Zhvlerësimi i kursit të këmbimit ka ndikuar pozitivisht në bilancin tregtar me Italinë dhe Greqinë. Kjo është një nga gjetjet e një studimi që vlerëson ndikimin e kursit të këmbimit në flukset tregtare dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe partnerëve kryesorë tregtarë, përkatësisht: Eurozona, Italia, Greqia, Gjermaia, Kosova dhe Turqia. Studimi titullohet “Efekti i “kurbës-J” në tregtinë dypalëshe: Ndikimi i nënçmimit të monedhës në bilancin tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe partnerëve kryesorë tregtarë”, i autorit Alban Pllaha të Bankës së Shqipërisë
Materiali synon të evidentojë ekzistencën e fenomenit të “kurbës – J” në tregtinë dypalëshe për periudhën 1998 – 2012.
Një nga gjetjet kryesore të këtij materiali është fakti se hipoteza e “kurbës – J” gjen mbështetje vetëm në rastet e tregtisë me Italinë dhe Turqinë. (Në teorinë e tregtisë ndërkombëtare një ndodhi e tillë, përkeqësimi fillestar i bilancit tregtar dhe më pas përmirësimi i tij në afatin e gjatë, si rezultat i zhvleftësimit të kursit të këmbimit njihet si efekti i “kurbës – J”. Emri “efekti i kurbës – J” vjen për shkak të trajektores -7- në formë “J – je” që ndjek ecuria e bilancit tregtar, i cili ka trend rënës (përkeqësohet) në afatin e shkurtër, për tu përmirësuar më pas në afatin e gjatë, duke ngjasuar me formën e gërmës “J”. )
Rezultatet empirike gjithashtu sugjerojnë se një zhvlerësim real i lekut shqiptar ndikon pozitivisht bilancin tregtar në afatin e gjatë, megjithatë, në afatin e shkurtër këto efekte duket se janë statistikisht jo të rëndësishëm.
Qëllimi kryesor i këtij studimi është të kërkojë për fakte empirike mbi ekzistencën e fenomenit të kurbës – J për bilancet tregtare të Shqipërisë me partnerët e saj kryesorë tregtarë. Gjatë përpjekjes për ti dhënë përgjigje pyetjes së mësipërme, synohet gjithashtu të merret një pasqyrë më e thelluar mbi ndikimet e kursit të këmbimit në bilancin tregtar të Shqipërisë dhe avantazhet konkurruese të produkteve vendase.
Sipas studimit, që teoria e kurbës – J të qëndrojë, duhet që në afatin e shkurtër të priten koeficientë negativë (statistikisht të rëndësishëm) të pasuar nga koeficientë pozitivë në afatin e gjatë.
Rezultatet afatshkurtra nga tabela e mësipërme tregojnë disa gjetje interesante. Në afatin e shkurtër koeficientët negativë pasohen nga koeficientë pozitivë në të paktën tre nga vendet e marra në konsideratë (në rastet e Greqisë, Italisë dhe Turqisë). Megjithatë, këta koeficientë afatshkurtër janë statistikisht të parëndësishëm në rastin e Greqisë. Rezultatet e mësipërme sugjerojnë se efekti i zhvleftësimit të kursit të këmbimit nuk ka një ndikim statistikisht të rëndësishëm në bilancin tregtar, të paktën në afatin e shkurtër. Vetëm në rastet e Italisë dhe të Turqisë duket që efektet afatshkurta të jenë statistikisht të rëndësishme dhe me shenjën negative sipas pritshmërive.
Për katër nga gjashtë partnerët tregtarë të marrë në shqyrtim zhvlerësimi real i kursit të këmbimit duket të ketë një efekt afatgjatë. Koeficientët e kursit të këmbimit të të gjashtë partnerëve tregtarë kanë shënjë pozitive në afatin e gjatë. Megjithatë, koeficientët afatgjatë të efektit të kursit të këmbimit mbi bilancin tregtar në rastin e Kosovës duket se janë statistikisht të parëndësishëm. Nga ana tjetër, zhvlerësimi i kursit të këmbimit në Shqipëri duket se ndikon pozitivisht bilancin e saj tregtar me Eurozonën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë dhe Turqinë në afatin e gjatë.
Sipas modelit, bilancet tregtare përkeqësohen në afatin e shkurtër, dhe mbas disa tremujorëve (5 tremujorë në rastin e Turqisë dhe 4 tremujorë në rastin e Italisë) bilancet tregtare fillojnë të përmirësohen, duke arritur nivele të reja të përmirësuara të bilanceve tregtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.