Skema e subvencionimit në bujqësi është orientuar në drejtim të mbulimit të kostove dhe jo nxitjes së zinxhirit të vlerës. Beka: Po krijohet ideja e bujqësisë së industrializuar, ndërkohë që kemi ferma shumë të vogla. Bujqësia po shihet si biznes, jo si prodhim. Si u shtrembërua skema e kompensimit të TVSH-së prej 20% në bujqësi
Blerina Hoxha
Skemat e subvencionit në bujqësi të orientuara në mbulimin e kostos dhe jo në rritjen e zinxhirit të vlerës, i kanë nxjerrë nga shinat fondet publike që shkojnë në mbështetje të Bujqësisë. Të papërfshira në monitorim dhe pa marrë në konsideratë elementë të eficiencës subvencionet për bujqësinë, në vend që të rrisin produktivitetin në sektor, po shkojnë si fonde të falura për mbulimin e kostos. Kjo praktikë tashmë e dështuar edhe në Bashkimin Europian nuk i shkon më për shtat nevojave të zhvillimit të bujqësisë shqiptare.
Ish zv/ministri i Bujqësisë, Alban Zusi, thotë se subvencioni duhet të orientohet nga rritja e vlerës. Fondet nuk duhet të falen, sipas skemës aktuale por të kthehen në investime dhe përfituesit pas një periudhe 5 vjeçare të japin “llogari” se sa këto fonde i janë kthyer mbrapsht shtetit përmes pagimit të taksave, apo sa ato kanë ndikuar në punësimin dhe shtimin e të ardhurave . Për të realizuar këtë, Ministria e Bujqësisë duhet të ngrejë një sistem monitorimi për subvencionet dhe të vërë disa kushte. Psh, duhet të financohet një aktivitet që ka mundësi të shlyejë subvencionin në pesë vitet e para nëpërmjet taksave. Përfshirja në proces monitorimi i elementëve të eficencës mund të bëjë më të dobishme skemën sugjeron Zusi.
Ismail Beka, nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) i cili ka koordinuar edhe fondet e IPA për subvencionet në bujqësi, mendon se skema aktuale e trajton bujqësinë si biznes dhe jo si nxitje e prodhimit.
Skema e kompensimit në pikat e grumbullimit po rezulton spekulative thotë Beka, ku përfituesit më të mëdhenj janë bizneset që merren më bujqësinë dhe jo prodhimin në ferma.
Po krijohet ideja e bujqësisë së industrializuar, ndërkohë që bujqësia shqiptare është e bazuar te fermat shumë të vogla, thotë Beka, një ekspert i njohur i bujqësisë.
Shpeshherë përdoret argumenti: ne do të mbështesim bujqësinë e tregut dhe jo bujqësinë sociale. Por nuk ka një instrument tjetër se kush do ta mbështesë bujqësinë e vogël, tha Beka.
Ilir Mile, zv.presidenti i shoqatës së fermerëve “Rrupaj”, pohoi se skema e subvencionit nuk po funksionon. Përgjithësisht, tarifat e korrupsionit për të përfituar nga skemat mbështetëse kanë qenë të larta dhe zënë deri në 30% të vlerës së grantit – pohojnë fermerët në zonat e Lushnjës.
Si u deformua skema e kompensimit të TVSH-së
Në kuadër të Paketës së Bujqësisë është parashikuar si një ndër masat më të rëndësishme njohja e TVSH-së të produkteve bujqësore 20 % (në rritje nga 6% që ishte më parë) për grumbulluesit, përpunuesit dhe tregtuesit.
Kjo masë, përveçse e bazuar, ishte e imponuar për shkak se produktet bujqësore vendase efektivisht ishin të përjashtuara nga tregëtimi formal në vend, krahasimisht me ato të importit, pasi në tregun formal dilnin me një kosto shtesë prej 14% krahasimisht me ato të importit, sepse TVSH e rimbursueshme iu njihej vetëm 6%.
Por në një korrespodencë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Financave gjatë vitit që shkoi del në pah se zbatimi i kësaj mase në terren duhej shoqëruar me një proçes monitorimi të vazhdueshëm për të mbrojtur skemën nga abuzivizmi me fatura të fryra apo transferimi i kostove të formalizimit tek fermeri fundor.
