Flet Sonia Popa, drejtore e përgjithshme e zhvillimit të turizmit në MZHUT….
Strategjia e re e turizmit 2013–2020 duket se ka marrë formën e saj përfundimtare, ndërsa priten vetëm opinionet e palëve të interesit. Miratimi i saj do të mund të bëhet gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar, ndërsa zbatimi do të mund të nisë në vitin 2015. Kostot e kësaj strategjie mbahen “sekret”, ndërsa besohet se zbatimi i saj (së bashku me ligjin e ri) do të mund të sjellë zhvillim të qëndrueshëm të turizmit dhe më shumë të ardhura për ekonominë.
Shqipëria turistike, deri në vitin 2020, do të mbështetet në një vizion të ri, që synon të nxjerrë më në pah aspektet më të veçanta me të cilat do të mund të konkurrojë e që janë: shumëllojshmëria e burimeve turistike dhe produkte të diversifikuara. Funksionimi i të gjithë zinxhirit do të bëjë të mundur që pas gjashtë viteve të ardhshme, kontributi në Prodhimin e Brendshëm Bruto të rritet deri në 6.1% (nga 4.8% që është sot), ndërsa të ardhurat nga valuta e huaj të mbërrijnë në afro 2.2 miliardë euro. Janë parashikime vërtet të guximshme, por që për drejtuesit e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit janë më se të arritshme. Në një intervistë për “Monitor”, drejtoresha e përgjithshme e zhvillimit të turizmit në MZHUT, Sonia Popa, tregon se cilat janë gabimet e së shkuarës që janë korrigjuar dhe cilat janë garancitë për zbatimin në terren të saj.
Titulli i intervistës: Koha për planifikim të mirëfilltë
Flet Sonia Popa, drejtore e përgjithshme e zhvillimit të turizmit në MZHUT
Ju sapo keni përfunduar hartimin e strategjisë së re të turizmit për periudhën 2013–2020, e cila është e katërta që nga ajo e fillimviteve ‘90, cilat janë risitë?
Tashmë, drafti i strategjisë ka përfunduar dhe është publikuar online në faqen zyrtare të ministrisë për të marrë opinione. Procesi i hartimit ka qenë i gjatë, kemi marrë shumë mendime dhe më pas ne do t’ia dërgojmë strategjinë të gjitha ministrive të linjës. Strategjia e re ka tri aspekte në fokus: në radhë të parë do të mund të kemi një plan kombëtar për zhvillimin e turizmit, i cili do të nxisë investimet e huaja dhe vendase dhe së dyti, në dallim nga strategjitë e tjera që fokusoheshin te marketimi, i jep rëndësi zhvillimit të produktit. Kjo është edhe një nga pikat që na bën optimistë për arritjen e rezultateve konkrete në zhvillimin e turizmit. E treta ka të bëjë me një plan masash të detajuara që do të shoqërojë këtë dokument, bashkë edhe me kostot përkatëse. I gjithë plani i veprimit do të monitorohet nga një sistem, gjë i cili do të japë rezultate.
Do të doja të theksoja se sado e lartë që të jetë kostoja e zhvillimit të turizmit (në rastin tonë nuk flasim për shifra të larta) ajo do të paguhet nga turistët. Le të marrim një shembull: Nëse taksa e fjetjes do të ishte mbledhur, qoftë edhe në masën 50% të numrit të njësive akomoduese që janë në vend, vlera do të ishte e tillë sa të mbulohej dyfishi i kostos së zhvillimit të kësaj strategjie. Në një të ardhme, ne si ministri do të propozojmë që kjo taksë të mos jetë më në përqindje, por në një vlerë fikse dhe e ulët që do të ndihmojë biznesin, si dhe reduktimin e informalitetit dhe që do të vazhdojë të mblidhet nga pushteti vendor.
Strategjitë e mëparshme nuk janë zbatuar dhe për shumë arsye, çfarë garancish keni që nuk do të përsëritet e njëjta histori?
Sigurisht, një nga garancitë se kjo strategji do të zbatohet është se shoqërohet nga një plan i detajuar masash, si dhe në të bëhet një analizë e të gjitha institucioneve që kanë lidhje me zhvillimin e turizmit dhe strukturën institucionale. Në të parashikohen masa për plotësimin dhe bashkërendimin e tyre, si dhe të gjitha kompetencat. Nëse i gjithë ky zinxhir do të funksionojë, atëherë strategjia do të arrijë të zbatohet me sukses.
Kush do ta monitorojë zbatimin?
Monitorimi është një procesi i tërë dhe do të bëhet në bashkërendim edhe me institucionet e varësisë dhe të linjës. Turizmi është një industri që prek shumë sektorë dhe roli i pushtetit vendor është shumë i rëndësishëm. Kjo edhe për faktin se turizmi do të zhvillohet në bazë të modelit të destinacionit, sepse produkti ekziston në varësi të tyre. Për këtë arsye, edhe monitorimi duhet të jetë i ndërthurur. Me ligjin e ri që do të miratohet, i cili është paraqitur tashmë, parashikohet edhe ngritja e Inspektoratit të Turizmit, i cili edhe pse ka qenë i parashikuar në strategjitë e tjera, nuk është krijuar. Një nga arsyet ka qenë edhe mungesa e standardeve dhe mekanizmave të klasifikimit. Ligji i ri ka një pjesë të rëndësishme që i dedikohet standardeve, futet certifikimi në biznese të ndryshme turistike, por edhe për cilësinë.
A është kjo pika ku “takohet” strategjia me ligjin?
