Kanë kaluar vetëm tre vjet që nga koha kur në Shqipëri filloi të frynte era e start-up-eve. Sipërmarrje të reja, që nuk kanë të bëjnë vetëm me fillimin e një biznesi, por me idetë inovatore që sjellin, me faktin që synojnë një rritje të shpejtë dhe të përshkallëzuar. Tirana është “inkubatori” ku po rritet numri më i madh i start-up-eve. Natyra e këtyre sipërmarrjeve i përket kryesisht fushës së teknologjisë së informacionit, por edhe shërbimit e argëtimit. Për vitin 2016, qeveria do të vërë në dispozicion një fond me vlerë prej 10 milionë lekësh, gati dy herë më i lartë se viti aktual. Ekspertët thonë se është sektori privat, kompanitë me më shumë përvojë, ato që duhet të mbështesin start-up-et.
Nga Elona Bedalli
N.O.X (Night Out Experiences) është një aplikacion për celularin, i cili synon të ndryshojë mënyrën e argëtimit të qytetarëve. Atyre iu jepet mundësia që të provojnë diçka ndryshe dhe duke zgjeruar horizontin në të njëjtën kohë. P.sh., nëse dikush kalon pranë një bari/club-i/restoranti/ apo një vendi tjetër interesant që është i lidhur me N.O.X, përdoruesve do t’u dalin njoftime për produkte të reja.
Ai është krijuar nga dy të rinj, Renis Krisafi dhe Erik Tamo, të cilët janë shpërblyer edhe si fitues të “Start-up weekend Tirana”, një rrjet që mbledh të rinj që provojnë idetë novatore të kësaj fushe, edicioni i pestë i të cilit u zhvillua rreth një muaj më parë. Aplikacioni i dy të rinjve pret që të finalizohet brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.
Ndërsa Albi Zhulali është një sipërmarrës, i cili e nisi karrierën në industrinë e internetit në moshën 15-vjeçare. Shumë shpejt ai krijoi një forum ndërkombëtar që vizitohej nga qindra mijë ndjekës nga e gjithë bota. Në moshën 17-vjeçare, Albi themeloi kompaninë e tij të parë për zhvillim faqesh interneti, me klientë disa nga kompanitë më të mëdha në Shqipëri. Ai është themelues i Pinguin Technology dhe i Startups.al. Sfida e tij e madhe e momentit është sipërmarrja e tij më e re, e cila mban emrin Sofmogul. Startups.al po lidh kontratë me një kompani investimesh në Berlin.
Kjo marrëveshje ka në thelb mundësinë e identifikimit të start-up-eve shqiptare me shanse zhvillimi përtej kufijve të Shqipërisë dhe ofrimit të investimeve për t’i çuar ato më tej si biznese në tregun ndërkombëtar.
Por, ka edhe një vend ku lindin dhe krijohen idetë inovatore, ai quhet Garazh.
Në vetvete, ajo që tre themeluesit kërkonin ishte ngritja e komunitetit të start-up-eve në Shqipëri, jo vetëm themelues, jo vetëm IT, jo vetëm inxhinierë, jo vetëm dizajnerë, por të gjithë së bashku me aktorët tashmë në lojë. Veprimtaria është e thjeshtë, çdo ndryshim nis nga edukimi, për këtë arsye, përqendrimi do të jetë edukimi, i cili falë rritjes së ndërgjegjësimit për sipërmarrjen start-up dhe inovacionin, në terma afatgjatë do të hapë mendjen e të rinjve shqiptarë, duke i bërë më të prirë ndaj ndryshimeve dhe ideve novatore.
Garazh është një organizim i ri dhe inovativ, i ngritur me qëllim të ofrojë mbështetjen e komunitetit shqiptar të start-up, IT si dhe entuziastëve të sipërmarrjes inovatore.
Për të gjithë ata që tashmë e kanë nisur rrugën e tyre, Garazh do t’i ndihmojë me trajnime të vazhdueshme në lidhje me fushat që interesojnë start-up-et. Tashmë programi përfshin një larmishmëri trajnimesh mbi gjuhë të ndryshme kodimi, teknika shitje e marketing dixhital, sipërmarrje, gjetje dhe menaxhim burimesh financiare.
