Zgjedhjet presidenciale të Turqisë/Planet e Recep Tayyip Erdogan për Presidencën
Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, u bë Presidenti i parë i vendit zgjedhur nga populli më 10 gusht, duke shënuar fitoren e tij zgjedhore të 9 radhazi gjatë 12 viteve në pushtet. Ai mori 52% të votave, duke shmangur balotazhin. Rezultati ka nxjerrë në pah kontrollin gjithnjë e më të rreptë të zotit Erdogan në pushtet dhe nxiti shqetësime të mëtejshme në lidhje me të ardhmen e lëkundur të demokracisë së Turqisë.
Gjatë një fjalimi rreth fitores në selinë e Partisë së tij Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Ankara, Erdogan tha se ky ishte “fillimi i një epoke të re”, duke sinjalizuar objektivat e tij për të vazhduar qeverisjen e vendit nga pallati presidencial dhe për t’i dhënë Turqisë një Kushtetutë të re që, ndër të tjera, do t’i japë atij fuqi ekzekutive. “Vullneti kombëtar” tanimë do ta gjejë zërin e tij në një “Turqi të re” në të cilën do të përfshihen të gjithë qytetarët pa dallim etnie apo besimi.
Megjithatë, gjatë gjithë fushatës së tij, z. Erdogan përdori një ton të guximshëm polarizimi, duke iu drejtuar besimit Alevi të liderit kryesor të opozitës, Kemal Kiliçdaroglu, dhe rrënjëve etnike Zaza të rivalit të tij kurd, Selahatin Demirtas.
Erdogan e bëri të qartë se beteja e tij kundër Fethullah Gulen, predikuesit me bazë në Pensilvani, pasuesit e të cilit në polici dhe gjyqësor thuhet se kanë ideuar një hetim për korrupsion kundër tij dhjetorin e kaluar, do të vazhdojë.
Gjithashtu do të vazhdojnë edhe projektet e tij të mëdha të infrastrukturës, duke përfshirë një “Bosfor të dytë”, kanali që ka zemëruar ambientalistët.
Asnjë nga këto nuk i ka shqetësuar mbështetësit e tij, të cilët erdhën për të votuar në grupe (edhe pse pjesëmarrja prej 74% ishte një rënie e mprehtë nga 89% i regjistruar në votimet lokale të marsit). Apatia e votuesve në mesin e përkrahësve të opozitës kryesore, Partisë Popullore Republikane (CHP) dhe largimet masive të AK nga ana e nacionalistëve ndihmuan në sigurimin e fitores së z. Erdogan.
Ekmeledin Ihsanoglu, një diplomat 70-vjeçar që u vu si kandidat i përbashkët nga CHP dhe nacionalistët, nuk arriti të frymëzojë, duke marrë vetëm 38% të votave.
Lëvizja tjetër e zotit Erdogan është organizimi i një kongresi të partisë AK në fund të gushtit. Ai pa dyshim do të donte të shihte zgjedhjen e një pasardhësi fleksibël përpara se të marrë detyrën si president një ditë më pas.
Një konkurrent është ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu, i cili ka kredencialet islamike dhe karizmën për ta mbajtur të bashkuar bazën fetare të partisë. Dhe me doktrinën e tij të politikës së jashtme “zero probleme me fqinjët” të bërë “fërtele” (Turqia e ka tërhequr ambasadorin e saj nga Tel Aviv, për shembull), ai nuk do të guxojë të sfidojë udhëheqjen e z. Erdogan.
Plane të tilla mund të përmbysen nga presidenti që po largohet, Abdullah Gul, një bashkëthemelues i partisë AK, i cili njoftoi se do të kthehet në partinë e tij të vjetër. Në një pritje lamtumire në pallatin presidencial, bashkëshortet e zotërinjve Gul dhe Erdogan dhanë duart në përpjekje për të eliminuar thashethemet e një ndarje të afërt në AK. Por zyrtarët e z. Erdogan ishin më pak diplomatikë. “Lëvizja politike ka një udhëheqës të vetëm: Presidentin Erdogan”, – referoi një anëtar i AK së Parlamentit.
Megjithatë, sondazhet e fundit të opinionit sugjerojnë se rreth 76% e votuesve të AK duan z. Gul si lider të partisë. Z. Gul është një figurë e moderuar, i njohur gjerësisht si forca lëvizëse prapa “furtunës” së reformave në ditët e para të sundimit të AK.
Një tjetër e panjohur është se si figura e artikuluar e z. Demirtas do të përdorë influencën e tij në sondazhe. Partia e tij fare e re People’s Democracy dyfishoi pjesën e saj të votave në Stamboll dhe Izmir dhe e trefishoi atë në Ankara, duke arritur 9.7% në mbarë vendin.
AK nuk zotëron vende të mjaftueshme në Parlament me qëllim që të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’i dhënë presidencës kompetencat ekzekutive të stilit frëng. Kurdët pritej gjerësisht t’i mbështesnin këto ndryshime në këmbim të koncesioneve politike. Por ata mund të ndryshojnë mendje, të frustruar nga ritmi i negociatave midis udhëheqësve kurdë dhe qeverisë. Ëndrrat e z. Erdogan ka ende të ngjarë të mos realizohen.