Ministria e Bujqësisë në një letër dërguar Ministrisë së Financave lajmëron se eksportuesit po abuzojnë në masë, pasi do iu kreditohet TVSH e autofaturuar, tashmë në masën prej 20%, pra iu lind e drejta dhe kanë kërkuar që t’iu rimbursohet nga organi tatimor. Vlera totale e këtij pretendimi është disa miliona euro.
Ministria e Bujqësisë vë në dukje se në paketën e Bujqësisë për 2016 nuk kishin parashikuar rimbursim të TVSH-së për produktet e eksportuara, pasi këto produkte janë të përjashtuara nga TVSH-ja në shitje dhe rrjedhimisht nuk paraqesin problematikën që kanë produktet shqiptare për t’u tregtuar brenda vendit në tregje formale.
Por Ministria e Financave nuk e ka pranuar këtë propozim me argumentin se“e drejta e rimbursimit të TVSH në eksport është parim i pandryshueshëm i funksionimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, për këtë arsye nuk shprehemi dakort me propozimin”.
Në propozimin e Ministrisë së Bujqësisë thuhej se, masa e njohjes së TVSH së autofaturuar në 20% kishte të vetmin qëllim që të hiqte barrierat për shitjet e produkteve bujqësore brenda vendit. Eksporti i produkteve bujqësore, në rastin konkret fruta perime, po ndodh suksesshëm jashtë dhe pavarësisht këtij rimbursimi, që në fakt është subvencion, dhe është tashmë një trend i konsoliduar e në rritje i filluar 5 – 6 vite më parë.
Ministria e Bujqësisë ka sqaruar se rimbursimi i TVSH së autofaturuar nuk është kryer as më parë dhe as nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e kërkesave të eksportuesve (pra plan biznesi i tyre nuk bazohej në asnjë pritshmëri për këtë rimbursim). Dikasteri i i Bujqësisë nuk ka vënë në diskutim nëse duhet apo jo të rimbursohet TVSH për eksportet, por çështja në diskutim është pikërisht për TVSH virtuale të ashtuquajtur të ‘autofaturuar’ – që në fakt është e dhuruar nga Qeveria për të hapur tregun vendas për fermerët shqiptarë!
Shembulli, subvencioni si nxitje për tregun vendas
1kg domate
Shitet nga fermeri 50 lekë
Kostoja e prodhimit për fermerin është 25 lekë, nga e cila vlera e inputeve është 15 lekë, kurse pjesa tjetër shërbime dhe punëtori pra TVSH e mbledhur del 20% e 15 lekë = 3 lekë, ndërsa tregëtari blen me vlerën 50 lekë dhe e kontabilizon me vlerën 60 lekë, nga të cilat 10 lekë llogaritet TVSH 20% e vlerës së plotë prej 50 lekë kg i domates.
Në rastet kur produkti shitet brenda vendit diferenca prej 7 lekësh e TVSH reale me atë të autofaturuar do të duhej të paguhej nga fermeri.
Pikërisht këtu qëndron mbështetja e masës së ndërmarrë që në kushtet e informalitetit të plotë, Qeveria heq dorë nga mbledhja e kësaj TVSH për të realizuar tre objektiva të rëndësishëm:
hapjen e tregut vendas (supermarkete, tendera publik, industri përpunuese etj.) për prodhimin e fermerëve, heqjen e barrierave për formalizim (tashmë tregtari paguan vetëm tatim mbi vlerën e shtuar prej tij e jo edhe mbi vlerën e krijuar nga fermeri), mbledhjen e TVSH dhe detyrimeve të tjera në segmentin ‘qëndër grumbullimi – konsumator vendas’.
Shembulli, subvencioni si spekulim me eksportin
Krejt ndryshe sillet kjo skemë në rastin e eksporteve, ku kemi të bëjmë me një treg 100% formal.
Mbi bazën e interpretimit të Ministrisë së Financave, sipas shembullit të mësipërm eksportuesit duhet ti rimbursohet 10 lekë TVSH, kur në fakt nga proçesi i prodhimit realisht janë paguar vetëm 3 lekë TVSH!
