Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka gati strategjinë 5 vjeçare për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet financiare nën mbikëqyrje që pritet të prezantohet në fillim të prillit. Drejtori Ekezekutiv i këtij institucioni Ervin Koçi gjatë një leksioni të hapur me studentet e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan nënvizoi rëndësinë që merr ky dokument i cili do të që do të shërbejë si një udhërrëfyes për punën e institucionit në drejtim të edukimit financiar, rritjes dhe zhvillimit të tregjeve, si edhe garantimit të mbrojtjes së konsumatorëve e investitorëve.
Në fjalën e mbajtur kreu i AMF Koçi theksoi se edukimi financiar në lidhje me tregjet nën mbikëqyrje, për të rritur njohuritë dhe ndërgjegjësimin te publiku është shndërruar në një nga prioritetet e punës së Autoritetit. Për këtë arsye, AMF nisi vitin e kaluar një fushatë informuese, duke zhvilluar takime në disa universitete të vendit, për të vazhduar edhe këtë vit, duke zgjeruar më tej edhe grupet e interesit.
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së të gjitha vendimet e marra vitin e kaluar kanë qënë në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe investitorit, ndërsa Autoriteti mbetet i angazhuar në zgjidhjen e disa problematikave të mbartura ndër vite në treg, siç është rasti i Fondit të Kompensimit.
Koçi i inkurajoi studentët të bëhen pjesë aktive e Konferencës së parë Kombëtare me titull: “Problemet dhe sfidat e zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje dhe rëndësia e edukimit financiar”. Ata mund të kontribuojnë me punime të ndryshme për çështje që lidhen me tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit.
Në vazhdën e angazhimit me universitetet AMF nënshkroi edhe një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.