Krizat kombëtare ( rreziku primar sovran) e ndikojnë negativisht stabilitetin e bankave në Shqipëri, megjithëse efekti i përçimit të këtij rreziku është relativisht i ulët, ndonëse zhvillimet që lidhen me situatën makroekonomike rezultojnë se kanë një efekt të rëndësishëm ndaj stabilitetit bankar. ndër to vlen të përmendet se rreziku që lidhet me dominancën fiskale dhe brishtësia e sektorit financiar janë faktorët kryesorë që ndikojnë stabilitetin bankar.
Studimi “A ndikon rreziku primar sovran mbi stabilitetin bankar”, me autor Gerti Shijakun e Bankës së Shqipërisë analizon faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që lidhen me stabilitetin bankar, veçanërisht nëse rreziku primar sovran ndikon stabilitetin bankar. për këtë arsye, ne kemi ndjekur një metodë të re për përllogaritjen e një indeksi rreziku për sistemin bankar shqiptar, i cili bazohet në të dhënat e bilancit kontabël që raportohen nga bankat dhe pasqyron gjendjen e tyre në aspektin individual.
Nga studimi, që është i pari i këtij lloji në Shqipëri, rezulton se kriza financiare globale (KFG) e vitit 2007 ritheksoi edhe një herë se stabiliteti i sektorit financiar shqiptar është shumë i varur nga zhvillimet që lidhen me sistemin bankar. Kjo për shkak se sistemi bankar përbën sektorin kryesor për mbështetjen e aktivitetit ekonomik, i cili mund të dëmtohet seriozisht, nëse bankat, agjentët më të shquar në tregjet financiare, shfaqen në disa momente të trazuara dhe nuk mund të kryejnë siç duhet funksionin e tyre financiar.
Kjo u bë edhe më e dukshme në periudhën e krizës së borxhit grek, në të cilën sistemet bankare në të gjitha vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore (EJL), dhe në veçanti Shqipëria, u përballën me disa sfida të rëndësishme. Së pari, bankat duhej të financonin një politikë fiskale vendase ekspansioniste, në një kohë kur tregjet financiare filluan të vënë në pikëpyetje aftësinë paguese të vendeve me një nivel borxhi relativisht të lartë, ndërkohë që spread-et në rritje u bënë nxitësi kryesor për një rrezik të mundshëm sistemik për të gjitha bankat evropiane, veçanërisht në fund të vitit 2011 dhe në verën e vitit 2012. Së dyti, efektet ‘spill-over’ dhe problemet në bilancin kontabël të bankave shqiptare shkaktuan një tkurrje të fluksit të kreditimit bankar ndaj sektorëve të tjerë të ekonomisë vendase për shkak të nevojës për ‘de-leverage’. Në të njëjtën kohë, pavarësisht një politike monetare stimuluese, spread-et në rritje u shoqëruan me një rritje të brishtësisë së sistemit bankar, ndjekur kjo nga shtrëngimi i kushteve financiare në disa sektorë dhe tërheqja e konsiderueshme e flukseve të kapitalit në ekonomi dhe/apo financim të borxhit, duke e bërë atë më të shtrenjtë dhe të vështirë për të mbështetur ekonominë nëpërmjet kreditimit.
Rezultatet e këtij studimi paraqesin prova të forta empirike që mbështesin pikëpamjen se rreziku primar sovran e ndikon negativisht stabilitetin e bankës, thekson autori në përmbledhjen e materialit studimor. Megjithatë, efekti i përçimit të këtij rreziku është relativisht i ulët.
Në të njëjtën kohë, vihet re se bankat janë më të ndjeshme ndaj zhvillimeve ekonomike dhe risqeve makroekonomike, të tilla si dominanca fiskale, stabiliteti financiar etj.
Gjithashtu, edhe treguesit që lidhen me sjelljen specifike të bankave kanë rezultuar se ndikojnë mbi stabilitetin e bankave në një mënyrë të rëndësishme – veçanërisht risku i likuiditetit dhe i kapitalit, si dhe efikasiteti operacional. gjithashtu, vërehet se përfshirja më e madhe në aktivitete jashtë bilancit lidhet negativisht me stabilitetin bankar, por ky efekt është relativisht i vogël dhe i parëndësishëm nga pikëpamja statistikore. pjesa tjetër e rezultateve nënkupton që stabiliteti është më pak i ndjeshëm ndaj shkallës së ndërmjetësimit financiar, kapitalit të tepërt, përfitimit dhe rrezikut të kredisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.