Kjo qasje (e rimbursimit të 10 lekëve kur për prodhimin janë kredituar/paguar vetëm 3 lekë TVSH) është e panevojshme, e paarsyeshme, deformuese për tregun, në kundërshtim me marrëveshjet e tregëtisë së lirë, tepër rënduese për buxhetin e shtetit, sqaron Ministria e Bujqësisë në shkresën dërguar Ministrisë së Financave.
Interpretimi se duhet rimbursuar TVSH e autofaturuar për eksportet, përveçse një deformim i pastër i parimeve është një gur i madh pengues dhe frenues për formalizimin e prodhimit bujqësor, argumenton Ministria e Bujqësisë. Pas analizës Ministria e Bujqësisë vlerësoi se është e domosdoshme që ekspertët e Ministrisë së Financave të realizojnë ndërhyrjet e nevojshme për të eliminuar pagesat e padrejta që buxheti i shtetit jep në këtë formë.
Qeveria e dyzuar
Abuzimet në pikat e grumbullimit, duke faturuar vlera më të larta te fermerët për të përfituar nga kompensimi i fondeve qeveritare e kanë dyzuar Ministrinë e Financave për të mbajtur apo jo të njëjtën skemë edhe për vitet në vijim. Në momentet e fundit, pasi është hartuar Paketa Fiskale 2016, qeveria ka hequr dorë nga një nismë për reduktimin e kompensimit të TVSH nga 20 në 6%. Vendimi për të mbajtur ende skemën ka qenë i minutës së fundit, saqë qeveria nuk ka arritur të korrigjojë relacionin që ka shoqëruar buxhetin 2016 në Kuvend ku propozohej që kompensimi i TVSH të ulej në nivelin 6%.
Zv.ministrja e Financave, irena Beqiraj, ka pranuar se skema aktuale ka pasur elemente spekulimi, por sipas saj nuk ka një zgjidhje më të mirë se kjo për të gjeneruar tregje të reja për prodhimet bujqësore. Financimi i drejtpërdrejtë i fermerit, pa i garantuar atij një treg, nuk krijon zhvillimin e qëndrueshëm të zinxhirit bujqësor, shpjegoi Beqiraj. Zv.ministrja pohoi se qeveria ka qenë në dilemë që të mbajë skemën e kompensimit të TVSH-së në mënyrën se si është, por pas shumë debatesh është lënë në fuqi varianti aktual, pasi me gjithë spekulimet që mund të ketë, është e vetmja që krijon një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.
Skema
Qysh me ardhjen në pushtet, të majtët rikonceptuan politikat për bujqësinë, në themel të të cilave është përfshirja e sektorit në sistemin fiskal, duke kushtëzuar edhe subvencionet vetëm kundrejt pagesave me faturë. Kështu politika e subvencionit ndryshoi kryekëput duke kaluar nga mbështetja me fonde e prodhimit në subvencionimin e çmimit në momentin e shitjes së prodhimeve në pikat e grumbullimit. Por duke qenë se kjo lloj skeme u manipulua për një vit, Ministria e Financave vendosi të kreditojë TVSH për tregtarët që kryejnë blerje te fermerët nëse këto i kishin kryer blerjet nëpërmjet bankave. Me këtë skemë, tregtarët autofaturojnë çmimin e blerjes plus 20% TVSH, e cila u është paguar fermerëve shtesë mbi çmimin. Këtë vlerë, tregtarët më pas e marrin nga buxheti i shtetit kundrejt paraqitjes së faturave.
Por duket se kjo skemë e komplikuar për fermerët dhe e pakonsultuar paraprakisht nuk ka ngjitur. Pasi sektori punon gjerësisht në cash, bankat nuk kanë degë në zonat rurale dhe për më tepër kultura financiare e fermerëve shqiptarë nuk është në atë pikë sa të aplikojë pagesën me bankë, bie fjala për 5 arka domate. Ilir Mile, zv.presidenti i shoqatës së fermerëve “Rrupaj”, pohoi se skema e subvencionit nuk po funksionon.
Realiteti tregon se, fondet me pikatore të hallakatura në më shumë se 20 skema duket se e vështirësojnë zbritjen e fondeve nga donatorët në terren, atje poshtë te bujqit.