Ndër aktorë të tjerë të rrjetit të startup-ve mund të përmendim edhe Startup Weekend dhe Talent Garden ( TAG) që ofrojnë shërbime të ndryshme, duke plotësuar rrjetin e ekosistemeve.
Këto janë vetëm disa nga shembujt e një komuniteti, siç janë start-up-et, që gjithnjë e më shumë po zhvillohen në një mjedis aspak të lehtë siç është Shqipëria. Kjo, duke marrë në konsideratë renditjen që Shqipëria (vendi i 76-të) kishte në atë që njihet si Indeksi Botëror i Sipërmarrjes për vitin 2016. Një përkeqësim referuar vitit 2015, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën nga vendet e rajonit.
Ky është një indeks që mat shëndetin e ekosistemeve në 132 shtete. Shqipëria arriti të grumbullonte 56.1 pikë sa i përket treguesve për individët dhe 47.9 pikë për cilësinë e politikave sociale dhe ekonomike.
Në raport renditeshin pikat e forta dhe të dobëta të Shqipërisë. Ndër dizavantazhet që ka terreni shqiptar, vlerësohen: pranimi i rrezikut, produkti inovativ dhe procesi inovativ, si dhe mundësitë për të zhvilluar start-up-e. Ndërsa vlerësohen pozitivisht aspekte si aftësitë për të realizuar start-up-e, rritja e lartë, ndërkombëtarizimi dhe burimet njerëzore.
Një start-up do të thotë të rrezikosh për një ide dhe ndaj motoja është “Bëje botën një vend më të mirë”. Natyrisht Tirana nuk është “Silicon Valley”, pasi start-up-et kanë nisur të shfaqen vetëm tre vjet më parë. Megjithëse një kohë e shkurtër, qyteti ofron një numër të konsiderueshëm aktivitetesh ku mund të shfaqen idetë inovatore dhe më pas të nisin të marrin trajtën e plotë të produkteve apo shërbimeve. Komuniteti i start-up-eve është i ri dhe energjik dhe drejtohet nga të rinj me ambicie që besojnë fort se start-up-et kanë një të ardhme të sigurt në Shqipëri.
Megjithatë, ekspertët që operojnë në fushën e start-up-eve thonë se nga ideja e një biznesi e deri te shitja e produktit, rruga që duhet të përshkojë çdo sipërmarrës është e gjatë.
Hapi i parë, por jo domosdoshmërish i nevojshëm, është pjesëmarrja në një garë idesh, si për shembull Startup Weekend apo Startup Live. Këto gara njihen masivisht si “startup-e”, por në vetvete ky perceptim është i gabuar. Ajo që këto gara bëjnë është
vetëm një filtër i idesë dhe marrja e disa sugjerimeve nga mentorët. Fituesit e këtyre garave e kanë njëlloj të vështirë rrugën drejt krijimit të një startua-i të suksesshëm. Pas këtyre garave, rruga natyrale të çon tek prodhimi i një produkti minimal, funksional (MVP). Kjo mund të bëhet shumë mirë në inkubatorë apo
akseleratorë. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi mund të thuhet që ka diçka që mund të marketohet, të gjenerojë të ardhura dhe të regjistrohet. Produkti apo ideja mund të marrë investime në çdo fazë të ciklit të jetës së startua-it. Në fillim, kur
produkti nuk ekziston, investimet quhen “Seed Investment” (Investime Fare). Investimet mund të jenë borxh, pjesë e të ardhurave, por përgjithësisht janë të tilla përkundrejt kapitalit.
