Për sa i përket sektorit bujqësor, fermerët dhe investitorët në këtë fushë presin një vit të ngjashëm me atë që kaloi.
Në këtë sektor, problemi më madhor, i cili sipas aktorëve në këtë industri pengon zhvillimin e saj, vazhdon të mbetet mungesa e sistemit të kullimit dhe ujitjes. Lulzim Metaliu, pjesë e agrobiznesit prej 26 vitesh, thotë se ky sistem vazhdon të jetë si në periudhën e mesjetës.
Zgjidhje për situatën do të ishte adresimi i drejtë i investimeve dhe vazhdimi i atyre të nisura.
Ky problem, prej shumë vitesh, është faktori kyç që iu kushtëzon sipërfaqen e mbjellë të tokës bujqësore. Kjo do t’i jepte zgjidhje dhe problemit të fragmentarizmit të saj. Aktualisht, terrenet bujqësore janë braktisur masivisht dhe fermerët e vegjël, duke mos parë leverdi, u japin me qira tokat bujqësore.
Eksportet bujqësore priten njëlloj me vitin e kaluar, megjithatë, Ruzhdi Koni nga Agro Koni, thotë se nuk e përjashton mundësinë e rritjes së kërkesës nga jashtë, apo të futjes në tregje të reja. Monedha e forcuar vendase ka prekur dhe eksportet bujqësore, së pari duke ndikuar drejtpërdrejt te fitimet nga eksportet dhe së dyti duke bërë produktet e importit relativisht më të lira. Ndërsa Metaliu thotë se do të preferonin një kurs që luhatet në vlerat 138-139 lekë për 1 euro.
2017-a parashikohet të jetë një vit i mbarë për sa u përket bimëve mjekësore. Lulëzimi thotë se pas një viti të suksesshëm të kultivimit të sherbelës, po planifikon dyfishimin e sipërfaqes së mbjellë me këtë kulturë.
Për sa u përket kushteve klimatike dhe përmbytjeve, zoti Koni thotë se moti tepër i ftohtë i ditëve të para të vitit 2017 do të ketë ndikim kryesisht te fidanët. Megjithatë, në përgjithësi, natyra ruan ekuilibrat, pasi në kultura të ndryshme moti ka ndikime të ndryshme. Sipas tyre, problemi më madhor është se Shqipëria nuk ka një kulturë që të mbillet më shumë se të tjerat dhe të jetë karakterizuese për bujqësinë në vend.
Ndërsa për përmbytjet janë në varësi të motit, vetë ata nuk kanë marrë masa paraprake për situata të paparashikueshme. Në rast reshjesh të dendura do të ketë përmbytje të tokave bujqësore.
Rreziku i motit…
Bujqësia shqiptare është ekspozuar ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Gjithnjë e më shumë, përmbytjet e temperaturat ekstreme janë duke u shndërruar në faktorë madhorë risku duke krijuar miliona euro humbje për ekonominë familjare. Nga ana tjetër mungojnë tërësisht mjetet mbrojtëse si sistemet e sigurimeve, subvencionet dhe kompensimet.
Në të njëjtën situatë gjendet e gjithë zona e Lushnjës dhe nëse situata vijon të jetë e tillë, humbjet në bujqësi do të jenë të mëdha, pasi do të zgjasë sezonin e mbjelljes. Fermerët pohojnë se furnizimi në treg nuk do të ndihet shpejt se ende ka rezerva në magazina, porse në vijim do të ndihen mungesa pasi prodhimet e stinës, preshi, spinaqi, sallata dhe brokoli kana ngrirë tërësisht.
Ilir Mile nga Shoqata e Fermerëve Rrupaj në Lushnjë thotë se, acari ka dëmtuar të gjithë zinxhirin e prodhimeve të serës që nga fidanët dhe deri te perimet që ishin në vjelje. Sipas informacioneve nga terreni, gati e gjithë sipërfaqja serë është gjetur e mbjellë në këto kohë me fidanë dhe prodhime të dimrit teksa është dëmtuar domatja e vonë që furnizonte tregun aktualisht.
Ai tha se këto temperatura jo të zakonshme i kanë gjetur serat plot duke i ngrirë masivisht dhe njëkohësisht duke shkaktuar humbje të mëdha për fermerët e zonës, të cilët me shitjen e prodhimeve të dimrit bëheshin gati të përballonin kostot për mbjelljet e sezonit.
Mungesa e prodhimeve do të ketë padiskutim ndikim dhe tek çmimet në treg.
—————
Problematikat e 2016-s për sektorin e bujqësisë, sipas aktorëve të industrisë
- Niveli i lartë i çmimeve
- Trajtimi me hormone i kulturave të ndryshme bujqësore
Veccanërisht i domates, e cila po prodhohet masivisht dhe në periudhat kur nuk është sezoni i saj.
- Braktisja e tokave bujqësore
Sipas aktorëve të industrisë, njerëzit kanë humbur interesin tek toka bujqësore dhe e kanë braktisur atë masivisht.
- Kanabizimi
Marzhet e ulëta të fitimeve në bujqësi, problemet me sipërfaqet e vogla, risku i motit, farat e skaduara bënë që shumëkush të joshej nga kultivimi i hashashit, që pavarësisht riskut pakrahasimisht më të lartë, sjell rekord të ardhurash për sipërfaqe, në raport me çdo prodhim tjetër bujqësor dhe ka kthim shumë të shpejtë fitimi.
- Mungesa e punëtorëve
Nëse më parë me anë të një telefonatë mund të grumbulloje deri në 20 punëtor, sot me shumë vështirësi mund të bësh bashkë 6 deri në 7 punëtor, të gatshëm për të punuar në bujqësi, tha për Monitor Lulzim Metaliu. Me të ardhurat ditore, që arrijnë deri në 5,000 lekë në momentin që pastrohen bohçet (pjesë e procesit teknologjik), shumëkush nga zonat rurale, por edhe ato urbane nuk ka interes të punojë në punë krahu që paguajnë relativisht pak, si bujqësia.
- Mungesa e shifrave zyrtare dhe të sakta për bujqësinë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.