Ndikimi
Me subvencion apo pa subvencion, prodhimet bujqësore dhe për rrjedhojë eksportet bujqësore, janë dyfishuar. Dyfishim prodhimi dhe eksportesh ka pasur në Lushnjë, Berat dhe Elbasan. Ndërsa në Shkodër, Korçë, Fier etj., rritja në krahasim me një vit më parë ka qenë nga 30-40%.
Kjo rritje konfirmohet edhe nga INSTAT. Gjatë 2015 eksportet e zarzavateve dhe frutave arriten në 4.3 miliardë lekë, duke shënuar rritje me 53%, por për të njëjtën periudhë mësohet se importet e produkteve bujqësore të jenë rritur me 3%.
Por ekspertët e fushës dhe fermerët pohojnë se prodhimi bujqësor ndikohet nga shumë faktorë, më së shumti nga klima. Administratorët e “GOGO eksport” pohuan në 2015-n, klima e ngrohtë e vjeshtës favorizoi prodhimin e domates së fushës, duke bërë që Shqipëria të ruajë volumet e eksportit edhe jashtë sezonit të zakonshëm, duke u bërë konkurruese dhe duke maksimizuar vlerat e përfitimit. Skema e subvencionit, sipas modelit aktual, nuk mund të nxisë prodhimin brenda vitit. Për shkak se fermerët e marrin kompensimin pasi të kenë dorëzuar prodhimin. Duhet një periudhë mbi trevjeçare për të pasur efekte të matshme të skemës së subvencionit në prodhim.
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, në një komunikim të mëparshëm me “Monitor” ka pohuar se përqasja e re ndaj bujqësisë është se, fermeri duhet të jetë vetëm prodhuesi dhe jo si deri më tani që edhe prodhon, edhe transporton, edhe tregton buzë rrugës apo në tregje të improvizuara.
Arsyeja tjetër se pse prodhimet bujqësore po vijnë me rritje lidhet me riorientimin e investimeve nga sektorë të tillë si ndërtimi dhe tregtia drejt sektorit ende të pamaturuar. Numri i ndërmarrjeve në bujqësi më 2014 u katërfishua sipas të dhënave të INSTAT, duke arritur në 1031 të tilla nga 259 që ishin në vitin 2013. Shumë kompani që më parë kishin aktivitet në sektorë të ndërtimit apo të tregtisë e kanë parë bujqësinë si një mundësi të mirë për diversifikimin e investimeve.
Një faktor tjetër në rritjen e prodhimit bujqësor mësohet të kenë qenë edhe përmirësimi i kushteve të financimit të sektorit bankar për bujqësinë.
Teksa kredia për ekonominë vitet e fundit, e sidomos këtë vit, ka shfaqur dobësi të theksuar, duke pësuar rënie vjetore 1.6% në fund të tetorit, për sektorin e bujqësisë duket se huaja bankare po vjen në rigjallërim. Sektori, investimet e të cilit janë në fillesa dhe hapësirat e pashfrytëzuara janë ende të mëdha, duket se po i orienton bankat gjithnjë më shumë drejt fermerëve. Edhe pse risku i kreditimit të këtij sektori është i lartë për shkak të ndikimeve klimatike, si rasti i përmbytjeve të pranverës dhe kulturës ende të mangët të fermerëve për produktet financiare, bankat po marrin në konsideratë fshatin. Kredia e re dedikuar bujqësisë arriti në periudhën janar-tetor të 2015-s në 4.6 miliardë lekë. Kjo shumë ishte të paktën 20% më e lartë se kredia e re e dhënë nga bankat për sektorin në vitin 2014. Në krahasim me vitin 2012, kredia e re në drejtim të bujqësisë është dyfishuar.
Ilir Mile, nga Shoqata e Fermerëve në Krutje, pohon se bankat i kanë ende shumë të vështira kushtet e financimit për fermerët dhe për më tepër financojnë vlera shumë të ulëta. Ai pohoi se për të rritur sipërfaqen e serave i duhet të paktën 40 mijë euro investim, por ai tha se bankat ofrojnë vlera 5 herë më të ulëta se nevojat e fermerëve.
