Sipas kërkuesve, rrjetet sociale, si për shembull Facebook, ofrojnë instrumente dhe mënyra që mund t’i ndihmojnë të moshuarit të ndihen më të fortë dhe më pak të izoluar.
Sipas një studimi mbi përdorimin e Facebook, njerëzit e moshës së tretë që kishin postuar gjëra personale në Facebook, ndiheshin më të përfshirë në komunitet, dhe sa më i personalizuar profili i tyre, më shumë kontroll ndienin ata, tha S. Shyam Sundar, profesor i komunikimit në Universitetin Penn dhe bashkëdrejtor i Media Effects Research Laboratory. Sipas studimit, përdorimi i rrjeteve sociale nuk është një përvojë e njëtrajtshme, e keqe apo e mirë, por ofron funksione të shumta për përdorues të ndryshëm.
“Njerëzit kanë tendencën ta mendojnë Facebook-un si një kuti e zezë që, ose ka një ndikim të përgjithshëm pozitiv ose negativ, por ajo çka e dallon këtë studim është se bën një përpjekje për të parë se çfarë bëjnë njerëzit në Facebook dhe kjo është ajo që ka rëndësi” – tha Sundar. “Me fjalë të tjera, rrjetet sociale nuk janë as të mira e as të këqija, varet se si i përdorni ato”.
Për të moshuarit, të cilët përdorin më pak smartphone, Facebook dhe rrjete sociale të ngjashme mund të luajnë rol të rëndësishëm për të mos u ndier të izoluar dhe t’i bëjnë të ndihen sikur janë pjesë e një komuniteti më të madh, sipas studimit, i cili u publikua në New Media & Society.
“Kjo është e rëndësishme, veçanërisht për të rriturit dhe personat e moshës së tretë që kanë probleme me lëvizjen, gjë që kufizon mundësitë për t’u socializuar” – tha Sundar. “Prej rreth 10 vitesh ne jemi duke studiuar se si rrjetet sociale përmirësojnë jetën sociale të të rriturve dhe personave të moshës së tretë duke i bërë të ndihen më pak të izoluar. Kërkuesit thanë se komentimi apo përgjigjja në postime u jepte ndjesinë e ndërveprimit social”.
Eun Hwa, ish-student i Penn State dhe aktualisht asistent profesor i komunikimit dhe mediave të reja në Universitetin Kombëtar të Singaporit, i cili ka punuar me Sundar, tha se numri i të rriturve dhe personave të moshës së tretë që përdorin Facebook është rritur. Sipas kërkimit të Pew, 34% e amerikanëve të moshës 65 vjeç e më shumë përdorën rrjete sociale në vitin 2017, në rritje me 7% krahasuar me vitin 2016. Facebook është rrjeti social më i përdorur tek të rriturit dhe të moshuarit.
Për të mbledhur këto të dhëna, studiuesit rekrutuan 202 persona, 79.7% femra dhe 20.3% meshkuj – të moshës 60 vjeç e më shumë, të cilët ishin përdorues të Facebook të paktën prej një viti.
Kërkuesit u bënë ftesa miqësie pjesëmarrësve në Facebook në mënyrë që të shihnin se sa herë ishin aktivë në rrjetin social dhe opsionet e ndryshme që ata përdornin. Studimi i ardhshëm mund të analizojë nëse këto ndërveprime pozitive mund të përmirësojnë mirëqenien e të moshuarve – tha Sundar. Studiuesit thanë gjithashtu se duhet marrë në analizë edhe ndikimi i rrjeteve të tjera sociale si Twitter dhe Pinterest, si dhe wearable të tjerë, tek njerëzit e moshës së tretë.
Burimi: Penn State News