Ndërmjetësimi financiar në muajt tetor – nëntor 2014 mbetet i plogësht, i karakterizuar nga një rritje e ngadaltë e kredisë dhe e depozitave, sipas një materiali studimi të Bankës së Shqipërisë.
Ky material synon të paraqesë një panoramë të detajuar të zhvillimeve më të fundit të aktivitetit kreditues në vend. Materiali është Përgatitur nga Erjona Suljoti dhe Sofika Note, në Departamentin e Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë.
Aktiviteti ndërmjetësues i bankave rezultoi i plogësht në muajt tetor – nëntor 2014, i karakterizuar nga një ecuri më e mirë e ndërmjetësimit në lekë. Zhvillimet pozitive në ndërmjetësimin në lekë janë mbështetur si në rritjen e aktivitetit kreditues, ashtu edhe në rritjen më të mirë të depozitave në lekë. Ndërkohë, ecuria e ndërmjetësimit në valutë është përcaktuar nga rënia e depozitave në valutë, kurse kreditimi në monedhë të huaj pothuajse ka munguar. Këto zhvillime kanë përkrahur zhvendosjen e rolit ndërmjetësues të bankave në monedhën vendase, duke krijuar premisa për forcimin e stabilitetit financiar dhe efektivitetin e politikës monetare në ekonomi.
Kredia për biznese ka shfaqur rritje në muajt tetor – nëntor. Bankat kanë financuar si nevojat afatshkurtra të bizneseve për likuiditet, ashtu edhe ato për investime. E veçanta e tremujorit të katërt ishte kreditimi i ndërmarrjeve shtetërore, e cila është shoqëruar edhe me kushte preferenciale kreditimi. Megjithatë, kreditimi i bizneseve vazhdon të ketë një profil të segmentuar të aktivitetit ekonomik dhe njëkohësisht të vuajë nga një kërkesë e dobët për financim, veçanërisht për investime. Oferta për kredi mbetet e përqendruar në pak banka të sistemit. Bankat kanë shtrënguar standardet e kreditimit, të nxitura si nga faktorë të bilancit të tyre, politikat e bankave mëma, ashtu edhe nga problematikat ekonomike. Në tremujorin e ardhshëm pritet që aktiviteti kreditues për biznese të mbartë të njëjtat tendenca.
Kredia për individë ka rezultuar e plogësht, si në krahasim me një vit më parë, ashtu edhe me pjesën e parë të vitit. Pavarësisht se kushtet e kreditimit për individë kanë qëndruar në kahun lehtësues dhe normat e interesit të kredisë kanë qenë në rënie, kërkesa për kredi nga ky grup mbetet veçanërisht e dobët. Luhatshmëria e treguesit të besimit konsumator, dhe në veçanti përkeqësimi i tij në tremujorin e fundit, dëshmon për pasigurinë e individëve dhe materializohet në një ecuri të dobët të kërkesës për financim. Kërkesa e individëve është e orientuar drejt financimit të konsumit, ndërkohë që portofoli i kredisë hipotekare vazhdon të tkurret, pavarësisht produkteve më tërheqës për këtë të fundit. Normat e interesit të kredisë në lekë kanë rënë më tej në muajt tetor- nëntor, ndërsa kanë mbetur të pandryshuar për euron. Reduktimi i normave të interesit të kredisë në lekë është vërejtur në të gjitha bankat dhe për të gjitha llojet e kredive, ku më e ndjeshme ka qenë ajo për segmentin e bizneseve. Rënia më e përmbajtur e interesave të depozitave në lekë ka ndikuar në rënien e mëtejshme të marzhit të ndërmjetësimit, duke përkrahur rritjen e ndërmjetësimit në lekë. Kjo e fundit, duket të mbështetet edhe nga ngushtimi i diferencës mes normave të interesit në lekë dhe atyre në valutë.
Normat e interesit
Normat e interesit të kredisë në lekë kanë rënë më tej në muajt tetor dhe nëntor, ndërsa kanë mbetur të pandryshuara për euron. Reduktimi i normave të interesit të kredisë në lekë është vërejtur në të gjitha bankat dhe për të gjitha llojet e kredive, ku më e ndjeshme ka qenë ajo për segmentin e bizneseve. Rënia më e përmbajtur e interesave të depozitave në lekë ka ndikuar në rënien e mëtejshme të marzhit të ndërmjetësimit, duke përkrahur rritjen e ndërmjetësimit në lekë. Kjo e fundit, duket të jetë përkrahur edhe nga ngushtimi i diferencës mes normave të interesit në lekë dhe atyre në euro.
Normat e interesit të kredisë në lekë kanë ndjekur trendin rënës që prej tremujorit të dytë të vitit 2014. Mesatarisht për periudhën tetor- nëntor 2014, norma e interesit të kredisë në lekë prej 8% ishte 0.5 pikë përqindje më e ulët se në tremujorin e tretë të vitit 2014 dhe 1.3 pikë përqindje më e ulët se tremujori i fundit i vitit 2013. Pavarësisht luhatjeve të përkohshme të normës së interesit të kredisë në lekë, ajo ka qenë në rënie graduale të vazhdueshme prej më shumë se katër vitesh, në linjë edhe me lehtësimin e kushteve monetare. Në trend rënës ka qenë edhe ecuria e normës mesatare të depozitave në lekë, por në ndryshim nga një vit më parë, ky reduktim ka qenë më gradual. Interesi i depozitave në tremujorin e katërt ishte mesatarisht 1.65%, përkundrejt 1.79% dhe 2.23% që përbënte përkatësisht në tremujorin e tretë të vitit 2014 dhe në tremujorin e fundit të vitit 2013. Kjo ecuri ka ndikuar në rënien e marzhit të ndërmjetësimit në 6.3 pikë përqindje, një ndër nivelet më të ulëta në katër vitet e fundit. Lehtësimi i kushteve monetare së bashku me kushtet e favorshme të likuiditetit të bankave kanë përcaktuar trendin rënës të marzhit të ndërmjetësimit për monedhën vendase. Gjithashtu, edhe rreziku relativisht më i ulët i kredisë në lekë krahasuar më atë në valutë u ka krijuar më shumë hapësirë bankave për të ulur marzhin e ndërmjetësimit. Reduktimi i kostove të kreditimit në lekë ka qenë edhe një ndër faktorët kryesorë që ka nxitur orientimin e kërkesave për kredi drejt monedhës vendase. Zhvendosja e aktivitetit kreditues nga monedhat e huaja drejt asaj vendase mbështet qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe krijon premisa për rritjen e eficiencës së politikës monetare.