Deri në fund të tetorit 2015 janë shpërndarë nga Agjencia e Zhvillimit Rural dhe Pagesave 1.7 miliardë lekë, nga i cili kanë përfituar mbi 13 mijë persona. Skema, sipas Ministrisë së Bujqësisë, parashikon një ndryshim thelbësor, duke i dhënë përparësi jo më mbjelljeve direkte, por finalizimit të produktit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë gjatë nëntëmujorit është realizuar 81% e masës së subvencionit.
Ndërsa për vitin 2014, për skemat mbështetëse u dha shuma prej 1 146 milionë lekësh, duke përfshirë këtu dhe fondin e planifikuar si bashkëfinancim në kuadër të projektit iPA 2011, por me VKM 294 dhe 506 të 2014, u pakësua fondi me rreth 21.8 milionë lekë. Fondi është realizuar në masën 100%. Numri i fermerëve përfitues në total ishte 8 770 persona.
Në vitin 2014 u financuan 38 projekte me normë interesi kredie; 95 projekte për serat me ngrohje; 49 projekte me 50% të financimit; 6 988 projekte për mizën e ullirit; si dhe 1 600 projekte për skemat e tjera mbështetëse. Lidhur me fondin e planifikuar si bashkëfinancim nga projekti iPARD-like, janë financuar 29 subjekte, në investime në fermat bujqësore dhe përpunim e tregtim produktesh bujqësore.
Pak fonde në 20 skema
Teksa fondet që mbështesin direkt zhvillimin bujqësor nuk i kanë kaluar të 13 milionë eurot në një vit, shpërndarja e tyre është hallakatur në më shumë se 20 skema që targetojnë grupe të ndryshme përfituesish dhe kritere pa fund.
Për pemëtarinë dhe perimet përfitohet në bazë të prodhimit të dorëzuar në pikat e grumbullim/përpunimit, kundrejt faturave tatimore të dorëzuara, sipas skemës numër 1.
Për të imtat aplikohet për të përfituar nga skema e qumështit numër 9, dhe nga skema numër 11 kundrejt krerëve të matrikulluar, 1,200 lekë për krerë, nga skema e dorëzimit të të imtave në thertore të licencuar kundrejt faturave të shitjes së mishit dhe dorëzimit të lëkurëve në pikat e grumbullim/përpunimit sipas skemës numër 12. Skemat nuk kanë të mbaruar, procedurat gjithashtu. Nëse nuk ke NIPT, nëse nuk ke paguar faturat e OSHEE-së, nëse nuk ke llogari në bankë, nëse merr e jep pa faturë nuk përfiton. Por kultura e mangët financiare dhe mundësitë e kufizuara për shkak të sipërfaqes të fermave jo më shumë se 1.2 hektarë i kanë lënë pjesën më të madhe të fermerëve ata me më shumë nevojë për mbështetje financiare pa subvencione. Adresimi i fondeve të mbështetjes financiare bëhet ende më i vështirë nga numri i madh i njësive bujqësore. Vendi aktualisht ka 350 mijë ferma të vogla, akoma më keq sipërfaqja e parcelave të mbjella me një kulturë nuk i kalon të 0.2 hektarët. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, e ka cilësuar fragmentarizmin e tejskajshëm të tokës si pengesën themelore për kultivimin në masë të kulturave bujqësore që bëjnë konkurrues vendin tonë, duke i siguruar Shqipërisë një mundësi të re zhvillimi. Situata është alarmante edhe në sektorin e mekanizimit, ku 350 mijë e fermave i përgjigjen vetëm 20 mijë e 600 mjete, sipas të dhënave e iNSTAT për statistikat e bujqësisë 2014.
Suela Popa, drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural, tha se “përgjatë zbatimit të modelit të suksesshëm të investimeve që qeveria aplikoi për herë të parë në 2014 në këtë sektor përmes skemave të mbështetjes, u konstatua se një pjesë e konsiderueshme e partnerëve qofshin këta fermerë apo agropërpunues, hasnin një sërë sfidash për realizimin e investimeve të tyre”.
