Sondazhi: Studentët, pak njohuri për tregun e kapitaleve

14/04/2018 10:00 PM 0 komente

Edukimi i publikut dhe sidomos i brezave të rinj shihet si një ndër elementët e rëndësishëm në zhvillimin e tregjeve financiare jobankare.

Një anketim me studentë, i ndërmarrë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, konstaton se njohuritë e tyre për tregjet financiare jobankare, në mbi 90% të të intervistuarve, janë të pakta dhe të pamjaftueshme lidhur me letrat me vlerë, fondet private të pensioneve apo edhe fondet e investimeve.

Për tregun e sigurimeve, niveli i informacionit është më i lartë, por i lidhur kryesisht me produkte të sigurimeve të detyrueshme, apo produktet që i lidhin studentët me procedurat e regjistrimit në shkollë. Anketimi u realizua me studentë që i përkasin moshave 18-25 vjeç, të fakulteteve ekonomike dhe juridike të disa universiteteve publike dhe private në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan në periudhën tetor 2017 – mars 2018.

Duke interpretuar rezultatet e marra nga ky anketim është e nevojshme që edukimi financiar duhet të shtrihet më herët, që në nivelin e shkollës 9-vjeçare e të mesme, por ajo çfarë është më e rëndësishme, ky edukim me konceptet financiare duhet të jetë edhe më i thelluar. Lidhur me informacionin për tregun e sigurimeve është interesant të vlerësohet se pyetjes se a mendoni se sigurimi i pasurisë nga fatkeqësitë natyrore (tërmetet, përmbytjet) është një sigurim i nevojshëm që duhet ta bëjnë të gjithë qytetarët, 81% e të anketuarve i përgjigjen pozitivisht. Po kështu rreth 70% e studentëve të intervistuar mendojnë se ata apo familjet e tyre mund të paguajnë për sigurime vullnetare shifra mesatare vjetore që luhaten nga 10,000-30,000 lekë në vit. Dhe interesimi i tyre më i madh është për sigurimin e Jetës dhe të Shëndetit.

Përsa i përket dy tregjeve të tjera financiare jobankare, tregu i pensioneve private vullnetare dhe tregu i kapitaleve e fondeve të investimeve, mungesa e informacionit i bën studentët më pasivë për pjesëmarrjen në to. Më tepër se 70% e përgjigjeve të studentëve të anketuar, pohojnë se nuk janë të gatshëm për t’u përfshirë në skema të tilla.

Nga përgjigjet shpjeguese të studentëve ky hezitim lidhet kryesisht me nivelin e të ardhurave, por po kështu edhe me paqartësinë për mundësitë e rreziqet që ato përmbajnë si edhe me mungesën e informacionit. Mungesa e informacionit ka ndikuar edhe në përzgjedhjen dhe dallimin midis investimit në fonde të pensioneve private vullnetare dhe në fonde të investimeve, ku studentët dukshëm preferojnë më tepër përfshirjen në fondet e investimeve.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar një strategji që parashikon disa aktivitete të cilat synojnë të rrisin praninë e AMF-së te publiku, informacionin për publikun mbi rolin e AMF-së dhe tregjet që ai rregullon dhe mbikëqyr. Ato përqendrohen në çështjet me prioritet të lartë, dhe të merren parasysh në kuadrin rregullator dhe administrativ dhe të konsiderohen si një mjet për nxitjen e rritjes ekonomike, besimit dhe stabilitetit, së bashku me rregullimin e institucioneve financiare nën mbikëqyrje dhe mbrojtjen e konsumatorit/investitorit. Ky është një proces i vazhdueshëm dhe merr parasysh rritjen e kompleksitetit të tregjeve financiare nën mbikëqyrje si dhe nevoja të ndryshme informuese në faza të ndryshme të këtyre tregjeve.

Megjithatë mendohet që puna dhe strategjitë për edukimin financiar japin efekt më të madh nëse ato shtrihen në nivel kombëtar dhe me përpjekje të kombinuara nga disa institucione. Kështu bashkimi i përpjekjeve të Autoritetit me Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, medias si edhe organizmat ndërkombëtarë për hartimin dhe zbatimin e një strategjie kombëtare do të sjellë rritje të nivelit të edukimit financiar në vend.

 

*Diana Kalaja
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of