Shumë njerëz thonë se ata thjesht nuk kanë kohë për tu stërvitur. Megjithatë, studimet e fundit dëshmojnë se është e rëndësishme të gjeni kohë për të përmirësuar performancën e përgjithshme të punës.
Sipas PubMed forca jonë mendore dhe performanca jonë e punës është e lidhur direkt me regjimin tonë fizik. Përfitimet konjitive të ushtrimeve të rregullta përfshijnë përmirësim të përqendrimit, memorie më të mprehtë, qëndrueshmëri e zgjatur mendore, nxitje kreativiteti, të mësuar më të shpejtë dhe reduktim të stresit, ku të gjitha kontribuojnë për një performancë ‘yjore’.
Një studim i fundit nga Universiteti Leeds Metropolitan sugjeroi se stërvitja gjatë orarit të punës mund të rrisë performancën. Studiuesit i kërkuan 200 të punësuarve në një shumëllojshmëri organizatash që të vetë-raportonin performance e tyre në baza ditore. Më pas, ata ekzaminuan luhatjet brenda punonjësit individualë, duke krahasuar prodhimin e tyre në ditët kur ata u stërvitën kundrejt ditëve gjatë të cilave nuk u stërvitën.
Gjatë ditëve që punonjësit u stërvtitën ata raportuan menaxhim më të mirë në kohë, produktivitet më të lartë, marrëdhënie më të qeta me kolegët e tyre dhe më e rëndësishmja ata shkuan në shtëpi me një ndjesi kënaqësie dhe të lumturie.
Ata që nuk u stërvitën raportuan se ndiheshin nervoz, shfaqën harresë dhe i përpunuan informacionet më ngadalë, duke dëshmuar rënie të produktivitetit.
Nëse arsyeja se pse nuk ushtroheni është mungesa e kohës, duhet të keni parasysh që stërvitja do ju nxisë në fund të fundit të performoni më shpejtë dhe me më shumë efikasitet. Prandaj, koha e shpenzuar duke u ushtruar në të vërtetë thjesht kontribuon në suksesin tuaj në punë (për të mos përmendur mirëqënien tuaj të përgjithshme).
Shumë të tjerë shpesh do të përmendin mungesën e motivimit si arsye për të mos u stërvitur. Një mënyrë e mirë për tu ndjerë të motivuar është të përqëndroheni në ‘objektivat e mjeshtërisë’ që sipas psikologëve janë objektiva që fokusohen në arritjen e niveleve të reja të kompetencës. Gjithashtu, regjistrohuni në një kurs dhe blini veshjet dhe pajisjet e duhura. Këto investime financiare shtesë do të rrisin nivelin tuaj të angazhimit dhe rritja e qëndrueshme në performancë do ju nxisë të stërviteni.
Një tjetër rekomandim për t’ju inkurajuar të ushtroheni është të bëheni pjesë e një grupi me objektiva të ngjashme stëritje. Gjeni një regjim ushtrimi që përfshin njerëz të tjerë. Socializimi bën që stërvitja të jetë më argëtuese, duke rritur gjasat që ta vazhdoni.
Mos harroni, nuk po e neglizhoni punën në favor të ushtrimit, ju thjesht po rrisni produktivitetin dhe po siguroni që orët të cilat po i vini në dispozicion të kenë më shumë vlerë.