Në rast se Spanja fiton Kampionatin Botëror të Futbollit Rusi 2018, çdo lojtar do të fitojë 400 mijë euro. Në pritje të nënshkrimit të kontratës, Kombëtarja iberike dhe Federata spanjolle kanë arritur tashmë një konsensus.
Në rast fitore të Kupës së Botës, çdo lojtar do të fitojë 800 mijë euro bruto: sipas asaj që bën të ditur e përditshmja Marca, çdo lojtar i zgjedhur nga trajneri Julen Lopetegui do të fitojë 400 mijë euro neto. Megjithatë marrëveshja nuk është firmosur ende për shkak të situatës së veçantë në Federatën Spanjolle.
Takimi ishte vendosur pikërisht gjatë ndeshjeve miqësore në mars, në mënyrë që kur të afrohej faza finale e Botërorit të mos kishin asnjë problem, të paktën sa i përket anës ekonomike.
Pas zgjedhjeve në Federatën Spanjolle, lojtarët do të takojnë Fernando Hierro (ish-kapiteni i Real Madridit dhe aktualisht drejtor sportiv i Federatës) dhe presidentin e ri për të miratuar gjithçka. Megjithatë, nuk duhet të ketë surpriza, pasi marrëveshja verbale është gjetur.
Këto shpërblime janë rritur krahasuar me të kaluarën. Për Kupën e Botës 2010, të luajtur në Afrikën e Jugut, shpërblimi ishte 600 mijë euro bruto për çdo lojtar. Në rast të mbrojtjes së titullit katër vjet më vonë, në Botërorin 2014 në Brazil, shpërblimi do të shkonte në 720 mijë euro bruto.