Stërmundimet e mbijetesës

12/02/2017 4:16 PM 0 komente

Prej të paktën pesë vitesh, tregu i çimentos ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Për operatorët, shitjet kanë rënë deri në 50% ndërsa “fryma” po mbahet nga eksporti. Investimet në infrastrukturë mbeten shpresa kryesore për t’iu rikthyer gjallërimit dhe për të eksportuar drejt tregjeve të mëdha.

 

Koha kur fabrikat e çimentos në vend punonin me kapacitet të plotë duket sikur është e largët. Prodhimi realizohet në varësi të kërkesave dhe nga tregu i brendshëm ajo është e dobët. Shpesh është eksporti ai që i “shpëton” këto kompani në fund të ditës. Referuar të dhënave të tregut botëror për vitin 2015, konsumi për frymë në Shqipëri llogaritet mesatarisht në 600 kg. Kjo shifër ka ardhur në rritje, veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit, duke qenë se pati edhe një bum në sektorin e ndërtimeve, si në atë të banesave, ashtu edhe në vepra (rrugë dhe hidrocentrale).
Megjithatë, shifrat që vetë operatorët e tregut japin nuk janë aspak pozitive. Prodhuesit kryesorë ndajnë të njëjtin opinion kur vjen puna te rënia e tregut. Sipas tyre, nga viti 2009, rënia llogaritet në rreth 50%. Këtë gjë e tregojnë edhe bilancet e kompanive, qoftë atyre prodhuese dhe importuese.
Edhe të dhënat e siguruara nga INSTAT për ecurinë në dhjetë vitet e fundit tregojnë luhatje të forta të tregut të çimentos si në vlerë, edhe në sasi.
Eksporti ka njohur ritme të larta rritjeje veçanërisht në periudhën nga 2009 deri në vitin 2014, për të ardhur më pas në një trend rënës. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2014, tregu shënoi eksporte në vlerë rreth 8 miliardë lekë, shifra më e lartë e shënuar përgjatë dhjetë viteve të fundit. Ndërsa sa i përket importit, vlera më e lartë është regjistruar në vitin 2009, me rreth 9.4 miliardë lekë.
Pas vitit 2014, tregu i çimentos si në import, ashtu edhe në eksport ka njohur vetëm trend rënës. Gjithsesi, këto lëvizje deri diku janë diktuar edhe nga luhatjet që ka pësuar çmimi i çimentos. Sot, në tregun vendas, çmimi llogaritet në rreth 8,200 lekë për ton.

monitor 767.indd

monitor 767.indd

Drejtuesit e kompanive më të mëdha prodhuese në vend të çimentos nuk ia faturojnë “fajin” për këto ritme vetëm tregut të tejngopur të banesave. Ata flasin për shumë faktorë. Drejtuesit e Antea Cement thonë se faktorët e tjerë janë: paqartësia e titujve të pronësisë, mungesa e planeve vendore të zhvillimit, mungesa e projekteve të mëdha serioze që lidhen me ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve etj. Ndikim në rënien e tregut ka dhënë edhe ulja e të ardhurave që shqiptarët e diasporës sjellin në atdhe, të ndikuar kryesisht nga kriza ekonomike e financiare në Greqi dhe Itali. Më pak para në qarkullim ka sjellë një kërkesë më të ulët për këtë kategori lëndësh të para.
Edhe drejtuesit e fabrikës së çimentos në Elbasan thonë se problemet me aplikimet e planifikimit dhe më kryesorja mungesa e likuiditetit kanë ndikuar negativisht te shitjet.
Deri diku, realizimi i projektit TAP ka dhënë disa efekte për tregun, por jo shumë të ndjeshme, duke qenë se bëhet fjalë për një investim që për ekonominë do të ketë efekte në periudhë më afatgjatë, por jo me bazë vjetore.
Në anën tjetër, edhe rruga Tiranë – Elbasan nuk ka dhënë ndikim gjatë vitit 2016, duke qenë se punimet rinisën vetëm pak kohë më parë.
Megjithatë, ecuria e tregut gjatë vitit 2017 parashikohet pozitive, jo për shkak të gjallërimit të kërkesës, por si një faktor që do të ndikohet nga rritja e investimeve të brendshme duke qenë se është vit elektoral dhe parashikohen që të ndërmerren investime apo të përmbyllen ato që janë në proces.

 

