartë dhe duhet ulur; ose beson se lëvizja me barrën fiskale nuk ndikon në shëndetin e biznesit të vogël dhe qasjen e tij ndaj informalitetit, ose beson se ndikon.
Për të kaluar tek një rast tjetër. U ndërmor një nismë e tërë lehtësimi fiskal për hotelet me 4 dhe 5 yje, por askush nuk e di përse u ndërmor. A kishte qenë biznesi i hoteleve me 4 dhe 5 yje me humbje dhe duhej mbështetur për ta mbajtur gjallë atë? A po na binte fluksi i turistëve dhe industria kishte nevojë për një dorë nga shteti? Sepse rastet kur shteti ndërhyn me lehtësi fiskale, janë ato kur tregu nuk arrin dot të autogjenerojë “ushqimin” e nevojshëm për një industri të caktuar. A ishim ne në kushtet e këtij tregu anemik që do të na duhej të stimulonim fiskalisht industrinë e hoteleve me 4 dhe 5 yje? –Jo!
Unë besoj se lehtësi fiskale duhet të ketë, por ato duhen bërë bazuar mbi logjikën, jo mbi motivin. Ne kemi një problem shumë të madh me konsumin aktualisht, i cili shprehet qartë tek inflacioni i ulët. Konsumi nuk po del dot nga atrofizimi disavjeçar dhe meritën kryesore për këtë e kanë barra e lartë fiskale mbi një grup mallrash që determinojnë dinamikën e konsumit, si dhe barra fiskale mbi familjet. Nëse do të ndërmerret një nismë për lehtësim fiskal, personalisht do të shkoja për ulje të barrës fiskale mbi naftën, ulje të çmimeve të mallrave më sensitive siç janë uji dhe energjia elektrike dhe natyrisht ulje të taksave direkte mbi familjet (këto kryesisht taksa të pushtetit vendor).
Në këto kushte, vendi ka nevojë për politika që stimulojnë konsumin e familjeve, pasi konsumi familjar është bombola e oksigjenit të ekonomisë. Nëse nuk stimulohet konsumi, nuk do të arrijmë të kapim ato ritme rritjeje ekonomike që ne duhet të kapim në këto kohë. Pavarësisht se trumbetohet me të madhe rritja 3.8-4%, nëse i referohemi potencialit, rezulton që jemi totalisht nën kapacitet. BE po rritet me 2.3%, SHBA me 3%, ne duhet të ishim potencialisht në nivele rritjeje 4.5-5%. Por nuk jemi 5%, sepse konsumi, ai familjar kryesisht është në nivele shumë të ulëta dhe kjo për shkak të barrës së lartë fiskale.
Teksa buxheti ka rezultuar me suficit primar, borxhi publik nuk po ulet sipas parashikimeve. Pse po ndodh kjo dhe sa efektive ka qenë rritja e borxhit në këtë dekadë me më shumë se 10% të PBB-së?
Çështja e sjelljes së borxhit publik është vërtet diçka përtej shqetësueses. Ne patëm një politikë që rriti taksat, rriti të hyrat në buxhet dhe përsëri treguesit e borxhit mbetën duke u përkeqësuar, e pra kjo nuk është më çështje ekspertize, por çështje e organeve ligjzbatuese. Nga 2013 e këtej janë rritur taksat me një efekt rreth 1 miliard euro mbi taksapaguesit për 4-5 vjet, dhe nëse i referohemi kondicionit real të investimeve publike të shërbimeve dhe investimeve publike do të duhej që e gjithë kjo shumë të kishte shkuar për shlyerjen e borxhit, pasi shërbimet dhe investimet qeveritare që shqiptarët kanë marrë, kanë qenë të njëjta me ato që janë marrë para rritjes së taksave, ç’ka na çon në përfundimin logjik që barra e shtuar fiskale do të kishte shkuar për shlyerje borxhi. Por kjo nuk ka ndodhur, madje e kundërta ka ndodhur. Në 2013-n, borxhi publik kapte shifrat e 6.3 miliardë eurove, ndërsa sot shifra e stokut të borxhit është rreth 8.3 miliardë euro, domethënë është rritur borxhi me 2 miliardë euro.
FMN gjeti detyrime të fshehura në masën 205 milionë euro. Sa e rrezikon stabilitetin fiskal?
Më tepër sesa një rrezik kinetik, borxhet e fshehura janë potencial për t’u shndërruar në rrezik nëse ato dalin nga kontrolli. Natyrisht që pjesa më e madhe e këtij borxhi është ligjërisht e rregulluar (po flas për TVSH-në e parimbursuar ndaj kompanive) dhe kjo s’do të duhej të ishte problem nëse do të zbatohej ligji. Por fakti është që ligji nuk po zbatohet dhe kjo ka çuar në krijimin e kësaj situate.
Nuk besoj se përbën një problem për stabilitetin fiskal ulja e detyrimeve, pasi e vetmja gjë që do të prekej do të ishte surplusi primar, i cili, për të qenë të sinqertë në pjesën më të madhe të tij, i dedikohet pikërisht këtij borxhi. Pra, ne kemi sot suficit primar, kryesisht jo sepse kemi performancë të përmirësuar, por sepse qeveria nuk zbaton ligjin dhe nuk shlyen detyrimet që i ngarkon ligji. Me shlyerjen e këtyre detyrimeve, qeveria do të vijë me këmbë në tokë dhe do të shikojë realisht situatën e performancës fiskale.
Çfarë këshilloni ju në lidhje me politikat fiskale?
Pikë së pari, doja të theksoja që në momentin aktual që po kalon vendi, kur ne jemi duke u bërë gati për të hyrë në dekadën e fundit të autonomisë sovrane, e cila do të reduktohet me hyrjen në BE, mendoj se na duhet të mendojmë për shumë më tepër sesa thjesht politika fiskale. Ose më saktë, politika fiskale duhet të jetë pjesë përbërëse e një projekti më të madh, që ka të bëjë me filozofinë e modelit dhe arkitekturës së orientimit ekonomik të vendit.
Në një situatë ideale, do të guxoja të ëndërroja që të paktën për këto kohë, deri në bërjen gati të vendit për të hyrë në BE, Shqipëria të drejtohej nga teknokratë jo-politikë, të çdo fushe, të cilët, si një ekip riparuesish makinash, do të rregullonin dhe përditësonin çdo fushë të jetës së vendit, me kushtet dhe kërkesat që realiteti i ri i Shqipërisë europiane do të kërkonte.
Në këtë kuadër, mendoj që edhe politika fiskale, si një pjesë përbërëse e nismës së europianizimit, do t’i përshtatej formës së re që do t’i jepej ekonomisë shqiptare, duke qenë ndihmëse në theksimin e sektorëve prioritarë dhe avantazheve krahasuese dhe pse jo, dhe duke dhënë një dorë edhe në avantazhet konkurruese që realiteti i ri do të sillte. Pra e shoh politikën fiskale si një mjet që i shërben krijimit të një ekonomie të re, që do të përmbushte kërkesat dhe do t’i përshtatej të nesërmes europiane të Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.