Strategjia e Biznesit dhe Investimeve 2014 -2020 ka nxitjen e sipërmarrjes femërore një nga prioritetet e saj kryesore. Kjo strategji përfshin një numër objektivash që synojnë rritjen e punësimit dhe kreditimin e biznesit si dhe përmirësimin e klimës së biznesit në përgjithësi dhe sipërmarrjen femërore në veçanti.
Në përputhje më këtë strategji, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes me mbështetjen e UN Women, ka hartuar planin e veprimit për gratë sipërmarrëse për periudhën 2014 – 2020.
Më fjalën e saj Zv. ministrja Brunilda Paskali theksoi se përfshirja në aktivitete të sipërmarrjes, do të thotë më shumë liri ekonomike, pronësi, vendimmarrje dhe për rrjedhoje fuqizim i mëtejshëm i gruas në Shqipëri.
Eshtë kjo arsyeja që Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes duke patur mbështetjen e programit UN Women, ndërmori një studim të rëndësishëm “ Mbi sipërmarrjen e grave në Shqipëri” i cili u realizua gjatë vitit 2013.
“Qëllimi kryesor i ndërmarrjes së këtij studimi ishte për të ndërtuar një bazë të politikave dhe programeve konkrete në mbështetje të gruas sipërmarrëse, ku në rastin konkret MZHETS, në bashkëpunim me aktorët e tjerë është e interesuar për zbatimin e tyre”.
“Këtij qëllimi i ka shërbyer hartimi i draft planit të veprimit për mbështetjen e gruas sipërmarrëse për periudhën 2014-2020. Ky plan veprimi është në linjë me programin ekonomik të qeverisë shqiptare, me draft strategjinë e biznesit dhe të investimeve për periudhën 2014-2020” – tha ndër të tjera znj. Paskali.
Plani i veprimit mbështetet në katër shtylla të rëndësishme:
1. Mbështetje me politika nxitëse për gratë sipërmarrëse. Përmes këtij plani propozohet një seri masash që nxisin gruan sipërmarrëse dhe krijon një mjedis të përshtatshëm nëpërmjet të cilit arrihet mbështetja e duhur me burime financiare dhe jo vetëm.
2. Ngritja e kapaciteteve të gruas sipërmarrëse. Gruaja sipërmarrëse duhet të ketë, përveç kapaciteteve njerëzore dhe dëshirës për të ecur përpara, edhe njohuritë dhe aftësitë e nevojshme që i lejojnë asaj të jetë konkurruese. Për këtë, nëpërmjet këtij plani parashikohen një seri programesh trajnimi dhe edukimi të cilat do të mbështeten në nevojat e gruas sipërmarrëse dhe do t’i shërbejnë asaj në avancimin e profesional dhe menaxherial.
3. Rritja e aksesit në financë për gruan sipërmarrëse. Statusi ekonomik i gruas sipërmarrëse duhet forcuar për të ndihmuar në rritjen dhe fuqizimin e biznesit të tyre. Do të punohet jo vetëm për një përfshirje më të madhe në skemat aktuale të mbështetjes financiare por parashikohen edhe skema të reja financiare në funksion të analizave dhe vlerësimeve të nevojave.
4. Krijimi i rrjetit të aktorëve në mbështetje të gruas sipërmarrëse. Gruaja sipërmarrëse do të fuqizohet me tej nëpërmjet pjesëmarrjes së saj aktive në rrjetet kombëtare dhe rajonale. Ndër masat më të spikatura mund të përmendet krijimi i grupit të aktorëve në mbështetje të gruas sipërmarrëse, i cili do të jetë struktura kryesore për dialogun lidhur me shqetësimet dhe nevojat e gruas sipërmarrëse.
Të pranishëm në tryezë ishin përfaqësues të shoqatave të grave sipërmarrëse, donatorëve, UN Women dhe ministrive të linjës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.