Reduktimi i normave të interesit të kredisë në lekë në tremujorin e katërt është vërejtur në të gjitha segmentet e kredisë në lekë dhe me një bazë të gjerë në të gjithë bankat aktive në kredidhënie. Kështu, normat e interesit të kredisë sipas qëllimit të përdorimit tregojnë për një rënie me 0.5 pikë përqindje për kredinë për qëllime likuiditeti, e cila përbën edhe pjesën më të madhe të kredisë së re të dhënë gjatë periudhës në analizë. Rënie ka shfaqur edhe norma e interesit për kredi për investime për biznese, me rreth 0.7 pikë përqindje. Ndërkohë, në segmentin e kredisë me pakicë për individët, ndryshimi i normave për kredinë konsumatore dhe për atë hipotekare ka qenë minimal krahasuar me një tremujor më parë. Gjithsesi, interesat e këtyre dy produkteve kanë shfaqur një rënie të ndjeshme në tremujorin e tretë. Kjo ecuri është në përputhje edhe me rezultatet e marra nga vrojtimi i kredisë pranë bankave, të cilat shprehen për një lehtësim më të ulët për tregun e individëve. Normat mesatare e kredisë në euro kanë qëndruar në të njëjtin nivel me tremujorin e tretë të vitit 2014, prej 6.6%. Krahasuar me fundin e vitit 2013 kjo normë është 0.4 pikë përqindje me e ulët. Në harkun e katër viteve, rënia në normat e interesit në euro prej 0.7 pikë përqindje është më pak se gjysma e rënies së realizuar në interesat e kredisë në lekë për vitin 2014. Kjo ecuri ka ndikuar edhe në reduktimin e ndjeshëm të spread-it të normave të interesit të kredisë në lekë me atë në euro, duke krijuar kushte më të përshtatshme për rritjen e aktivitetit në lekë dhe thellimin e ndërmjetësimit.
Në kahun e depozitave, normat e interesit të depozitave në euro, kanë ndalur rënien e përshpejtuar të vënë re për më shumë se një vit. Kështu, mesatarja e interesit të depozitave për periudhën tetor – nëntor 2014 prej 0.5%, ishte vetëm 0.1 pikë përqindje më pak se mesatarja e tremujorit të tretë. Ecuria e dobët e kredisë në valutë, si dhe normat e ulëta në tregjet ndërkombëtare të investimit të fondeve në valutë, i kanë shtyrë bankat në uljen e normave të interesit të depozitave. Marzhi i ndërmjetësimit në monedhën euro shfaqet me rritje të lehtë. Për gjithë vitin 2014, ky marzh është luhatur mesatarisht në 6 pikë përqindje përkundrejt 5 pikë përqindje që shënoi një vit më parë. Gjithashtu, spread-i i kredisë në euro ndaj normës referencë Euribor 12-mujor ka mbetur në nivele të larta historike, prej 6.3 pikë përqindje. Ecuria e normave të interesit në euro është përcaktuar nga rritja e normës së interesit të kredisë afatshkurtër për biznese. Kështu, interesi për kredi për likuiditet ishte 0.8 pikë përqindje më i lartë se në tremujorin e tretë. Për shkak të peshës së saj të lartë në kredinë e re dhënë për periudhën në analizë, kjo rritje ka balancuar reduktimin e normave të interesit në segmentet e tjera të kredisë në euro. Normat e kredisë në euro kanë njohur rënien më të lartë për kredinë hipotekare dhe atë konsumatore krahasuar me tremujorin e tretë. Pavarësisht kësaj, duket se kjo ecuri nuk ka nxitur marrjen e kredive në valutë të individëve, të cilat vazhdojnë të kenë kërkesë të shtuar vetëm për kredinë në lekë.
Lehtësimi i kushteve të kredidhënies për individët ka qenë i shprehur jo vetëm në uljen e çmimit të kredisë, por edhe në kushtet e tjera të kredidhënies. Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues, bankat kanë ulur komisionet dhe kanë rritur maturitetin e kredisë për individë. Ndërkohë, madhësia e kredisë dhe raporti këst/të ardhura kanë mbetur të pandryshuar. Po kështu, edhe kërkesa Shtrëngimi i kushteve për bizneset, përveçse është shprehur në rritjen e normës së interesit në euro për kreditë për likuiditet, është shprehur edhe me rënien e maturitetit dhe madhësisë të kredisë. Ndërkohë, bankat shprehen se kanë lehtësuar disi kërkesat për kolateral ndaj bizneseve, si dhe kanë ulur komisionet. Këto të fundit, kanë ndikuar në lehtësimin e kushteve të kredisë përgjatë gjithë vitit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.