Gjatë CES 2017 (Consumer Electronics Show) – eventi më i madh i teknologjisë në botë që zhvillohet në Las Vegas, Speed prezantoi krijimin e saj të fundit: Biçikletën Unicorn, një ndër të parat me sistem operativ Android.
Kjo biçikletë inteligjente është në fazë financimi në Kickstarter dhe sjell disa risi teknologjike që do t’i shtyjnë ta blejnë të gjithë ata që janë të pasionuar pas saj.
Mes opsioneve të ndryshme teknologjike është ekrani 2,2 inç, i pajisur me sistem operativ Android. Kjo do t’ju japë mundësinë të dini në kohë reale distancën e përshkuar, shpejtësinë, por edhe të dhëna më specifike, si për shembull fuqia në Vat. Kjo falë sensorëve që janë të instaluar në timon. Ekrani është me ngjyra dhe kompania garanton se ai do të jetë i dukshëm edhe nën dritën e diellit dhe gjithashtu do të ketë autonomi mbi 20 orë. Timoni, përveç sensorëve, ka edhe butona për të ndërvepruar me ekranin pa e prekur atë.
Nëpërmjet ekranit touch do të mund të shikoni në çast të dhënat e mbledhura, që nga shpejtësia e deri te ritmi kardiak.
Të dhënat komplekse që Unicorn arrin të përpunojë u lejojnë përdoruesve të mos blejnë pajisje shtesë përveç biçikletës.
Për të ditur të dhënat e mbledhura gjatë kohës së stërvitjes mjafton që të lidhni biçikletën me smartphone-n tuaj nëpërmjet Bluetooth. Biçikleta e re inteligjente SpeedX, e realizuar me Hiper Karbon, do të peshojë 850 gramë.
Çmimi fillestar është 3,499 dollarë për biçikletën që përfshin shalën Fizik R3, me dy rrota Xero SpeedX Carbon (njëra) dhe Shimano Ultegra Di2 (tjetra). Modeli më i shtrenjtë arrin deri në 4,599 dollarë, ndërsa i ashtuquajturi Edicioni X do të kushtojë 5,899 dollarë dhe do të ketë një shalë të tipit Fixik R7 dhe rrota Zipp 303.
Biçikleta përshtatet në çdo lloj rruge
Biçikleta përshtatet në çdo lloj rruge; asfalt i lagur, kalldrëm, pa i krijuar asnjë lloj problemi çiklistit. Falë frenave hidraulike garanton një siguri më të madhe krahasuar me çdo lloj biçiklete tjetër në treg. Dhe distanca e përshkuar nuk është problem; sa më shumë kilometra të bëni me biçikletën SpeedX, aq më shumë do të ndjeni konfortin.
Falë mekanizmit power meter do të mundni të bëni stërvitje specifike për të rritur fuqinë. Biçikleta është ndërtuar në mënyrë të tillë për t’i garantuar sigurinë maksimale çiklistit në çdo moment të stërvitjes.