Kredia bankare do të zgjerohet me një rritje më të lartë ekonomike, më tepër besim ndërmjet agjentëve të ndryshëm ekonomikë dhe mundësinë për të mbështetur një rritje të qëndrueshme ekonomike. Ky është konkluzioni në materialin e diskutimit “PËRCAKTUESIT E KREDISË BANKARE PËR SEKTORIN PRIVAT: RASTI I SHQIPËRISË”, përgatitur nga Gerti Shijaku, Departamenti i Kërkimeve, dhe Irini Kalluci, Departamenti i Mbikëqyrjes, në Bankën e Shqipërisë.
Ky material diskutimi përqendrohet te identifikimi dhe vlerësimin i përcaktuesve afatgjatë të kredisë për sektorit privat në rastin e Shqipërisë, duke përdorur metodën e Mekanizmit të Korrigjimit të Vektorit të Gabimit, bazuar në treguesit e kërkesës dhe ofertës. Vlerësimet tregojnë se ekziston një mekanizëm korrigjimi që e sjell kreditimin në ekuilibër. Rezultatet dëshmojnë se kreditimi lidhet pozitivisht me rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, ndërmjetësimi bankar e financiar dhe liberalizimi financiar do të stimulonin një kërkesë më të lartë për kredi. Kostot më të ulëta të kredisë, rënia e huamarrjes së brendshme të qeverisë dhe një kreditim më cilësor nga ana e bankave, do të krijonin nxitje të mëtejshme për kreditim. Kursi i këmbimit rezulton se kap efekte të vlerësimit të kërkesës dhe të zbutjes së konsumit.
Studimi identifikon tre faza kryesore të ecurisë së kreditimit të ekonomisë.
1. Në fillim të viteve 2000, kreditimi në Shqipëri ishte në nivele tepër të ulëta.
2. Ekonomia shqiptare u përball me një rritje të shpejtë të kreditimit, veçanërisht pas vitit 2004, që përkoi edhe me privatizimin e bankës më të madhe në vend e që u pasua edhe nga hyrja e grupeve të njohura bankare të huaja dhe nga bashkimi i dy bankave, duke nxitur kreditimin dhe duke rritur konkurrencën. Veçanërisht kreditimi në valutë të huaj pësoi një rritje të dukshme.
3. Pas shpërthimit të krizës globale financiare në vitin 2008, rritja e kredisë filloi të ngadalësohej drejt niveleve tepër të ulëta, sidomos pas vitit 2009. Ajo ende vazhdon të rritet tepër ngadalë, ndërsa ritmi i rritjes së depozitave ka qenë më i lartë, pothuajse deri në fund të vitit 2011.
Pse ra kredia pas 2009-s
Tkurrja e huadhënies pas 2009-s, sipas studimit, reflekton si efektet e krahut të kërkesës, ashtu edhe të ofertës. Nga krahu i ofertës, bankat i kanë shtrënguar standardet e kreditimit, por ekziston edhe një rënie e kërkesës së sektorit privat për kredi. Kjo lidhet më tepër me perceptimin nga ana e kërkesës dhe ofertës mbi pasigurinë rreth situatës makroekonomike, borxhin publik dhe problemet specifike me të cilat përballet sektori ku biznesi operon, gjendjen financiare të individëve, zhvillimet e pafavorshme në tregun e pasurive të paluajtshme dhe reduktimin e nevojave për financimin e investimeve të reja.
Arsyet
Duke parë dinamikat e ndryshme të kredisë për sektorin privat, studimi është përpjekur t’i përgjigjet pyetjes: cilët faktorë (të kërkesës apo ofertës) e kanë shkaktuar këtë sjellje të ndryshme të ekonomisë shqiptare ndaj kreditimit?
Studimi identifikon një marrëdhënie kointegruese që lidh kredinë reale për sektorin privat, PBB reale, pagat neto, zhvillimin bankar e financiar, treguesit e liberalizimit financiar, kursin e këmbimit, kredinë me probleme dhe normat e interesit.
Sipas tij, kredia bankare do të zgjerohet me një rritje më të lartë ekonomike, më tepër besim ndërmjet agjentëve të ndryshëm ekonomikë dhe mundësinë për të mbështetur një rritje të qëndrueshme ekonomike. Zhvillimi i sektorit bankar është një element jetësor në nxitjen e mëtejshme të kreditimit për sektorin privat. Niveli deri në të cilin sektori bankar e financiar do të ishte në gjendje të thithte më shumë depozita dhe të nxiste një ndërmjetësim më të lartë financiar, do të përcaktonte edhe shtrirjen e mëtejshme të lëvrimit të kredive. Në afat të gjatë, kredia bankare lidhet pozitivisht me kursin e këmbimit dhe negativisht me efektin reduktues të shkaktuar nga huamarrja e brendshme e qeverisë. Kjo e fundit shihet se ka një ndikim më të lartë.
Nga ana tjetër, një gjendje e qëndrueshme makroekonomike dhe politika të orientuara drejt uljes së kostove të kredisë, dhe një liberalizim më i madh financiar, njëkohësisht do të mbështetnin një kreditim më të lartë dhe do të ulnin rrezikun e kreditimit të sektorit privat. Në të njëjtën kohë, një nivel më i ulët i kredive me probleme shihet se ndikon në një ofertë më të lartë të kredisë nga sistemi bankar. Përmirësimi i eficiencës së kredisë bankare dhe reduktimi i kredive me probleme do të ulnin rrezikun e perceptuar të kredisë, duke inkurajuar ofertën e kredisë.
Bazuar te rezultatet, vihet re se mundësimi i politikave më të shëndetshme për rritjen ekonomike dhe përmirësimi i eficiencës së bankave do të ndikonin në tërheqjen e më shumë depozitave dhe në uljen e kostove fikse. Gjithashtu, ruajtja dhe reduktimi i deficitit buxhetor mbështet ndërmjetësimin financiar. Politikat për një sektor financiar të shëndetshëm që stimulojnë financimin e sistemit bankar dhe kufizojnë kreditë me probleme, mbeten thelbësore për një rritje të qëndrueshme të kreditimit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.