Një studim me fokus industrinë nxjerrëse ka dalë në përfundimin se të paktën 23 për qind e tregut të punës në këtë sektor është informal. Niveli më i lartë i informalitetit lidhet me zonat minerare, ndërsa disi më mirë situata paraqitet tek nxjerrja e naftës apo gazit. “Informaliteti në sektorin minerar është më shumë i përhapur në mosdeklarimin e fuqisë punëtore. Nisur nga fakti i mosdeklarimit të gjithë aktivitetit ekonomik të operatorëve në këto zona, nuk bëhet as deklarimi i plotë i vlerës së punës, që përfshin numër punonjësish të padeklaruar në organet tatimore dhe të paregjistruar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, thuhet në një përmbledhje të gjetjeve të studimit. I njëjti nënvizon se informaliteti shprehet edhe në formën e dypunësimeve të padeklaruara që janë kryesisht punonjësit e sektorit publik që angazhohen por edhe në formën e mosdeklarimit të pagës reale.
Studimi nënvizon se punonjësit që janë pjesë e tregut informal të punës janë gjithashtu edhe jashtë fokusit të sindikatave. “Mospërfshirja e tyre në sindikata është një mënyrë heshtje e dyanshme. Nga njëra anë, punonjësit informalë janë shumë pak të motivuar të bëhen pjesë e sindikatave, për sa kohë ata nuk kanë një punë të qëndrueshme. Sindikatat nuk kanë arritur ende të sfidojnë problemet dhe mënyrat e shfaqjes së informalitetit, edhe pse e prezantojnë në takimet me institucionet e shtetit, si një problem kryesor për tregun e punës. Numri i kontribuuesve që derdhin kuotat mbetet në kufijtë e jo më shumë se 15% e anëtarëve të regjistruar nga sindikatat, që flet për një tregues indirekt edhe të informalitetit në sektor. Për sa kohë problemi i informalitetit lidhet edhe problemin e korruptimit të dyanshëm të vullneteve, në sektorin privat dhe publik për realizimin e misioneve të tyre, problemi i informalitetit do të vijojë të jetë ende i pangacmuar seriozisht dhe i pakërcënuar nga formalizimi”, thuhet në dokument.
Në vijim renditen edhe një seri gjetjesh të tjera të lidhura me fokusimin në politika, që kanë si synim një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të mbështetur në burime të sigurta rritjeje, mungesa e aftësive të duhura për nevojat e industrisë dhe teknologjisë në përdorim apo sfida e rritjes së pagës minimale është një nga kërkesat më kryesore që kërkojnë sindikatat.
Studimi u hartua nga Qendra për të drejtat në Punë CLR.AL, dhe u prezantua gjatë një tryeze me ekspertë të fushës së ekonomisë dhe përfaqësues të organizatave sindikale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.