Start-up-et, në vitin 2016, fondi 10 mln lekë
Në shtator 2014, qeveria vendosi krijimin e një fondi mbështetës për sipërmarrjet e reja, start-up, i cili do të kishte një kohëzgjatje prej 4 vjetësh. Vendimi konsideronte sipërmarrje të re ose “start-up” një kompani të sapokrijuar dhe që ishte në kërkim të tregjeve. Burimi kryesor i financimit është shteti, por nuk përjashtohen edhe donatorët e huaj apo institucionet financiare ndërkombëtare. Gjashtë janë sektorët që sipas këtij vendimi mund të përfitojnë nga këto fonde: prodhimi dhe shërbimet, industria e lehtë, turizmi, kërkimi dhe zhvillimi, agropërpunimi, si dhe dizenjimi, modelimi dhe artizanati. Në vitin 2014, qeveria kishte përcaktuar se nga këto fonde mund të përfitonin vetëm ato start-up-e që ishin të regjistruara në QKR për një periudhë prej 1-2 vitesh. Por, vetëm pak kohë më parë, qeveria për të nxitur këto sipërmarrje të reja, si dhe për t’i dhënë atyre më shumë mundësi financimi, vendosi të ndryshojë këtë periudhë dhe ta bëjë nga 0-2 vit regjistrim në QKR. Sipas drejtuesve të Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve për vitin 2015, fondi i vënë në dispozicion prej 4 milionë lekësh është disbursuar në masën 100%, në 12 projekte në total. AIDA është edhe institucioni që bën monitorimin e përdorimit të këtij fondi përmes dokumentacionit, por edhe me inspektime në terren. Tirana është qarku që ka pasur numrin më të madh të projekteve që kanë përfituar. Pjesa më e madhe e aplikuesve që kanë fituar i përkasin sektorit të shërbimeve. Për vitin 2016 ky fond do të arrijë në 10 milionë lekë dhe parashikohet që numri i projekteve që do të përfitojnë të arrijë mbi 30.
Por, si mund të përfitojnë sipërmarrësit e rinj? Drejtuesit e AIDA-s shprehen se fondi mbulon 70% të kostove të pranuara dhe të miratuara nga komisioni vlerësues, në varësi të projektit konkurrues, por jo më shumë se 300 mijë lekë. Në këto kosto përfshihen: investime në pajisje dhe teknologji, marketing dhe promovim; kualifikim dhe trajnim; krijim faqe interneti dhe materiale promovuese; pjesëmarrje në panaire.
Natyrisht që janë edhe disa kushte që duhet të plotësohen. Kompanitë start-up duhet të jenë të kualifikuara në mikro ose të vogla; të kenë selinë kryesore brenda vendit; të kenë një plan biznesi, si dhe të jenë të afta ta zbatojnë sipas aktiviteteve të propozuara; të krijojnë minimalisht 1-3 vende pune brenda 12 muajve nga momenti i përfitimit të fondit; si dhe të jenë në gjendje të financojnë 50% të të gjitha kostove të projektit në fazën fillestare.
AIDA sqaron se pagesa e fondit të përfituar bëhet 50% në fillim dhe 50% në fund të projektit, kundrejt faturave që vërtetojnë shpenzimet. Sipërmarrjet kanë të drejtë të përfitojnë vetëm një herë nga ky fond.
Ekspertët thonë se përfshirja e sistemit bankar në financimin e këtyre sipërmarrjeve të reja është e kufizuar, për shkak se rreziku që i shoqëron është i lartë. Një tjetër vështirësi ka të bëjë me gjetjen e sponsorëve që të ofrojnë kontribute (qoftë edhe përmes çmimeve), gjë e cila do të rriste aplikimet.
Histori suksesi, një shtëpi me një klik
Tomi Kallanxhi është një nga sipërmarrësit e rinj shqiptarë që i përket ekosistemit të start-up-eve. I diplomuar në IT në Tiranë, ai ka punuar disa vite për kompani të ndryshme të mëdha, por kurrë nuk e gjeti veten. Në garën e parë të “Startup Weekend Tirana” ai nuk fitoi, madje as nuk u klasifikua ndër idetë më të mira, por kjo nuk e ndali nga ëndrra për të filluar kompaninë e tij. Tomi është themelues i Big Media Ekspert, një kompani që financon start-up-e dhe ka 11 të punësuar. Por, “dashuria e tij e parë” mbetet Shpi.al. Është faqja e parë shqiptare e pasurive të patundshme (app) e cila iu ofrohet përdoruesve iPhone dhe Android app. Ky aplikacion ishte i pari i zhvilluar në vendin tonë. “Përpara sesa të nisja biznesin tim, kam punuar në disa kompani, por e vetmja gjë që më lidhte ishte vizioni dhe pasioni im për një botë më të mirë. Kjo ishte arsyeja pse vendosa të ndiqja ëndrrën time. Unë mendoj se kam bërë gjënë e duhur dhe inkurajoj të gjithë të ndjekin ëndrrën e tyre”, thotë Tomi.