Financimet, një pikë ujë në det
Teksa bujqësia kontribuon me 270 miliardë lekë në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, duke zënë rreth 18% të tij, por nuk merr të njëjtin trajtim nga institucionet publike. Gjatë këtij viti, buxheti i dedikuar sektorit të bujqësisë, edhe pse me rritje në krahasim me këtë vit, është vetëm 8 miliardë lekë ose vetëm 0.5% të PBB. Sektori që do të udhëheqë edhe ritmet e rritjes ekonomike në të ardhmen është i nënfinancuar ndërsa kërkesa nga ana e njësive fermere është e lartë. Suela Popa nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor thotë se shtimi i sipërfaqeve të mbjella apo krijimi i fermave të reja blegtorale, kanë rritur ndjeshëm kërkesat për fonde publike me destinacion mbështetjen financiare në bujqësi. Për rrjedhojë, rritja e buxhetit në bujqësi do të mbetet një sfidë e vazhdueshme për qeverinë shqiptare, në kushtet kur kërkesa fermere vijon të rritet në mënyrë progresive nga viti në vit.
BERZH hyn edhe në bujqësi
Kredia për fermerët pritet të marrë hov vitet në vijim pasi Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka vendosur të diversifikojë financimet në bujqësinë shqiptare. Sylvia Ganser-Potts, drejtoreshë e BERZH-it për Europën Juglindore e Qendrore, në vizitën që zhvilloi në këtë fillimvit në Shqipëri, tha se bujqësia është një sektor me potenciale të mëdha dhe qeveria është shumë e interesuar ta zhvillojë atë. Ndaj BERZH vuri si garanci një vlerë prej 75 milionë dollarësh, e cila do të funksionojë si një skemë garancie ndaj bankave që do të kreditojnë biznesin.
“Kjo është një skemë inovative, që do të shërbejë si pilot edhe për vendet e tjera. Paketa nuk siguron vetëm financime. Paratë janë të rëndësishme, sigurisht, por veç tyre ne po sigurojmë edhe konsulencë, si për bankat, edhe për fermerët. Skema do të jetë fleksibël. Nëse diçka nuk shkon siç duhet, programi do të ndryshohet deri sa të funksionojë”, tha më tej Ganser-Potts.
Përmes fondit, qeveria dhe BERZH synojnë t’u kompensojnë bankave 50% të humbjeve, për kreditë që nuk kthehen.
Subvencionet nga prodhimi te biznesi
Skema e kompensimit të TVSH-së e detyron blerësin person i tatueshëm, për çdo furnizim të produkteve bujqësore, që të marrë prej fermerit një faturë tatimore me TVSH, në të cilën evidenton si shitës, fermerin (prodhues bujqësor), NIPT-in e fermerit dhe të dhënat e tjera të kërkuara sipas faturës. Vlera totale e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi, përfshirë normën e kompensimit e cila është 20%. TVSH-ja e shënuar në faturë prej 20% përbën normën e kompensimit të fermerit. Kompensimi i akorduar i paguhet fermerit nga grumbulluesi kundrejt fermerit përkundrejt furnizimeve të kryera. Norma e kompensimit aplikohet mbi çmimin pa TVSH të produkteve.
Në udhëzimin përkatës thuhet se, kompensimi ka për qëllim të mbulojë TVSH-në e paguar prej fermerëve në çmimin e blerjes së mallrave e shërbimeve, që ata kanë blerë për nevoja të kryerjes së aktivitetit të tyre prodhues bujqësor.
Por Ismail Beka nga GIZ mendon se, qeveria po i orienton investimet kryesisht në strukturat mbështetëse të eksporteve, por do të ishte po aq e dobishme që politikat mbështetëse të orientohen edhe nga rritja e prodhimit për uljen e importeve bujqësore, pasi për të ulur 1 milion euro importe, kërkohen më pak financime publike, krahasuar me rritjen e 1 milion euro eksporte ushqimore.
Me këtë skemë, thotë Beka, po krijohet ideja e bujqësisë së industrializuar, ndërkohë që bujqësia shqiptare është e bazuar te fermat shumë të vogla.
Shpeshherë përdoret argumenti: ne do mbështesim bujqësinë e tregut dhe jo bujqësinë sociale. Por nuk ka një instrument tjetër se kush do të mbështesë bujqësinë e vogël, pohoi ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.