Studimi: Masat e larta ndëshkuese nxitën informalitetin, presioni çoi deri në mbyllje biznesesh

08/06/2016 12:44 PM 0 komente

Masat e larta ndëshkuese që hynë në fuqi në nëntor të vitit të kaluar dhe që u zbatuan për rreth një muaj, teksa u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese, si dhe ndryshimet e shpeshta ligjore rezulton se kanë pasur një efekt boomerang në ekonomi. Bizneset pohojnë se ata nuk kanë qenë të informuar për ndryshimet dhe sanskionet, çka është bërë shkak për të shtuar mundësitë e presionit për korrupsion nga ana e tatimorëve, ndërkohë, që shumë prej tyre që kanë pësuar ndëshkime të larta, jo vetëm që nuk I kanë paguara ato por kanë mbyllur aktivitetin dhe kanë kaluar në informalitet, duke u “ndihmuar” nga dhënia e rryshfereve. Marrëdhëniet mes biznesit e tatimeve janë kthyer aktualisht në shqetësimin kryesor të bizneseve.  Sjellja e administratës tatimore, në një masë të gjerë është konsideruar nga biznesi lokal si arrogante dhe armiqësore, çka ka detyruar disa biznese deri në mbylljen e aktivitetit. Bizneset nga ana tjetër kanë deklaruara se nëse do të gjendeshin sërish nën presionin e masave të rrepta ndëshkuese, atëhere do të ishin të prirur që më mirë të mbyllnin fare aktivitetin.

Këto janë disa nga gjetjet kryesore të një studimi shkencor në lidhje strukturën, masën dhe efektet e politikave korrektuese në vendin tonë, me fokus të veçantë ligjin për procedurat tatimore, që po zhvillohet prej më shumë se një muaji nga Nisma Thurje, me mbështetjen financiare të PERFORM dhe në bashkëpunim me një grup ekspertësh ekonomike dhe juridikë.

Studimi i fokusuar në politikat korrektuese është një iniciativë që ndërmerret për herë të parë ne Shqipëri dhe rezultatet e këtij studimi janë të mirëpritura nga trupa vendim-marrëse, pasi ato do të shërbejnë si një pikë referimi shumë e mirë gjate procesit të rishikimit të ligjit për procedurat tatimore, një proces i cili ka nisur tashmë nga Ministria e Financave dhe që aktualisht është në fazën e konsultimit me grupet e interesit.

Ndër të tjera, një vëmendje e veçantë në këtë studim i është kushtuar intervistave me grupet përfaqësuese të fokusuara, nëpërmjet të cilave synohet të përftohet një panoramë më e qartë, me problematikë dhe perceptim të prekshëm nga vetë ajo shtresë e cila ndikohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga efektet e këtij ligji.

Në një intervistë për Monitor, Panajot Soko, expert, anëtar i grupit të punës, ka dhënë një ekspoze të gjetjeve të deritanishme që janë marrë gjate procesit të intervistave me grupet e fokusuara në disa prej Bashkive ku këto intervista janë realizuar.

 

Nga intervistat që keni realizuar, cila është situata aktuale e biznesit në vend dhe kush janë shqetësimet kryesore të tyre?

 

Ne si grup pune me ekspertë të fushave të ndryshme të profilit ekonomik, po realizojme prej disa javësh intervista ne disa prej Bashkive të vendit si Shkodër, Fier, Vlorë etj., me grupe përfaqësues të biznesit lokalë, ku një fokus të veçantë gjatë këtyre intervistave marrin efektet e ligjit për procedurat tatimore, perceptimin e përgjithshëm rreth tij nga aktorët në terren si dhe efektet që procedurat e përcaktuara në këtë ligj trasmetojnë në ecurinë e biznesit.

Natyrisht që në diskutimet tona një vend të veçantë ka zënë edhe situata aktuale e biznesit dhe ajo e të bërit biznes në Shqipëri, duke diskutuar për shqetësimet kryesore te tyre. Dhe situata e përgjithshme është tejet negative. Perceptimi për marrdhënien mes shtetit dhe biznesit është ai i konfliktit të përhershëm. Madje pikërisht shqetësimi që biznesi percepton si pasoje e kësaj marrdhënieje, në këtë moment i mbivendoset çdo shqetësimi tjetër qe biznesit i vijnë prej halleve të përditshme të konkurencës (shpeshherë të pandershme), ecurisë së ekonomisë, marrdhënies së mosbesimit të plotë me partnerët financiarë (si bankat) etj.. Mbi të gjitha këto problematika, biznesi sheh me shumë shqetësim marrdhënien e tij me organet fiskale si të qeverisjes qëndrore dhe asaj lokale.

Taksat e larta kanë detyruar një pjesë të mirë të bizneseve në këto vende të ndërpresin aktivitetin e tyre. Një dorë ndërprerjes së aktivitetit i kanë dhënë dhe sjelljet e administratës tatimore , e cila në një masë të gjerë është konsideruar nga biznesi lokal si arrogante dhe armiqësore.

Situata ekonomike lokale gjithashtu paraqitet nga të intervistuarit si e paprecedentë në nivelin e saj të ulët.

