Sipas Huawei dhe Samsung, në të ardhmen, smartphone do të jenë të përthyeshëm, por patenta e fundit e depozituar nga Sony flet për një projekt të një telefoni edhe më revolucionar: smartphone transparent.
Patenta e smartphone transparent të Sony tregon një pajisje me një ekran që në pamje të parë duket ekrani i një telefoni të zakonshëm, por sipas nevojës, mund të bëhet transparent dhe të shohim përmes.
Teknologjia e përdorur duhet të jetë një panel i dyfishtë OLED që, në varësi të përdorimit dhe zgjedhjeve të përdoruesit, mund të bëhet transparent ose të kthehet në një ekran klasik me rezolucion të lartë. Sipas patentës së depozituar nga kompania japoneze, këto panele OLED me dy shtresa, mund të bëhen “të padukshëm”, por edhe të përthyhen dhe të rrotullohen. Ky aspekt na bën të mendojmë që telefoni i ardhshëm i Sony me ekran transparent do të jetë edhe i përthyeshëm.
Patenta është depozituar në maj të 2018-s në Zyrën Botërore të Pronësisë Intelektuale, por është publikuar vetëm disa ditë më parë nga LetsGoDigital.
Për çfarë shërben smartphone transparent i Sony?
Të themi të vërtetën, realizimi i një ekrani “transparent” nuk është i pamundur, për teknologjitë që përdorim sot. Nëse sjellim ndër mend Huawei Mate 20 Pro dhe OnePlus 6T, të dy telefonat në pjesën e ekranit të dedikuar për zhbllokimin me gjurmë dixhitale janë pak transparent për të bërë leximin korrekt të gjurmëve.
Për çfarë mund të na shërbejë një smartphone transparent?
Për shembull, për të përdorur edhe më shumë realitetin e shtuar. Në këtë mënyrë, nuk do të kemi nevojë për syze të realitetit virtual apo pajisje të tjera shtesë: thjesht duke vendosur smartphone në mënyrën e duhur, mund të shohim informacione “shtesë” rreth mjedisit që na rrethon në ekranin e pajisjes. Por mund të jetë edhe një funksion i thjeshtë sigurie për ta përdorur smartphone ndërkohë që ecim duke qenë gjithnjë të kujdesshëm se ku i hedhim këmbët.