Drejtoria e Përgjithshme e Standartizimit raportoi se vitin e shkuar u adoptuan në total 2839 standarde nga të cilat 2,146 janë Standarde Europiane ose rreth 97% e totalit të standardeve të CEN (Komisioni Europian për Standarditizmin) dhe CENELEC (Komiteti Europian për Standartizimin Elektromekanik) kurse 693 janë Standarde Ndërkombëtare.
Sipas DPS janë adoptuar 100% standardet europiane të harmonizuara si standarde shqiptare të harmonizuara por problem mbetet adoptimi i tyre vetëm me përkthim të faqes së parë.
Në raportin e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Standarditizmit ka bërë të ditur se është vënë re një rritje e interesit të biznesit për të blerë standarde çka ka rezultuar me një rritje të shitjeve për institucionin.
“Janë shitur gjithsej 1,361 standarde, nga të cilat 1,124 janë standarde europiane. Gjatë vitit 2017 është vërejtur një rritje e kërkesave brenda vendit për blerje standardesh. Janë shitur 713 standarde, nga 500 në 2016” vlerëson DPS.
Referuar statistikave zyrtare më tepër interes për standard në vitin 2017 ka pasur kërkesat dhe metodat e provës për lëndët djegëse të lëngëta për automjete, pajisje dhe aksesore për rezervuarët.çisternat me gaz të lëngët dhe metodat e provës së cilësisë së ujit.
Sipas faqes zyrtare të DPS lidhur me koston e një standardi, institucioni bën të ditur se çmimi për një standard shqiptar varion nga 1190 lekë deri në 25882 lekë dhe për bashkëpunëtorët çmimet shkojnë nga 595 lekë deri në 12941 lekë. Çmimet e standardeve shqiptare (S SH) janë afërsisht sa 30 përqind e çmimeve të standardeve ndërkombëtare.
Blerësit e standardeve mund të jenë studentë, persona (fizik apo juridik), bashkëpunëtorë apo biznese. DPS aplikon zbritje në për studentë, bashkëpunëtorë dhe persona që blejnë më shumë se 10 standarde.
Një standard mund të blihet pranë zyrave të DPS ose të porositet edhe online përmes faqes zyrtare të drejtorisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.