Por, si e ndryshoi botën e tij start-up-i? “Shtatë vite kaluan shpejt dhe sollën shumë ndryshime. Shpi.al dëshiron të jetë më i lehtë për çdo shqiptar dhe çdo qytetar të rajonit për t’u bërë më i arsimuar përmes ueb – TV sa u përket pasurive të patundshme. Për më tepër, atyre nuk do t’u duhet të blejnë një e-gazetë për të kontrolluar për shtëpi të reja. Në vend të saj ata marrin njoftime me vendndodhje gjeografike, për oferta në zonat që ata preferojnë. Më pak kohë në kërkim për strehim do të thotë më shumë kohë me të dashurit e tyre”, thotë Tomi.
Ai thotë se në fillim ishte e vështirë që të bindte njerëzit për të përdorur metoda të reja për të blerë/shitur pasuritë e paluajtshme. Por, më pas prezantuam aplikacionin dhe kërkonim feedback-un e tyre. Tashmë është hedhur versioni i ri shpi.al 2.0. Tomi tregon se kjo nismë është mbështetur me grante nga Banka Botërore. Ai i cilëson si gjashtë muaj “paqeje”, por në dy vitet e fundit, kompania është vetëfinancuar, ndërsa falë shërbimeve të reja që parashikohen të hidhen, do të mund të sigurohet edhe një e ardhme më e mirë.
Bullgaria dhe Rumania, dy modele që mund të ndiqen (!)
Bullgaria njihet si një nga destinacionet më premtuese për start-up. Në Indeksin Botëror të Sipërmarrjes u rendit në vendin e 44-t, përpara Hungarisë, por pas Sllovakisë, duke sugjeruar se është një vend me sjellje të mirë ndaj start-up-eve në krahasim me vendet e tjera anëtare të BE-së.
Kostoja e ulët e punës dhe e qirave, e shoqëruar me njerëz të aftë, janë disa nga karakteristikat që i kanë bindur kompanitë e mëdha të investojnë në Bullgari. Klima e favorshme e të bërit biznes është reflektuar edhe në start-up-e, ku për nga numri i investimeve, Bullgaria renditet e treta.
Ky trend është relativisht i ri për një vend të vogël, por investimet kanë mbërritur nga fonde, si LAUNCHub, Eleven&NEVEQ, si pjesë e fondeve të BE-së (JEREMIE) rreth 9 milionë euro janë investuar gjatë dy viteve të fundit. Në vitin 2011, në Bullgari sapo ishin zgjuar, por tashmë vendi gëlon nga eventet dhe iniciativat. Në pesë vite, ekosistemi i start-up-eve është rritur në mënyrë të ndjeshme, duke premtuar rezultate spektakolare.
Në Rumani, rezultatet janë më modeste, por në rritje. Databaza online e RomanianStartups.com numëron 212 start-up-e, 435 themelues, 7 açeleratorë/inkubatorë e shumë të tjerë që priten t’i shtohen, rezultate që as ishin imagjinuar një dekadë më parë.
Si një destinacion për start-up-e, Bukureshti ka shumë çfarë të ofron: internet me shpejtësi të lartë (është renditur i pesti në botë nga bloomberg.com për shpejtësinë e internetit), kosto të ulët operative, energji, pasuri të paluajtshme dhe shërbime utilitare katër herë më të lira se në vendet e Europës Perëndimore, si dhe një numër të madh talentesh në fushën e teknikës. Ndërsa konsiderohen ende si barriera, elemente si mungesa e fondeve të dedikuara, kreditimi i ulët, por edhe përmasat e vogla të tregut të brendshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.