Infrastruktura, ngërçi më i madh i tregut

Po cilat janë barrierat kryesore që rendisin operatorët e tregut të çimentos?
Sipas tyre, infrastruktura është një nga faktorët dhe ndikimi i saj është i madh.
Aktualisht, kompanitë prodhuese të çimentos në Shqipëri operojnë me gjysmën e kapaciteteve maksimale vjetore.
Këto të ardhura për shtetin janë të rëndësishme duke qenë se edhe deficiti tregtar është i lartë. Por, kjo performancë mund të dyfishohej nëse do të ishte mundësia për të eksportuar në tregje të reja produktet e tyre.
Bëhet fjalë për mundësi që ofrojnë tregjet e largëta më tej Mesdheut.
Amerika mund të jetë një mundësi e mirë, pasi ka kërkesë të lartë për çimento. Por, për të shkuar drejt saj kërkohen mjete të mëdha. Është njësoj si Panamaja, e cila nuk arrin dot që t’i afrohet Portit të Durrësit, pasi thellësia është e kufizuar.
Aktualisht, mjetet që mund të përpunohen në këtë port kanë kapacitet maksimal deri në 25 mijë tonë.
Me këto kapacitete, thonë drejtuesit e kompanive prodhuese të çimentos, mund të jemi konkurrues vetëm me vendet e rajonit, ku ka shumë prodhim.
Një tjetër element që i bën këto kompani më pak konkurruese lidhet me kostot. Në vitin 2012, qeveria e asaj kohe miratoi vendosjen e akcizës në taksën e karbonit e po kështu edhe te nafta. Për pasojë, çmimi i lëndëve djegëse u rrit me 50%. Kur ka një rritje në këta parametra, atëherë do të thotë se produktet tona janë më pak konkurruese kundrejt fqinjëve.
Në Europë, kompanitë e prodhimit të çimentos nxiten që të përdorin alternativa të tjera për lëndët djegëse. Europa Qendrore madje ofron subvencionime.
Si rrjedhim, këto kompani kanë kosto negative energjie, gjë i që bën ato më konkurruese. Nëse kjo do të ndodhte në Shqipëri, do t’u krijonte mundësi kompanive eksportuese që të dilnin në tregje të tjera dhe si rrjedhim të ndihmonin ekonominë në tërësi.

 

Fabrika e cimentos 3Mundësitë e pashfrytëzuara për eksport

Në kushtet kur sektori i ndërtimit është i mbingopur, prodhuesit e lëndëve të para do të duhet të gjejnë rrugët për të mbijetuar.
Drejtuesit e Antea Cement thonë se më shumë se për një sektor ndërtimi në krizë duhet të flitet për një treg që po korrektohet. Ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por një sjellje e vënë re edhe në tregjet e tjera, kryesisht ato të rajonit. Kompania i ka orientuar eksportet kryesisht drejt Italisë dhe vendeve të Afrikës së Veriut dhe në sasi të vogla në Malin e Zi. Ndërsa për drejtuesit e kompanisë së çimentos në Elbasan (ECF) mbijetesa më së shumti i dedikohet eksportit drejt tregjeve të afërta, siç është Maqedonia e pjesërisht Kosova. Për ECF-në, pjesa më e madhe e shitjeve (60%) realizohet në eksport, kryesisht në Maqedoni. Gjatë vitit 2016, kompania raportoi se shitjet rifuxho (me cisterna) u rritën, ndërsa shitjet vendore me thasë (paketim 50 kg) u ulën. Nga ana tjetër, sipas tyre konkurrenca vazhdon të ushtrojë presion sa u përket çmimeve.
INSTAT tregohet i kursyer kur vjen puna tek origjina e vendeve me të cilat zhvillohet tregtia e çimentos, qoftë import apo eksport. Italia dhe Greqia janë tregje të rëndësishme, por vlerat e importit kanë ardhur në rënie. Nga Greqia, vlera e importuar e çimentos në vitin 2016 ishte rreth 289 milionë lekë, shifër më e ulët se në vitin paraardhës kur ishte rreth 512 milionë lekë. E njëjta tendencë mund të thuhet edhe për Italinë (për këto dy shtete, INSTAT jep shifra të plota, ndërsa për tregjet e tjera janë të cunguara, duke qenë se vlerësohen si të dhëna konfidenciale). Në vitin 2016, vlera e importit nga Italia ishte rreth 998 milionë lekë, me rënie në krahasim me vitin paraardhës, kur ajo ishte rreth 1.2 miliardë lekë.
Sa u përket shteteve drejt të cilave Shqipëria eksporton çimento, të dhënat e ofruara nga INSTAT nuk janë të plota. Por, ajo që mund të themi është se në vitin 2016 është eksportuar çimento drejt Maqedonisë, me vlerë rreth 1.1 miliardë lekë. Gjithashtu ka vazhduar eksporti drejt Kosovës. Shifra e realizuar për vitin 2016, sipas INSTAT, është rreth 2.2 miliardë lekë, në rënie me vitin paraardhës, kur u eksportuan rreth 2.4 miliardë lekë çimento. Viti 2012 shënon periudhën kur eksporti i çimentos drejt Kosovës ka shënuar vlerën më të lartë, në rreth 3.4 miliardë lekë.
Drejtuesit e kompanisë Antea Cement thonë se krijimi i një infrastrukture moderne do të ndikonte në rritjen e eksporteve dhe në hyrjen e tregjeve që sot kanë potencial të madh, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Afrikës së Veriut.
Aksesi i vështirë rrit kostot e transportit dhe si rrjedhim, çmimet me të cilat shkohet drejt tregjeve të tjera nuk janë konkurruese. Ndërsa nuk mund të flitet për mundësi përmes transportit hekurudhor, i cili është pothuajse inekzistent.
Përmirësimi i infrastrukturës do të sillte ndryshim thelbësor në tregun e çimentos në Shqipëri, duke e bërë atë më konkurrues. Ndryshim do të kishte edhe në politikën e çmimeve, të cilat aktualisht janë më të ulëta në krahasim me vendet e rajonit.
Sipas drejtuesve të ECF-së, mbijetesa sigurohet përmes shitjes për projekte të vogla infrastrukturore, ndërtesa tregtare që arrijnë të sigurojnë një kërkesë të arsyeshme, ndërsa vazhdohet të përfitohet nga eksportet “besnike” për kompanitë shqiptare.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of