Po, është njëra prej tyre. Ka qenë një avantazh për ne që po punonim në të njëjtën kohë për ligjin dhe strategjinë dhe kjo jep mundësinë që të ketë përputhshmëri mes dy dokumenteve. Ligji i ri gjithashtu është një garanci për zbatimin e strategjisë dhe ai fokusohet te produkti turistik, por edhe te marketimi si një shtyllë e rëndësishme.
Cilat do të jenë shtyllat kryesore ku do të mbështetet strategjia?
Shtylla e parë mbi të cilën do të zhvillohet strategjia është parimi i qëndrueshmërisë. Një tjetër shtyllë është kuadri institucional, shumë i domosdoshëm. Sfida jonë është që të realizojmë një planifikim të mirëfilltë për një turizëm që zhvillohet në terma afatgjatë. Planifikimi nuk do të jetë vetëm territorial, por edhe për produktet që do të zhvillohen, mbi target-grupin ndaj të cilit do të adresohet, mbi studimin e tregjeve, por edhe në numrin e vizitorëve. Jo domosdoshmërish, numri i madh i turistëve do të thotë automatikisht më shumë të ardhura. Natyrisht për të bërë planifikim duhet të kesh statistika sa më të mira. Ministria është duke punuar shumë në këtë drejtim. Madje, më herët, erdhi edhe një ekspert i Organizatës Botërore të Turizmit për t’u njohur me metodikat që ne zbatojmë. Aktualisht po punojmë për një projekt që të kemi një metodologji që do të na shërbejë jo vetëm ne, por edhe institucioneve të tjera, si INSTAT, Banka Qendrore dhe Drejtoria e Kufirit për të pasur statistika sa më të sakta.
A është marrë në konsideratë në hartimin e kësaj strategjie ndonjë model tjetër, ndoshta rajonal?
Strategjia është bazuar në një analizë të detajuar, duke marrë në konsideratë edhe ato të fqinjëve, por thelbi ka të bëjë me atë që është unike. Autenticiteti i Shqipërisë është diversiteti, ka turizëm bregdetar, malor, kulturor, etj., dhe mbi këtë bazë është ndërtuar ky dokument. Ne kemi mundësi që brenda një territori të caktuar të zhvillojmë disa lloje turizmi.
A mendoni se zbatimi i strategjisë do ta bëjë turizmin tonë më konkurrues?
Ne mendojmë se zbatimi, bazuar edhe te standardet e larta që do të futen dhe cilësia, do të krijojnë kushte për krijimin e një Shqipërie turistike tërheqëse, me një produkt të konkurrueshëm dhe të veçantë. Është një avantazh shumë i madh që kemi, që në një vend kaq të vogël, të kemi kaq shumë mundësi turistike. Nëse ne do të arrijmë të kombinojmë shumë mirë produktin turistik në të gjithë elementet e tij, atëherë ne do të arrijmë të jemi konkurrues.
Çfarë gabimesh kemi arritur të korrigjojmë me këtë dokument?
Një tjetër gabim i bërë ka qenë mungesa e cilësisë. Turizmi nuk mund të zhvillohet totalisht i “lirë” pa rregulla dhe pa standarde. Këto të fundit janë garanci për konsumatorin. Bëhet fjalë për elemente bazë dhe e veçanta duhet të ngrihet mbi standarde. Deri më sot, ne nuk kemi pasur standarde, klasifikim, por edhe certifikim të guidave, as për produktin e veçantë dhe elemente të tjerë të vegjël, por të rëndësishëm. Të gjitha këto do të parashikohen më së miri edhe me ligjin e ri, i cili do të shoqërohet me aktet nënligjore.
Kur do të mund të nisë zbatimi i strategjisë?
Nga momenti kur ligji aprovohet, lihet në dispozicion tre muaj për përgatitjen e akteve nënligjore dhe më pas do të nisë zbatimi. Natyrisht procesi do të duhet të marrë kohën e vet, veçanërisht në përcaktimin e “yjeve”, gjë që do të ulë informalitetin. Sot, sipas shifrave që disponojmë, 93% e njësive akomoduese janë të paregjistruara. Kjo është sfida më e madhe me të cilën do të duhet të përballemi.
Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me zhvillimin e turizmit dhe a mendoni se do të mund t’i ndiejmë shpejt efektet nga zbatimi i strategjisë, në ekonomi?
Aktualisht kontributi direkt i turizmit në PBB është 4.8% dhe ne parashikojmë që deri në vitin 2020 të arrijë në 6.1%. Personalisht jam e bindur se, nëse strategjia zbatohet në mënyrë korrekte, ky kontribut do të mund të jetë më i madh. Shifra që ne kemi parashikuar është e “përmbajtur”. Një tjetër kontribut i rëndësishëm do të jetë në punësim, kjo edhe falë certifikimit të njësive hoteliere, por kjo duhet të shoqërohet edhe me një program të detajuar për trajnimin e burimeve njerëzore të nevojshme për cilësinë e turizmit që ne synojmë.
Problemet në vite
– Zhvillimi kaotik, i pakoordinuar dhe i paplanifikuar
– Fragmentimi i hallkave të zinxhirit të industrisë së turizmit
– Moszbatimi i strategjive të mëparshme të turizmit
– Ndarje jo e qartë e kompetencave të institucioneve qendrore dhe lokale
– Mungesë e koordinimit brenda sistemit institucional
– Rol i pamjaftueshëm i ministrisë
Fokusi i strategjisë
– Zhvillim i produktit turistik
– Cilësi dhe profesionalizëm
– Model i menaxhimit sipas destinacionit turistik
Objektivat e punësimit
Direkt
41,000 – 2013
61,000 – 2020
Indirekt
146, 500 – 2013
220,000 – 2020
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.