Të gjitha këto, duke i bashkangjitur dhe faktorë të tjerë specifikë si korrupsioni, konkurenca e pandershme dhe padrejtësitë nga organet që duhet të bëjnë drejtësi, kanë krijuar një atmosferë agonie dhe diku diku dhe vdekjeje klinike përsa i përket biznesit.

 

Kush është perceptimi që ju si grup keni krijuar në lidhje me marrdhënien që biznesi ka me procedurat korrektuese ligjore, konkretisht me ligjin për procedurat tatimore?

 

Po listoj disa prej konsatimeve që ne si grup kemi evidentuar deri në këtë fazë të intervistave.

E para, është konstatuar një padije e përgjithshme në drejtim të përcaktimeve që ky ligj bën.

Biznesi në përgjithësi, duke përjashtuar raste të veçanta, nuk është i qartë për sanksionet dhe procedurat që ky ligj përcakton. Ka një mungesë të theksuar qoftë edhe të njohurive bazë. Nga intervistat kemi vënë re se në përgjithësi biznesi është i prirur të marrë për të mirëqënë çdo reklamim që i serviret si i tillë nga inspektorët tatimorë, pa diskutuar ligjshmërinë e këtyre reklamimeve. Dhe kjo shpesh herë është përdorur si shkas për abuzime nga ana e inspektorëve tatimorë, apo dhe instancave drejtuese ne degët e tatimeve. Për të qënë më konkret, ka pasur raste kur nga grupe inspektorësh tatimorë janë vendosur sanksione për anomali që ligji nuk i sanksionon, si për shembull një rast në Shkodër ku një biznes është gjobitur, sepse kishte orën e kasës fiskale dhjetë minuta mbrapa, apo dhe raste të tjera të ngjashme.

 

 

E dyta, është konstatuar që ndryshimet e shpeshta në këtë ligj kanë krijuar një amulli të plotë në lidhje me përcaktimet që ai bën. Një pjesë e mirë e biznesit (kryesisht i vogël) nuk kanë informacion mbi masat e gjobave që sanksionon ligji, duke marrë dhe në këtë rast të mirëqënë reklamimin e inspektorit. Një pjesë e biznesit e dinë se gjobat janë ato të pas ndryshimeve të Nëntorit, ndërsa njësitë e shërbimit në një masë dërmuese vazhdojnë të mbajnë të afishuara lajmërimet që klienti mund të mos paguajë nëse nuk i jepet kuponi tatimor, pasi nuk janë përditësuar me faktin që masat e gjobave dhe afishimet janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

 

E treta, kemi konstatuar faktin që reagimi që bizneset do të kishin në rast të një shtrëngimi eventual të sanksioneve të përcaktuara në këtë ligj do të ishte ekstrem. Një pjesë dërmuese e të intervistuarve deklaronin që në rast të një rritjeje të masave te gjobave, apo shtrëngim të mëtejshëm të procedurave do të mbyllnin biznesin. Madje në Vlorë, përqindja e të intervistuarve do të ndërmerrnin këtë hap ishte 100%.

 

E katërta, ka një perceptim të përgjithshëm tek biznesi që rritja e gjobave bëhet me qëllim rritjen e korrupsionit. Pyetjes sesi e gjykojnë ata relacionin mes masës së gjobës dhe nivelit të korrupsionit, një shumicë dërrmuese i është përgjigjur që gjobat rriten me qëllim rritjen e përfitimeve të paligjshme nga përfaqësues të administratës shtetërore. Pra perceptimi i përgjithshëm është që iniciativat e qeverisë për rritjen e masës ndëshkimore bëhen vetëm me qëllimin që korrupsioni të kushtojë më shtrenjtë, pasi sasia e rryshfetit që kërkohet për një gjobë të lartë është logjikisht më e lartë sesa kur gjoba është më e ulët. I njëjti perceptim, reflektohet dhe për taksat.

 

E pesta, nga intervistat është konstatuar që rritja e masës ndëshkimore ka çuar në rritjen e evazionit fiskal apo informalitetit. Në një pjesë të mirë të intervistave që ne kemi realizuar është shprehur fakti që një pjesë e mirë e bizneseve që kanë vuajtur pasojat e masave ndëshkimore, nuk kanë kryer shlyerjen e detyrimit përkatës në shtet, por kanë zgjedhur të vazhdojnë aktivitetin e tyre tregtar në të zezë duke “kërcyer” totalisht jashtë sistemit duke u shndërruar nga subjekt taksapagues ne subjekt që nuk paguan asnjë taksë, natyrisht duke dhënë rryshfet tek organet shtetërore qe mbikëqyrin zbatimin e ligjit në terren.

 

E gjashta, është konstatuar që bizneset janë të dyzuar kur vjen puna për të evidentuar se cili shkakton më shumë dëm, ligji apo organet ligjzbatuese. Një pjesë e mirë e tyre gjykojnë që është ligji që lë hapësira për interpretime që shpesh kthehen në abuzive nga ana e inspektorëve, ndërsa një pjesë mendon që është paprofesionalizmi i trupës së administratës dhe keq orientimet që vijnë prej politikë-bërësve që shkaktojne problemin më të madh sot.

 

Natyrisht ka edhe çështje të tjera më të pjesshme të cilat ne do t’i zbulojmë kur të bëjmë paraqitjen finale të dokumentit të studimit.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz