Vlera e tregut të sponsorizimeve sportive në Europë në vitin 2018 ka arritur një shifër rekord prej 20.07 miliardë euro. Kjo e dhënë bëhet e ditur nga European Sponsorship Association (ESA).
“SportsProMedia” shpjegon se tregu është drejtuar kryesisht nga vendet e mëdha dhe nga eventet sportive botërore, si Lojërat Olimpike dimërore në PyeongChang dhe Kampionati Botëror i Futbollit, Rusi 2018. Sipas raportit të ESA, sektori sportiv është rritur me 8,7% vitin e kaluar.
Ky është viti i tretë, ku vlera e sponsorizimeve sportive në raportin vjetor të ESA regjistron rritje. Kjo vlerë ishte 18,17 miliardë euro në vitin 2016 dhe 18,46 miliardë euro në vitin 2017. Shuma rekord kombinon vlerën e marrëveshjeve ekskluzive për tregjet e veçanta europiane, atë për eventet paneuropiane përveçse kuotës europiane të marrëveshjeve nga evente botërore.
Sipas ESA, duke marrë në konsideratë edhe sektorin josportiv, totali i tregut të sponsorizimeve është rritur në 30,1 miliardë euro.
Raporti thekson se rritja ishte më e theksuar në Gjermani (+7,3% në 6,02 miliardë euro) dhe Mbretërinë e Bashkuar (+9,1% në 4,3 miliardë euro) me tregje më të vogla që kanë pasur një rritje më të ulët.